Ndërlidhjet

Edhe kundrejt ligjeve rigoroze për cilësinë e produkteve ushqimore si dhe gjobave për tregtarët që nuk i plotësojnë këto standarde në Maqedoni, në tregje të gjelbra shumë produkte të mishit dhe bulmetit mund të gjenden të ekspozuara në ambiente të hapura pa mbrojtje në aspektin higjenik si dhe pa asnjë të dhënë për origjinën dhe datën e skadimit.

Qytetarët e anketuar thonë se produktet ushqimore të cilat i konsumojnë i blejnë në makete të mbyllura ngase ndihen më të sigurt sa i përket cilësisë dhe higjienës, por ka dhe të atillë që blejnë në tregje të hapura për faktin se janë me çmime shumë më të lira.

“Po zakonisht mish blej në supermarket, mendoj se mishi i blerë aty, është më i sigurt sa i përket cilësisë, shoh ambalazhimin, etiketën, pastërtinë”, thotë Nevaip Loku, qytetar.

Edhe Vasill Atanasov thotë se asnjëherë s'i shkon mëndja të blej produkte ushqimore të ekspozuara në ambient të hapur.

“Jo asnjëherë s'kam blerë produkte të mishit ose bulmetit dhe s'e marr me mend të blej, më duket diçka shumë johigjienike, ka pluhur gjithandej dhe nuk e di sa herë këto produkte janë ngrirë dhe shkrirë. Nuk e kam idenë si ka mundësi që mos veprojë inspektorati për ushqim, ndërkohë që i sheh çdo ditë këtu”, thotë Atanasov.

Por ka dhe të tillë që u besojnë më shumë produkteve në treg të hapur ndërkohë edhe çmimet janë shumë më të volitshme.

“Po, blej mish dhe prodhime të bulmetit këtu në tregun e gjelbër, thjesht bëhet fjalë për shprehi të vjetra, këtu nga i njëjti njeri kemi marrë me vite qumështin dhe djathin, ani se e shet në një kanë të vjetër, besoj është shumë më e shëndetshme dhe me çmim shumë më të ulët sesa djathi që mund ta blej në market, i njoh njerëzit dhe nuk mërzitem për atë thuhet standard apo plotësim ligjesh”, thotë Ace Nikollkoski.

Ndërkohë ekspertët e shëndetësisë thonë se qytetarët as për se afërmi nuk janë të informuar si për rreziqet e konsumimit të produkteve nga tregtarët ambulant, por edhe përmbajtjen e prodhimeve të konservuara të cilat i hasim në supermaket.

“Konsumatori në Maqedoni, vërtetë është në një situatë shumë të palakmueshme sepse nuk ka informata të sakta për cilësinë e produkteve ushqimore. Por, edhe atëherë kur ka, mendoj në ato inovacionet te tiketat e produkteve e shkronja shumë të imta që fatkeqësisht shumë pak nga qytetarët i lexojnë, do të hasin në shumë komponentë të cilat janë prezent në produkte të caktuara, që e theksoj mjekësia bashkëkohore është kundër përdorimit të të njëjtave, të paktën jo në sasinë që përdoren në produktet që i kemi në tregjet e vendit”, thekson Ilir Luma, mjek.

Ai thotë se është koha e fundit që autoritetet shtetërore të reagojnë ndaj alarmit të ndezur sa i përket cilësisë së produkteve ushqimore, përkatësisht Inspektorati Shtetëror i Tregut të jetë më transparent kur bëhet fjalë për vendet e kontrolluara por edhe rezultatet e monstrave të mara gjatë kontrollit.

Ndërkohë, nga drejtoria e Inspektoratit Shtetëror të Tregut është njoftuar se muajin e fundit janë shpeshtuar kontrollet në tregjet ku shitja e një pjese të produkteve ushqimore bëhet në kushte jo adekuate higjienike.

Nga kjo drejtori theksojnë se përpos vendimit për largimin e këtyre mallrave të pasigurta nga tregjet e gjelbra pasojnë dhe gjoba të larta për shkelësit e ligjit.

Ndërkohë kanë ftuar dhe qytetarët të jenë më vigjilent gjatë konsumit të këtyre produkteve.

XS
SM
MD
LG