Ndërlidhjet

47 vjet burgim për të akuzuarit në rastin e pasaportave


Ilustrim
Ilustrim

Misioni EULEX, përmes një kumtese të lëshuar, ka bërë me dije se një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë vendas dhe ndërkombëtarë në Gjykatën Themelore të Prishtinës i ka dënuar tetë të pandehur në rastin e njohur si “rasti i pasaportave”.

EULEX ka njoftuar se të akuzuarit janë shpallur fajtorë për veprën penale të krimit të organizuar që ndërlidhet me veprën penale të pastrimit të parave, për veprën penale të pranimit të mallrave të vjedhura, ndërsa e pandehura kryesore edhe për veprat penale shkelje e besimit dhe shmangie nga tatimi.

Me aktgjykimin e shqiptuar të enjten në Prishtinë, e pandehura kryesore në këtë rast, e cila mësohet se është Natali Velija, është dënuar me dymbëdhjetë vjet burgim dhe me gjobë prej 25 mijë eurosh, i pandehuri F.B. është dënuar me 11 vjet burgim dhe me 25 mijë euro gjobë, i pandehuri B.B., është dënuar me pesë vjet burgim dhe me 5 mijë euro gjobë, i pandehuri E.D. është dënuar me tëtë vjet burgim dhe me një gjobë prej 20 mijë eurosh, i pandehuri I.F. është dënuar me pesë vjet burgim dhe me një gjobë prej 8 mijë eurosh, i pandehuri N.T. është dënuar me burg prej katër vjetësh dhe me një gjobë prej 8 mijë eurosh, si dhe të pandehurit J.B. dhe S.S. janë dënuar me nga një vjet burgim si dhe të dy me gjoba prej 5 mijë eurosh.

Përveç dënimeve me burgim dhe me gjoba, gjykata ka vendosur që të konfiskojë pasurinë e disa të pandehurve në mesin e të cilave edhe dy banesa dhe pasuri të tjera, me një vlerë të përgjithshme prej 372 mijë eurosh.

Shtetasja gjermane Natali Velija është arrestuar në Kosovë në nëntor të vitit 2012. Ajo në Kosovë e ka drejtuar kompaninë “Consulting EU Sh.p.k.”. Kjo e fundit kishte qenë nënkontraktuese e firmës austriake OeSD e cila në Kosovë kishte fituar tenderin për prodhimin e pasaportave biometrikë.

Paratë që Ministria e Punëve të Brendshme ia ka përcjellë kompanisë së Velijajt për pagesë të pasaportave tek firma austriake, Velija dyshohet se i ka shmangur.

Ajo ishte arrestuar për keqpërdorimin e 1.4 milion eurove që ishin dedikuar për pagesën e pasaportave biometrike.

XS
SM
MD
LG