Ndërlidhjet

Vit "barbar" për gazetarët


Fotografi nga një protestë kundër vrasjes së gazetarëve...
Fotografi nga një protestë kundër vrasjes së gazetarëve...

Reporterët pa Kufij thonë se sulmet ndaj gazetarëve po bëhen "gjithnjë e më barbare" dhe se numri i rrëmbimeve po "rritet me shpejtësi".

Në raportin e tyre të përvjetshëm, Reporterët pa Kufij thonë se 66 gazetarë janë vrarë në lidhje me punën e tyre gjatë këtij viti, rreth 7 për qind më pak krahasuar me vitin 2013.

Por gjithashtu theksohet se ekzekutimet me heqje koke të gazetarëve James Foley dhe Steven Sotloff nga ekstremistët e Shtetit Islamik në Siri, nënvizojnë rreziqet me të cilat përballen gazetarët që ndjekin konfliktet.

Reporterët pa Kufij thonë se raporti reflekton "një evoluim në natyrën e dhunës kundër gazetarëve dhe mënyra se si disa metoda, përfshirë kërcënimet e inskenuara dhe ekzekutimet me heqje koke, po përdoren për qëllime të qarta".

"Shumë rrallë gazetarët janë vrarë në këtë mënyrë barbare me kuptim propagandues, duke shokuar tërë botën", shton raporti.

Gjetjet e raportit tregojnë se shtetet më vdekjeprurëse për gazetarët në vitin 2014 ishin Siria, ku 15 gazetarë u vranë, pastaj territori i Palestinës 7, në Ukrainë 6, Irak 4 dhe Libi 4.

Tre gazetarë u vranë në Afganistan, 2 në Pakistan dhe një në Rusi.

Rrëmbimet

Ndërkaq, përqindja e gazetarëve të rrëmbyer gjatë këtij viti u rrit për 37 për qind nga viti i kaluar, me 119 gazetarë të rrëmbyer.

Tridhjetetre nga ta u rrëmbyen në Ukrainë, ku forcat pro-qeveritare luftojnë me separatistët pro-rusë që nga muaji prill; në Libi 29 dhe në Siri 27.

Rreth 40 gazetarë ende mbesin pengje nëpër vende të ndryshme në mbarë botën.

Sipas raportit, 90 për qind e gazetarëve të rrëmbyer ishin vendas. Për shembull, të tetë gazetarët që mbahen peng në Irak, janë irakianë.

Burgosjet

Në mbarë botën, gjithsej 178 gazetarë profesionistë ishin në burg deri në muajin dhjetor, i njëjti numër si vitin e kaluar.

Në Kinë, 29 gazetarë u burgosën, duke e bërë këtë shtet vendin me më së shumti burgosje të gazetarëve në botë. Ajo pasohet nga shteti afrikan Eritrea me 28 gazetarë të burgosur, pastaj Irani me 19, Egjipti 16 dhe Siria 13.

Dhjetë gazetarë u burgosën në Uzbekistan e Azerbajxhan dhe 4 në Rusi.

Raporti përshkruan Azerbajxhanin si "burgun më të madh në Evropë për personelin mediatik" dhe nënvizon rastin e Khadija Ismayilova, një gazetare hulumtuese dhe kontribuuese e Radios Evropa e Lirë, e cila ndodhet në paraburgim.

"Tani ajo është duke u mbajtur me akuzën absurde se 'shtyu' një ish-koleg deri te vetëvrasja, një akuzë që mbart një dënim të mundshëm prej tre deri në shtatë vjet burg", thotë raporti.

Për shkak të konflikteve dhe "formave të ndryshme të frikësimit", thonë Reporterët pa Kufij, dy herë më shumë gazetarë u arratisën këtë vit se sa në vitin 2013.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG