Ndërlidhjet

logo-print

Mustafa: Dialogu me Serbinë të garantojë qëndrueshmëri


Isa Mustafa

Isa Mustafa

Themelimi i Gjykatës Speciale nuk do të jetë i lehtë, por Kosova do ta kaloj edhe këtë sfidë, ka deklaruar kryeministri Isa Mustafa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Në këtë intervistë, Mustafa flet edhe në lidhje me takimin e tij të parë me kryeministrin serb, Vuçiq, problemin e vazhdueshëm me migrimet ilegale të qytetarëve të Kosovës dhe sfidat me Listën Serbe në procesin e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, duke iu referuar deklaratave të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini, gjatë janarit do të zhvilloni takimin e parë me homologun tuaj nga Serbia, Aleksandar Vuçiq. Cilat janë pritjet e juaja nga ky takim?

Isa Mustafa: Mendoj që duhet të jetë një takim më tepër njoftues në këtë fazë në të cilën edhe do të hapet agjenda e çështjeve të cilat do të diskutohen në periudhën e ardhshme, sidomos gjatë këtij viti. Unë, qeveria dhe parlamenti i Kosovës duhet të jemi të njoftuar me temat që do t’i trajtojmë në Bruksel me Serbinë në nivel të dy kryeministrave.

Qëllimi ynë është që dialogu të shkojë përpara, që dialogu të jetë konstruktiv dhe që nga dialogu të dalin rezultate të cilat pastaj do të mund të zbatohen. Ne dëshirojmë që edhe profili i dialogut si edhe përmbajtja dhe kornizat e dialogut të jenë të tilla që të garantojnë qëndrueshmëri që mos të vijmë në situatë që njëherë të dialogojmë dhe të merremi vesh në Bruksel dhe pastaj të ulemi së dyti dhe të dialogojmë se si të zbatohen marrëveshjet që arrihen në Bruksel, por që të arrijmë deri te marrëveshjet që mund të zbatohen pa probleme.

Radio Evropa e Lirë: Marrë parasysh që ky proces ka filluar më herët, në cilat fusha konsideroni se do të ketë nevojë, kushtimisht thënë, të intervenohet më me urgjencë në këtë fazë të dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

Isa Mustafa: Ka shumë fusha të cilat janë të nivelit teknik për të cilat zonja Tahiri ka qenë në Bruksel dhe vazhdon të jetë edhe më tutje. Ne tash do ta bëjmë regjistrimin e atyre çështjeve. Jemi marrë vesh që të ulemi këtu dhe të shohim se cilat çështje në çfarë fazë kanë mbetur.

Janë marrëveshje të arritura në vitin e kaluar dhe tash presin të implementohen sa i përket strukturave të mbrojtjes civile në veri të vendit, të cilat natyrisht që duhet të zhbëhen. Sa i përket Asociacionit të Komunave, ai duhet të definohet qartë dhe të shihet se si të implementohen, mirëpo implementimi duhet të bëhet në harmoni me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

Po ashtu edhe çështje tjera për të cilat ne jemi marrë vesh t’i listojmë në qeveri dhe të shohim se në ç’fazë kanë mbetur dhe aty ku kanë mbetur të vazhdojnë tutje.

Radio Evropa e Lirë: Sa mund të jetë sistemi i drejtësisë në veri si më sfidues në këtë fazë, pasi që atje ka një sistem paralel që ende funksionon?

Isa Mustafa: Mendoj se është një angazhim sa i përket sistemit të drejtësisë edhe nga faktori ndërkombëtar i cili është këtu në Kosovë. Gjatë këtyre takimeve që i kam zhvilluar me ambasadorët e të gjitha vendeve dhe OSBE-në në Kosovë është shprehur gatishmëria dhe interesimi i tyre që të përkrahemi në këtë aspekt dhe të funksionalizohen gjykatat në veri të vendit.

Natyrisht në bazë të ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës. Mendoj se është sfiduese kjo, por është një hap shumë i rëndësishëm që kishte me vënë në vend drejtësinë edhe atë në rrafshin ligjor të gjithë Kosovës që ne duhet ta bëjmë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, krahas dialogut me Serbinë, nga diplomatët ndërkombëtar në vazhdimësi është përmendur edhe zbatimi i obligimit që ka marrë Kosova për themelimin e Gjykatës speciale për krimet e luftës. E konsideroni si sfidues gjithë procesin e infrastrukturës ligjore dhe vendimin për themelimin e kësaj Gjykate?

Isa Mustafa: Mendoj se është sfidë, sepse nuk është çështje shumë e lehtë që të bëhet një gjë e tillë. Mirëpo unë mendoj që një pjesë të kësaj sfide ne e kemi kapërcyer në Kuvend në mandatin e kaluar sepse e kemi një pëlqim të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të themelohet Gjykata Speciale.

Tani kanë mbetur që vetëm dokumentet e kësaj Gjykate të aprovohen në Kuvend, ligji e tjera. Unë kam njohuri se ligji është në përgatitje e sipër dhe në momentin kur të jetë i gatshëm ne do ta shqyrtojmë në qeveri. Shpresoj që qeveria do ta aprovojë atë dhe procedojë në kuvend dhe natyrisht që edhe kuvendi karshi asaj që është vendosur në mandatin e kaluar do ta miratoj një ligj të tillë.

Është sfidë jona, për shkak se për herë të parë një gjykatë do të gjykojë jashtë vendit për disa veprime të cilat janë konstatuar në raportin e Uilliamsonit. Mirëpo mbetet një sfidë që ne duhet ta pranojmë si të tillë edhe si qeveri, edhe si qytetarë të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Prisni që të ketë rezistencë ndaj rasteve që mund të përfshijnë proceset nga kjo Gjykatë?

Isa Mustafa: Mendoj se nuk duhet të ketë rezistencë dhe nuk pres që të ketë rezistencë të tillë. Sepse gjëja më e mirë është që çështjet të zbardhen, trajtohen, të gjykohen dhe të mos mbeten hipotekë as ndërkombëtare ndaj njerëzve këtu, po as hipotekat vendorëve ndaj individëve të caktuar për veprat e tyre.

Mendoj se kjo do t’i kontribuonte edhe njerëzve të cilët mund të jenë subjekt i shqyrtimit të kësaj gjykate, por edhe Kosovës në mënyrë që ne t’i trajtojmë këto çështje, t’i zbardhim dhe qesim njëherë pas shpine pa marrë parasysh që individë të caktuar mund të kenë konsekuenca, pasoja nga kjo.

Mirëpo, në qoftë se kemi pasur veprime të tilla që janë të dënueshme dhe të papranueshme në pikëpamje edhe të drejtës vendore edhe ndërkombëtare, natyrisht që secili duhet t jap përgjegjësi për sjelljet e tij pa marrë parasysh se në çfarë kohe ato kanë ndodhur.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni marrë postin e kryeministrit në kohën kur kemi parë një fluks të qytetarëve të Kosovës të largohen nga vendi. Çfarë mund të bëj qeveria juaj për kthimin e shpresës tek qytetarët që të qëndrojnë në Kosovë dhe të mos e shohin migrimin ilegal si zgjidhje?

Isa Mustafa: Mendoj që është detyrë e jona, jo vetëm e qeverisë por edhe e të gjitha institucioneve të Kosovës dhe e shoqërisë civile që të krijojmë ambient dhe bindje që njerëzit nuk duhet të shkojnë dhe kërkojnë shpëtim e zgjidhje jashtë Kosovës. Ne këtë shtet e kemi bërë që njerëzve tanë t’u sigurojmë kushte të jetesës, t’u sigurojmë vende pune, që ata të sigurojnë jetën e tyre brenda Kosovës dhe këtë duhet ta bëjmë.

Me programin qeverisës jemi përcaktuar që prioritet themelor t’i japim zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Prioritet i japim shtetit ligjor dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që mendoj se këto dyjat janë të rëndësishme dhe korrespondojnë njëra me tjerën.

Prandaj do të mundohemi maksimalisht që të punojmë në fushën e ekonomisë, në tërheqjen e investimeve të jashtme, në subvencionimin e bujqësisë dhe degëve tek të cilat mundemi më shpejt ta hapim vende pune në përkrahjen e biznismenëve vendore - ndërmarrjeve të vogla e të mesme në vend në mënyrë që ato të jenë konkurrente në tregun e brendshëm e të jashtëm.

Po ashtu duhet t’i informojmë qytetarët se shpëtimin nuk mund ta kërkojnë jashtë as në Austri, Hungari, as në Gjermani, Zvicër e as në vendet nordike e tjera, sepse askush nuk do t’u jap azil njerëzve tanë atje. Ata vetëm po bëjnë shpenzime dhe po përfitojnë nga ta matrapazët dhe ndërmjetësuesit e ndryshëm. Jemi të vetëdijshëm për problemet që i kanë qytetarët, por jemi të vetëdijshëm që këto probleme nuk mund të zgjidhen në këtë rrugë.

Radio Evropa e Lirë: Po si mund të ndalet ky trend i largimit – me siguri që jo me dhunë?

Isa Mustafa: Ne me dhunë nuk do ta ndalojmë. Natyrisht që të gjitha ministritë duhet ta bëjnë punën e vet, edhe Ministria e Brendshme po e bën të vetën në mënyrë që të bashkërendis veprimet edhe me faktorin ndërkombëtar. Por assesi që të përdorë dhunë sepse lëvizja e qytetarëve është e lirë dhe ne nuk mundemi të sillemi në mënyrë joligjore e arbitrare ndaj kësaj dukurie.

Por, mendoj se më tepër në këtë aspekt duhet të punohet përmes medieve, institucioneve që t’u japim më shumë informata qytetarëve që pretendojnë të shkojnë, sepse nuk janë vetëm ata që sot duan të dalin jashtë dhe kërkojnë punë, ka edhe të atillë që kanë marrëdhënie pune në sektorin privat apo publik mirëpo dëshirojnë t’i shfrytëzojnë këto rrugë për të dalë jashtë vendit.

Por, mendoj se zgjidhja e këtij problemi është edhe liberalizimi i vizave sepse ne kemi mbetur i vetmi vend i izoluar në Evropë nga i cili do të përfitonin të gjithë qytetarët dhe ata do të lëviznin lirë nëse kanë dëshirë të shkojnë në Gjermani, Zvicër e vende tjera e të shohin se cilat janë mundësitë e tyre atje dhe kur këto mundësi nuk i gjejnë të kthehen këtu.

Radio Evropa e Lirë: Sa kanë institucionet e Kosovës kapacitete që t’i përmbushin kriteret evropiane për liberalizim. E dëgjuam Presidenten në fjalimin e saj para Kuvendit se Kosova nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga Brukseli?

Isa Mustafa: Mendoj se kriteret është vështirë të përmbushen të gjithat. Edhe vendet e tjera nuk i kanë përmbushur të gjithat, mirëpo janë toleruar sepse është parë më e rëndësishme që ata të inkuadrohen në këtë zonë sesa që të mbeten të izoluar. Mendoj se edhe ndaj nesh nuk duhet të stërhollen tepër kriteret por të kërkohen ato kritere të cilat ne jemi në gjendje t’i përmbushim.

Kjo qeveri do të bëjë maksimumin që të përmbushen kriteret që ka kërkuar Bashkimi Evropian, por ne kërkojmë mirëkuptim nga BE-jaqë të na mundësohet që ne të kapërcejmë këtë fazë në mënyrë që të fillojmë t’i zgjidhim problemet dhe të kemi arsye para qytetarëve tanë të kërkojmë edhe përmbushje të kritereve tjera sesa që çdo herë të na vihet edhe nga një kusht në mënyrë që t’i kapërcejmë këto barrikada të cilat i kemi në këtë proces.

Radio Evropa e Lirë: Në qeverinë tuaj, sikurse edhe në ato parapraket, ka edhe përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe e cila është formuar nga Beogradi. Sa prisni që kjo Listë të tregojë konstruktivitet në vendimet që kanë të bëjnë me themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe të ngjashme?

Isa Mustafa: Mendoj se është mirë që ata janë brenda qeverisë dhe që janë kyçur në institucionet e Republikës së Kosovës. Unë mendoj që të gjithë ne duhet të jemi më të kujdesshëm ndaj tyre në mënyrë që ata të mos i largojmë dhe të mos u japim vlerësime shumë të rënda të cilat na e pamundësojnë që ne të kemi bashkëpunim me ta.

Në kontaktet që deri më tani i kam pasur edhe me Listën Serbe, ministrat dhe zëvendëskryeministrin kam vërejtur sjellje konstruktive dhe interesim të tyre që të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve. Ne nuk mundemi tash që ata t’i detyrojmë të flasin siç flasim ne apo që ata të mendojnë siç mendojmë ne, por është me rëndësi që ata janë kyçur dhe janë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe do të jenë pjesë e vendimmarrjes.

Në këtë vendimmarrje çdonjëri prej tyre si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës do të vendos në bazë të qëndrimeve individuale. Nuk mund të them se nuk do të jenë të ndikuar edhe nga Beogradin, por janë disa çështje të cilat ne mund t’i kapërcejmë së bashku me ta.

Janë disa çështje të cilat ne duhet t’i diskutojmë së bashku me ta edhe tek Ligji për Forcat e Armatosura dhe te ligjet e tjera të cilat i prekin komunitetet, por megjithatë edhe përkundër sfidave që mund t’i kemi unë jam i bindur që është mirë që janë pjesë e qeverisë, e kuvendit të Republikës së Kosovës dhe për herë të parë ne kemi në Kuvend edhe qeveri nga i tërë territori i republikës, përkatësisht edhe nga komunat në veri të vendit me të cilat kemi pasur gjithmonë probleme.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG