Ndërlidhjet

Merr fund pengmarrja në Australi


Merr fund pengmarrja në Australi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:24 0:00

Së paku tre veta raportohet të jenë vrarë, pasi policë të armatosur rëndë kanë sulmuar kafenenë në Sidnej të Australisë, ku një person i armatosur ka mbajtur peng, për orë të tëra, disa persona.

Pas ndërhyrjes së policisë, janë dëgjuar një sërë shpërthimesh dhe pengjet kanë vrapuar jashtë ndërtesës.

Raportet e mediave lokale thonë se në mesin e të vrarëve janë një peng dhe pengmarrësi.

Ndihma e parë, ndërkaq, ka marrë nën kujdes disa persona.

Qendra e Sidnejit ka qenë e bllokuar për më shumë se gjashtëmbëdhjetë orë.

Policia e Australisë ka identifikuar pengmarrësin si Man Haron Monis, 50 vjeç, i lindur në Iran.

Gjatë rrethimit, brenda kafenesë, pengjet janë detyruar të mbajnë një flamur islamik në dritare.

Kafeneja ndodhet në Martin Place, një zonë e dendur tregtare në qarkun financiar të Sidnejit.

Në Martin Place ndodhet edhe zyra e kryeministrit dhe selitë e disa bankave të mëdha.

Kryeministri i Australisë, Tony Abbott, ka thënë se është “thellësisht i tronditor” me faktin që njerëzit janë mbajtur peng nga një person i armatosur, që është thirrur në motive politike.

Komando të armatosura, me helmeta dhe veshje anti-plumb, janë parë duke hyrë në kafene, duke hedhur granata tymi përpara tyre dhe duke hapur zjarr.

Pengjet kanë vrapuar jashtë me duar në ajër. Një burrë dhe një grua janë marrë nga shërbimet emergjente të mjekësisë.

Kafeneja në të cilën ka ndodhur drama e pengjeve është pjesë e rrjetit botëror të kafeneve dhe dyqaneve të çokollatave “Lindt”.

Shefi ekzekutiv i Lindt Australia, Steve Loane, ka thënë se në ndërtesë mund të kenë qenë më shumë se 50 persona, përfshirë klientët dhe stafin, por, sipas policisë, numri i pengjeve është sjellë në rreth 13.

Kafeneja vazhdon të jetë e rrethuar nga policia. Autoritetet e rendit nuk kanë dashur të japin informacione për kërkesat e pengmarrësit, por disa media kanë raportuar se ai ka thënë se “Australia është sulmuar nga militantët e Shtetit Islamik”.

Australia është pjesë e koalicionit ndërkombëtar, i cili po kryen sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

Dyshohet se rreth 70 australianë luftojnë përkrah militantëve dhe se shumë të rinj janë nën ndikimin e radikalizmit islamik.

Në muajin tetor, Parlamenti i Australisë ka miratuar ligje të reja kundër terrorizmit, përfshirë një dispozitë që ndalon australianët të luftojnë në konfliktet e vendeve të tjera.

Pengmarrësi Man Haron Monis ka marrë azil politik në Australi në vitin 1996 dhe është përballur me disa akuza, përfshirë ato për sulm seksual dhe ndihmë në vrasje.

Në një ueb-faqe, e cila tani është bllokuar, ai e ka pëshkruar veten si mysliman shiit, i cili është konvertuar në Islamin sunit.

Kleriku i vetëshpallur është përshkruar nga ish-avokati i tij si figurë e izoluar.

XS
SM
MD
LG