Diplomatët perëndimorë në Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar Iranit që të jetë më fleksibil në bisedimet me fuqitë perëndimore, në lidhje me programin bërthamor të Republikës Islamike.
Diplomati i lartë francez, Philippe Bertoux, i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Irani duhet të bëjë “zgjedhje strategjike dhe vendime të guximshme”.
Diplomati i lartë britanik, Michael Tatham, ka kërkuar nga Irani që të jetë më fleksibil, ndërsa zëvendësambasadori i Shteteve të Bashkuara, David Pressman, ka thënë se Uashingtoni nuk do të bisedojë me iranianët për kohë të pakufizuar dhe pa rezultate.
Komentet pasojnë negociatat e kësaj jave në Gjenevë midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se Teherani nuk synon krijimin e armës atomike.