Ndërlidhjet

Zhvillimi ekonomik, obligim kyç i qeverisë së re


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Qeveria e re e Kosovës prioritet duhet të ketë zhvillimin ekonomik, përmes së cilës do të mund të zbusë nivelin e lartë të papunësisë dhe varfërisë, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike përfaqësues të bizneseve dhe shoqëria civile në Kosovë.

Për të pasur zhvillim më të lartë ekonomik, fillimisht duhet të ketë përmirësim të sundimit të ligjit, meqenëse siç thonë ata, sundimi i ligjit do të eliminonte shumë parregullsi në të bërit biznes, siç janë parregullsitë në aktivitetet e prokurimit publik, prania e lartë e korrupsionit dhe shumë çështje tjera.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pret që qeveria e re të merret me zhvillimin ekonomik të vendit, duke rritur fillimisht efikasitetin në sistemin gjyqësor.

“Sundimi i ligjit do të duhej të përcillej më një ngritje të efikasitetit ose do të duhet të garantohet me një rritje të efikasitetit të sistemit gjyqësor që nuk e kemi parë viteve të fundit. Mos funksionimi i duhur i sistemit gjyqësor jo vetëm që ka penguar investitorët vendor, por paraqet problem edhe në dekurajimin e investitorëve potencial të huaj të cilët nuk dëshirojnë të vinë në Kosovë për shkak të pasigurisë që afron Kosova në këtë aspekt”, thotë Zeka.

Gjatë një fjalimi të mbajtur para Kuvendit të Kosovës, në ditën kur Isa Mustafa e kërkonte votën e deputetëve për kabinetin e tij qeveritar, ishte zotuar se do të punojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, ku në fokus do ta kenë tërheqjen e investimeve ndërkombëtare.

“Për të tërhequr investimet e jashtme do të ridizajnojmë paketën e fiskale për investitorët e huaj, të fokusuar në sektorët ku kapitali dhe ekspertiza vendëse është e pamjaftueshme. Do të fuqizohet e drejta e dhënies së tokës në shfrytëzim nga komuna dhe do të nxiten sidomos investimet nga diaspora shqiptare. Do të krijohet fondi investiv për financimin e bizneseve vendëse të sektorit të bujqësisë me kushte të volitshme kreditore. Mjetet për këtë fond zhvillimor do të sigurohen nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore”, ka thënë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Një përkushtim më i madh i Qeverisë së re të Kosovës, sipas ekspertëve të ekonomisë duhet të bëhet në sektorin privat duke iu mundësuar atyre pushime tatimore dhe duke iu afruar lehtësira më të mëdha në të bërit biznes.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se prioritet i parë i Qeverisë së Kosovës do të duhej të ishte ndërprerja e migrimit të qytetarëve dhe ulja e nivelit të lartë të varfërisë në Kosovë.

“Për të bërë një gjë të tillë do të duhej të angazhohet shumë në sektorin privat duke hapur vende të reja të punës meqenëse vendi ynë nuk po ka kapacitete të krijojë vende të reja të punës duhet të ketë kapacitete të bëjë ambientin atraktiv për investime të huaja direkte”, vlerëson Abdixhiku.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) dhe Instituti për Hulumtime të Avancuara, në një propozim mbi prioritetet strategjike në planin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës 2014 – 2018, kishin kërkuar nga Qeveria e re e Kosovës që të ketë prioritet zhvillimin ekonomik.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se dy nga problemet thelbësore siç është papunësia dhe varfëria duhet të adresohet në mënyrë konkrete nga qeveria e re.

“Ne kemi propozuar që të ndryshohet baza e mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar pasi që kjo po i dëmton bizneset, kemi kërkuar që të përqendrohet më shumë në respektin e kontratave të bizneseve, pasi që ky respektim nuk po bëhet. Shumica e bankave komerciale po ankohen se nuk po mund të lëshojnë kredi me kamata më të ulëta pikërisht për shkak të mos respektimit të kontratave”, shton Demi.

Kosova që nga pas lufta është përballur më një nivel të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Papunësia sipas të dhënave zyrtare në Kosovë është mbi 30 për qind derisa varfëria 10 për qind.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG