Ndërlidhjet

logo-print

Në Kosovë, jetojnë rreth 4 mijë persona të verbër, apo me shikim të dobësuar.

Sipas Daut Tishuki, drejtor i Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, vetëm një për qind e tyre janë të punësuar.

"Në përgjithësi punësimi në Kosovë është problematik, e kur bëhet fjalë për personat e verbër, kjo dukuri bëhet edhe më e vështirë. Persona të verbër janë shumë pak të punësuar. Nga numri i përgjithëshëm i personave të verbër rreth një për qind e tyre janë të punësuar".

Zoti Tishuki jep edhe hollësi të tjera, rreth asaj se në çfarë lëmie janë kryesisht të punësuar personat e verbër.

"Një numër i vogël është i punësuar si fizioterapeut, pasi që kanë mbaruar shkollën e mesme në këtë lëmi. Ka pasur edhe persona të verbër që kanë punuar si telefonistë, por me ndryshimin e teknologjisë në këtë fushë, kanë mbetur vetëm 2 ose 3 persona të punësuar".

"Një numër shumë i vogël është i përfshirë në sistemin arsimor, do të thotë që kanë kryer fakultet dhe janë të përfshirë në kuadër të Ministrisë së Arsimit nëpër shkolla", ka shtuar ai.

Përpos vështirësive për tu punësuar që këta persona ballafaqohen, është edhe mos zbatimi i Ligjit për personat e verbër, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës, e që nuk po gjen zbatim.

Mexhit Foniqi, kryetar i shoqatës së të verbërve të Kosovës, thekson se mungesa e udhëzimeve administrative, ka krijuar këtë situatë.

"Mungesa e akteve nënligjore, gjegjësisht udhëzimeve administrative, ku zyra për qeverisje të mirë në kuadër të kryeministrisë ka qenë e obliguar që në afat prej gjashtë muajsh nga miratimi i ligjit të bëjë miratimin e akteve nënligjore, mirëpo fatkeqësisht vetëm Ministria e Punës që ka bërë rregulloren për funksionalizimin e komisionit mediko- social, deri tash asnjë udhëzim administrativ tjetër nuk është bërë, dhe personat e verbër nuk i gëzojnë ato benificione qëju takojnë me ligj".

Por, zoti Foniqi përmend edhe premtimet e Minsitrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për kompensimin e një shume parash që, ky institutcion u ka mbetur borxh personave të verbër, e që siç thotë ai, do të kompensohet.

"Duke filluar nga muaji dhjetor i vitit 2014, premtimet dhe garancionet e dhëna nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, se ligji për personat e verbër gjejgësisht pagesa e kompensimit për personat e verbër do të realizohet në shumën 70 për qind, i mbetur borxh nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, çka mendoj se do ti përmbush nevojat e këtyre personave".

"Shuma prej 100 eurosh që do të duhej tu jepej personave të verbër çdo muaj, do të kompensohet tani, dhe çdo qytetar i verbë rdo t'i merr dikund rreth 1 000 euro", ka theksuar Foniqi.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë thënë se është punuar shumë në aftësim profesional të personave të verbër dhe atyre me shikim të dobësuar.

Ata kanë deklaruar se si ministri, kanë marrë iniciativë që të verbrit të përfitojnë prej projekteve të këtij institucioni për aftësim profesional dhe punësim.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG