Ndërlidhjet

Komisionet parlamentare nuk arrijnë votat e mjaftueshme


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Edhe pse është konstituuar Kuvendi i Kosovës, ende nuk po arrin që të vazhdojë me procedimin eçështjeve të cilat kanë ngecur.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të hënën në rend të ditës kanë pasur miratimin e propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare, por një propozim i tillë nuk kaloi në mungesë të votave.

Kanë qenë 58 vota të deputetëve që kanë votuar për dhe 32 kundër, gjë që ka bërë që seanca të shtyhet për një ditë tjetër.

Ndryshe, gjatë seancës kur është debatuar për komisionet, ka pasur diskutime dhe kundërshtime rreth mënyrës së ndarjeve të komisioneve.

Derisa shefat e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk janë deklaruar për mënyrën se si janë ndarë komisionet parlamentare, deputetët nga opozita kanë reaguar duke thënë se 10 nga 14 komisionet që pritet të formohen u janë besuar partive në pushtet.

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se jo vetëm me ndarjen e komisioneve, por që nga konstituimi i Kuvendit, vërehet fakti që, siç tha ajo, kapja e shtetit po vazhdon.

Kapja është sinonimi i parë i kësaj qeverisjeje, pra kontrolli total ndaj Kuvendit, shtypja ndaj Kuvendit. Shpërndarja e drejtimit të komisioneve parlamentare tregon diskrepancën më të madhe në Kuvendin e Republikës në aspektin e përfaqësimit. Koalicioni qeverisës, sipas formulës së Kryesisë së Kuvendit kontrollon gjithsej 10 komisione nga 14 sosh”, tha Haxhiu.

Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj - Bujupi deklaroi se ndarja se komisioneve nuk avancon demokracinë dhe mbikëqyrjen e qeverisë.

“Siç është thënë edhe në raportin e progresit, Kuvendi në vazhdimësi po ngec në mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe kjo ka mundur të përmirësohet në këtë legjislaturë, ashtu siç kemi propozuar në takimin e kryesisë, duke dhënë mundësinë që një herë të zgjedh pozita, e një herë opozita. Kjo do të ishte më demokratike”, tha Kadaj - Bujupi.

Rritja e numrit të komisioneve në 14, ka ngritur po ashtu debat.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar Kryesinë e Kuvendit, duke thënë se rritja e numrit të komisioneve do të paraqesë probleme ndërmjet deputetëve dhe sektorëve të ndryshëm të ekzekutivit.

“Kjo nuk përkon me logjiken e asnjë kuvendi demokratik; çdo herë mundohen që të kenë kufizim të grupeve të komisioneve. Jemi i vetmi Kuvend në rajon që kemi numër kaq të madh të komisioneve parlamentare. Duhet ta shikojmë Shqipërinë që ka nëntë komisione parlamentare”, tha Zemaj.

Nga ana tjetër, Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që monitoron punën e Kuvendit, tha për Radion Evropa e Lirë që vonesa e fillimit të funksionimit normal të Kuvendit do të ketë pasoja.

Ai tha se mos formimi i komisioneve është një lajm i keq, gjë që sipas tij, kjo situatë do t’i zvarrisë shumë procese.

“Sidomos projektligjin për buxhetin i cili patjetër duhet të miratohet deri me 31 dhjetor dhe ne ketë fazë definitivisht do të prolongohet edhe më tutje. Unë uroj që shpejt Kuvendi dhe partitë politike parlamentare të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe komisionet parlamentare të konstituohen dhe me pas të fillojnë më punë intensive”, tha Selmanaj.

Në mbledhjen e së hënës, Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar dhe ri-proceduar projektligjin për buxhetin e vitin 2015.

Përmes një komunikate për media, qeveria e re e Kosovës ka bërë me dije se kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar kabinetin qeveritar për nevojën e ri-procedimit të projektligjit të buxhetit 2015 në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji për buxhetin 2015, sipas komunikatës, është proceduar në afat në Kuvendin e Kosovës nga qeveria e kaluar, por Kuvendi i Kosovës ka qenë i pa konstituuar, prandaj është e nevojshme që projektligji edhe një herë të ri procedohet në Kuvend.

Buxheti për vitin 2015 parashihet të jetë 1 miliard e 576 milionë euro, nga kjo vlerë 470 milionë euro, apo 28 për qind e buxhetit janë paraparë të investohen në projektet kapitale.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG