Ndërlidhjet

Priten sanksione të reja kundër Rusisë


Disa rubla ruse dhe një dollar amerikan
Disa rubla ruse dhe një dollar amerikan

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti amerikan, Barack Obama, deri në fund të kësaj jave, pritet ta nënshkruajë legjislacionin për implementimin e sanksioneve të reja kundër Rusisë, lidhur me rolin e saj në Ukrainë.

Të dy dhomat e Kongresit e kanë miratuar legjislacionin me të cilin autorizohen sanksione të reja kundër industrisë së mbrojtjes dhe të energjisë së Rusisë, përfshirë kompaninë eksportuese Rosoborexport, dhe investitorët në projektet e saj të teknikës së lartë për naftë.

Aty është edhe autorizimi – por që nuk kërkohet teknikisht – për dispozitën në vlerë prej 350 milionë dollarësh për pajisje për ushtrinë e Ukrainës,përfshirë armatime anti-tank, municion dhe aeroplanë pa ekuipazh për vëzhgim.

Megjithatë, kjo është shumë më pak se sa ka kërkuar qeveria e Ukrainës, e cila ishte në favor të furnizimit me armatim vdekjeprurës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, duke folur para gazetarëve në Uashington, theksoi:

“Presidenti synon ta nënshkruajë pjesën e legjislacionit që ka kaluar në Kongres, por ne kemi disa shqetësime për këtë legjislacion, pasi derisa e ruan fleksibilitetin, ai dërgon mesazh konfuz tek aleatët, meqë e përfshinë edhe një terminologji të sanksioneve, e cila nuk reflekton me konsultimet që po zhvillohen”, tha Josh Earnest.

Ky zhvillim po ndodhë në periudhën kur sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, në Londër tha se Rusia ka bërë “lëvizje konstruktive” gjatë ditëve të fundit ndaj konfliktit në Ukrainë.

Megjithatë, ai është shprehur për qëllimin e sanksioneve.

“Sa u përket sanksioneve, qëllimi i përpjekjeve të evropianëve, amerikanëve dhe të tjerëve, ishte që ta bëjnë të qartë për Rusinë, për presidentin Putin, se ka çmime që u bashkohen aneksimit të njëanshëm të Krimesë dhe vazhdimit për mbështetjen e separatistëve brenda Ukrainës dhe për shkeljen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Sanksionet janë ndërmarrë për këtë”, tha John Kerry, dhe ka shtuar se perëndimi nuk ka për qëllim “ta dëmtojë popullin e Rusisë".

Ai është shprehur se sanksionet perëndimore “mund të tërhiqen brenda javëve ose ditëve, varësisht se çfarë zgjidhjesh merr presidenti Putin”.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se Uashingtoni po e ndjek rënien e vlerës së rublës ruse, që sipas tij, po ndodhë për shkak të sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe nga rënia e çmimeve të naftës.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ka “arsye shumë serioze” për të menduar se sanksionet perëndimore kanë për qëllim ndryshimin e regjimit në Moskë.

Ai ka theksuar se sanksionet shkaktojnë “dhembje” dhe se Moska “nuk ka kurrfarë kënaqësie” nga ato.

Por, zoti Lavrov është shprehur:

“Mund t’ju siguroj se Rusia jo vetëm që do të mbijetojë, por nga kjo do të dalë më e fortë. Ne kemi qenë në situata shumë më të këqija në historinë tonë dhe çdoherë nga këto vështirësi ne kemi dalë më të fortë”, i tha zoti Lavrov televizionit France 24.

Lavrov tha se është “optimist i kujdesshëm” për gjasat për paqe në Ukrainë, por siç ka transmetuar agjencia ruse e lajmeve Interfax, ai njëherësh ka theksuar se derisa Moska është në favor të asaj që Ukraina ta ruajë integritetin e saj territorial, tash Kievi duhet ta pranojë Krimenë si pjesë e Rusisë.

Por, gjatë vizitës në Bruksel, për takime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, tha se Krimeja është pjesë e Ukrainës dhe ka shprehur shqetësime se Rusia mund të vendosë armatim atomik në këtë gadishull.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG