Ndërlidhjet

Maqedonia mbetet jashtë agjendës së samitit të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Në konkluzionet e miratuara që pritet të publikohen në samitin e 19 dhe 20 dhjetorit, sa i përket Maqedonisë, ajo jo vetëm që nuk do të merr datën për nisjen e bisedimeve, por gjendet në pjesën e marrëveshjes për stabilizim asociim dhe jo atë të zgjerimit siç qëndronte një vit më parë.

Përveç çështjes së pazgjidhur të emrit, si probleme kryesore apostrofohen raportet me fqinjët, para se gjithash me Bullgarinë.

Shqetësime serioze janë theksuar edhe për ngecjet në reformat tjera, politizimin e institucioneve shtetërore, mungesën e pavarësisë në gjyqësor, lirinë e mediave, mungesën e besimit mes bashkësive etnike, e kështu me radhë. Këshilli thuhet se do t’i rikthehet Maqedonisë, vitin e ardhshëm, por vetëm nëse do të ketë përparim në sferat e mësipërme.

Drejtuesit e institucioneve përveç deklaratave se në agjenden e tyre mbetet procesi eurointegues i vendit, nuk merren seriozosht me këto vërejtje, ashtu sikur edhe vitet e kaluara.

Njohësit e çështjeve evropiane ndërkohë japin alarmin se mundësisë së humbjes së rekomandimit nëse nuk ndërmerren masa konkrete për përmbushjen e kërkesave të Brukselit.

“Maqedonia realisht është në prag të humbjes së rekomandimit për nisjen e bisedimeve me BE-në. Kjo theksohej në raportin e progresit ndërsa konfirmohet edhe në konkluzionet e Samitit".

"Përveç kontestit të emrit me Greqinë, tani institucionet përballen edhe me probleme tjera, që janë shndërruar në kritere e që kërkojnë zgjidhje si korrupsioni, mungesa e dialogut politik, reformat në gjyqësi, e çështje tjera në të cilat nuk është shënuar asnjë rezultat konkret“, thotë Bojan Mariçiq nga qendra maqedonase për edukim evropian.

Ndërkohë, Bekim Kadriu, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare, thotë se vendi jo vetëm që nuk ka shënuar përparim në këto sfera, por madje është shënuar kthim prapa në përmbushjen e agjendës evropiane.

Ai, megjithatë nuk pret që Maqedonia të humb rekomandimin, pasi Bashkimi Evropian edhe më tej do të vazhdoj me presionet për realizimin e reformave.

“Duket qartë dhe është konstatuar se Maqedonia në këtë periudhë nuk ka vazhduar në mënyrë efikase me përmbushjen e reformave në fushat përkatëse, përkundrazi, është konstatuar se ka kthim prapa, apo regres, andaj edhe Samitit i BE-së, nuk jep asnjë shpresë për Maqedoninë".

"Unë nuk mendoj se në këtë samit do të vendoset që Maqedonisë ti merret statusi që e ka momentalisht. Mendoj se kjo do të lihet për ndonjë periudhë të ardhshme dhe normalisht se shtetet anëtare të BE-së do të do të instistojnë nga Maqedonia të përmbush reformat, zgjidhjen e kontestit me Greqinë, problemet që i ka me Bullgarinë, e kështu me radhë“, thotë Bekim Kadriu.

Nga ana tjetër, Bojan Mariqiç, njohës i çështjeve evropiane, si shqetësues sheh edhe faktin se pushteti, sipas tij, përmes formave të ndryshme tenton që të minimizoj kritikat e BE-së në procesin e integrimit dhe si pasojë qytetaret mbeten të pa informuar me problemet që realisht përballet vendi.

“Qytetarët shumë pak janë të informuar për atë se çfarë po ndodhë në BE, apo se çfarë po diskutohet për Maqedoninë. Kjo ndodhë për shkak se kështu dëshiron qeveria, e cila publikon vetëm ato informacione që asaj i konvenojnë dhe rol në këtë kanë mediat që tashmë janë në shërbim të saj".

"Kur ka fjalë të mira për Maqedoninë ato publikohen, por kur ka kritika ato fshihen apo minimizohen. Kështu besoj se do të jetë edhe në të ardhmen, por mendoj se rol më aktiv në informimin e qytetarëve duhet të kenë faktorët e tjerë, si shoqëria civile, e kështu me radhë, pasi nëse vazhdon terri informavit, tek qytetarët mund të paraqiten frustracione për gjoja raport jo korrekt të BE-së ndaj Maqedonisë“, thotë Bojan Mariçiq nga qendra maqedonase për edukim evropian.

XS
SM
MD
LG