Ndërlidhjet

Ndërhyrja e politikës në sistemin gjyqësor


Ilustrim [©Shutterstock]
Ilustrim [©Shutterstock]

Sistemi gjyqësor në Kosovë nuk është i pavarur dhe funksional, thonë njohësit e çështjeve juridike.

Ata thonë se krahas problemeve në sistemin e drejtësisë, politika është ajo e cila po ndikon që organet e drejtësisë të mos jenë të pavarura.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzulla Hasani, thotë se ndërhyrjet politike mund të jenë shumë dimensionale, por jo të drejtpërdrejta.

“Ndërhyrje konsiderohet edhe atëherë kur shumë kërkesa buxhetore limitohen, nuk lejohen. Shumë projekte shumë programe limitohen në aspektin e lejimit të buxhetit, në mënyrën se si ndahet buxheti. Të gjitha këto janë çështje... nuk është puna vetëm për të ndërhyrë duke thënë se këtë çështje duhet ta vendosni kështu... Nuk kemi pas, e them sinqerisht", tha Hasani, në një konference për media, duke folur për punën nëntë mujore të Gjykatës Supreme.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se fakti që shumë lëndë të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin nuk gjykohen, tregohet më se miri që "politika ndikon në sistemin e drejtësisë".

Korenica thekson gjithashtu se ndikimet e politikës në sistemin e drejtësisë janë përmendur edhe në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian.

“Besoj se për aq kohë sa është një problematikë thelbësore e ngritur nga ana e Komisionit Evropian, kjo duhet të jetë një prioritet qendror i qeverisë, që të garantojë se politika nuk përzihet, të garantojë dhe lejojë hapësirë të mjaftueshme për prokurorët dhe gjyqtarët që ata ta bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar”, tha Korenica.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thonë se janë duke punuar maksimalisht që politika të jetë sa më largë organeve të drejtësisë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndikimeve të politikës në gjyqësor, mirëpo, sipas tij, "ato ndikime mund të jenë individuale, të cilat nuk janë raportuar në organet kompetente".

“Po permendet edhe ndikimi buxhetor që në mënyrë indirekte po ndikon dhe në performancën e punës së gjyqësorit në përgjithësi, për shkak se në asnjë rast nuk janë aprovuar ato kërkesat tona buxhetore për me qenë një gjyqësor më efikas dhe më proporcional”, tha zoti Peci, për Radion Evropa e Lirë.

Cenim i pavarësisë së Gjyqësorit konsiderohet çdo veprim i ekzekutivit apo legjislativit, i cili minon efikasitetin e punës së gjyqësorit, si pasojë e resurseve të mangëta që ndahen për gjyqësorin.

Efikasiteti, paanshmëria dhe pavarësia e gjyqësorit paraqesin kusht themelor për të siguruar se të drejtat dhe liritë e individëve realizohen, zbatohen dhe mbrohen në kohë të arsyeshme nga gjykata dhe gjykatës të pavarur dhe të paanshëm, thonë njohësit e çështjeve juridike.

Ndryshe, Gjykata Supreme, ka publikuar një raport permbledhës të punës së saj ku thuhet se në periudhën janar-nëntor të këtij viti, ka pranuar 896 lëndë.

Në fund të nëntorit, në punë kanë hyrë 1,010 lëndë, ndërkaq të trashëguara nga viti paraprak kanë qenë 114 lëndë. Të kryera në këtë periudhë kanë rezultuar 824 lëndë, përderisa të pakryera kanë mbetur 186 lëndë.

XS
SM
MD
LG