Ndërlidhjet

Me rënien e rublës, tkurrjen e ekonomisë dhe zvogëlimin e të ardhurave në dispozicion, Oleg Borisov ka vendosur… të blejë makinë!

Muajin e kaluar, përkthyesi 36-vjeçar nga Moska dhe vëllai i tij kanë dhënë 1.5 milion rubla për një Audi-6.

“Kur ne kemi blerë makinën, ajo ka qenë më lirë se kudo tjetër në botë. Madje edhe tani mendoj se çmimet janë më të ulëta se kudo”, thotë Borisov.

Pasi rubla ka rënë në nivele rekorde, duke humbur mbi 40 për qind të vlerës qysh në fillim të vitit, konsumatorët kanë mundësi të bëjnë pazare të mira, para se kompanitë e huaja të makinave të rrisin çmimet. Nëse nuk lëvizin shpejt, çmimet do të rriten përtej mundësive të shumë konsumatorëve.

1.5 milion rublat që Borisov dhe vëllai i tij kanë shpenzuar për makinën Audi-6 në muajin nëntor janë të barabarta sot me 30,000 dollarë. Në Evropë, makina do të kushtonte rreth 45,000 dollarë.

Aleksei Shapkin, i cili udhëheq një dyqan të makinave Audi në Moskë, thotë se shitjet janë rritur për 47 për qind në nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Makinat po shiten si ëmbëlsira të nxehta. Nuk kemi parë shitje të tilla që dhjetë vjet”, thotë ai.

Disa konsumatorë kanë bërë pazare të mira edhe para nëntorit.

Aleksandr Rulev, drejtor i financave në një kompani të patundshmërisë në Moskë, ka shfrytëzuar rënien e rublës qysh në muajin shtator. Ai e ka ditur se bankat do të rrisin normat e kredive, andaj ka marrë kredi për të blerë makinë BMW X3.

Ai thotë se në ditët e sotme makina do t’i kushtonte 20 ose 25 për qind më shtrenjtë.

Vetëm dy vjet më parë, tregu i makinave në Rusi është vlerësuar se do të arrinte shpejt Gjermaninë, si tregu më i madh në Evropë. Në vend të kësaj, ai ka nisur të tkuerret në vitin 2013 pasi normat e interesit janë rritur dhe rubla ka humbur 9 për qind të vlerës kundrejt dollarit dhe euros.

Rënia e shitjeve ka vazhduar në vitin 2014, pasi sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë kanë nisur të kafshojnë dhe rënia e rublës të marrë hov.

Chris Weafer, nga firma konsulente Macro në Moskë, thotë se rritja e shitjeve, si në nëntor, do të zgjasë për kohë të shkurtër, sepse çmimet do të rregullohen. Sipas tij, rënia e shitjeve në tregun e makinave, vitin e kaluar, ka qenë një tregues i hershëm për problemet ekonomike të Rusisë sot.

“Të gjitha shenjat janë se kjo periudhë e rritjes së shitjeve do të zgjasë shumë shkurt dhe do të bie”, thotë Weafer.

Më 12 dhjetor, edhe e përditshmja ruse “Komsomolskaya pravda” ka shkruar se makinat do të jenë një nga pesë shprehitë , nga të cilët rusët do të duhet të heqin dorë, për shkak të përkeqësimit të ekonomisë.

“Makinat po bëhen luks përsëri”, ka shkruar gazeta.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG