Ndërlidhjet

Për nëntë muaj, Gjykata Supreme përfundoi 824 lëndë


Ilustrim

Ilustrim

Gjykata Supreme, bazuar në kompetencat e saj, në periudhën janar-nëntor, ka pranuar 896 lëndë.

Në fund të nëntorit, në punë kanë hyrë 1,010 lëndë, ndërkaq të trashëguara nga viti paraprak kanë qenë 114 lëndë.

Të kryera në këtë periudhë kanë rezultuar 824 lëndë, përderisa të pakryera kanë mbetur 186 lëndë.

Lloji më i madh i lëndëve të pranuara për këtë vit thuhet të ketë qenë ai për revizion (rishikim), me 338 lëndë, pasuar nga lëndët e evidentuara si kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë (239), si dhe me kërkesat për zbutje të dënimeve - 134 kërkesa.

Në raportin përmbledhës, Gjykata Supreme thotë se si çdo institucion në vend, edhe ajo është përballur me sfida e probleme të ndryshme.

“Sfidë në vete paraqet procedimi i përshpejtuar dhe efektiv i çështjeve penale që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, veçmas në gjykatat e instancave të ulëta; plotësimi i vendeve vakante për gjyqtarë (mungesa e konkurrencës adekuate); unifikimi i politikave për zbatim unik të ligjit nëpër gjykatat e Kosovës. Sfidë mbi sfidat për gjykatat e Kosovës në përgjithësi, e për Gjykatën Supreme si autoriteti më i lartë i gjykatave, në veçanti është ulja e numrit të çështjeve të prapambetura në gjykatat e instancave më të ulëta dhe rritja e shkallës së besueshmërisë së opinionit në gjykata”, thuhet mes tjerash në raportin e Gjykatës Supreme.

Gjykata Supreme planifikon që në vitin 2015, përveç detyrave e përgjegjësive ligjore, prioritet t’i jap procedimit të çështjeve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

XS
SM
MD
LG