Ndërlidhjet

logo-print

Vetëm përmes krijimit të vendeve të reja të punës, Kosova mund të ndalojë migrimin e paligjshëm të qytetarëve të Kosovës, të cilët gjatë muajve të fundit po largohen nga vendi në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Megjithatë, krijimi i vendeve të reja të punës, sipas tyre, nuk mund të arrihet në një periudhë të shkurtër kohore, kur dihet se ekonomia nuk ka qenë deri më tani asnjëherë prioritet nacional i Qeverisë së Kosovës.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se institucionet e vendit duhet ta kenë të qartë se shkaktar kryesor i largimit të popullatës nga Kosova është papunësia dhe varfëria si dhe mungesa e informacioneve për realitetin që ekziston në Bashkimin Evropa sa i përket azil kërkuesve.

“Këto duhet të jenë dy fokuset kryesore të qeverisë. E para ne duhet t’i largojmë shkaqet të cilat po i nxisin sidomos të rinjtë që të largohen drejt vendeve të BE-së, nëpërmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe e dyta duhet të bëjmë një fushatë sensibilizuese dhe informuese dhe t’i tregojmë atyre realitetin që është në BE”, vlerëson Gashi.

Së fundmi autoritetet në Kosovës kanë alarmuar për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të cilët po e lëshojnë vendin.

Ata iu kanë bërë edhe thirrje qytetarëve që të mos largohen nga Kosova. Derisa, përfaqësuesit e ambasadave të vendeve evropiane në Kosovë kanë ritheksuar se nuk ka azil për qytetarët e Kosovës.

Ambasadorët e shteteve si Gjermania dhe Austria kishin theksuar se do të përkrahin Kosovën në projekte të caktuara që gjenerojnë punësim në vend dhe që krijojnë mirëqenie më të mirë për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që këta të fundit mos ta lëshojnë vendin.

Ata, po ashtu ata kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të luftojnë korrupsionin në mënyrë që Kosova të bëhet një vend tërheqës për investitorët e huaj.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime dhe Studime “STRAS”, për Radion Evropa e Lirë, thekson se për një periudhë afatshkurtër është e padrejtë të kërkohet nga qeveria e re që të bëjë diçka për zgjidhjen e këtij problemi.

Papunësia dhe varfëria, shton Rexhepi, nuk janë çështje që zgjidhen brenda një kohe të shkurtë, ky është një plan afatgjatë, ku duhet të faksohet Qeveria e Kosovës.

“Papunësia në Kosovë e ka një historik shumë të gjatë dhe problemet e ekonomisë janë të ndërlikuara gjë që e pengojnë qeverinë që të reagojë dhe të jep efektin, por gjithsesi duhet një strategji më e qëndrueshme ekonomike. Orientimi duhet të jetë jo aq shumë në rritjen e investimeve publike se sa që duhet të jetë forcimi i sektorit privat”, shton Rexhepi.

Sa i përket prioriteteve se ku duhet të orientohen politikat e qeverisë për rritjen e punësimit, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi thekson se janë dy sektorë të cilët me një kosto më të ulët mund të gjenerohen vende të reja të punës.

Këta sektorë, sipas Gashit, janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sektori i bujqësisë.

“Tani është mirë që pika kryesore të Qeverisë se re të Kosovës jetë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, por duhet të presim nga qeveria e re që të kalojnë 100 ditët e para dhe të shohim se a janë marrë masat adekuate për të bërë përparime në këtë aspekt”, shprehet Gashi.

Ndryshe, Kosova ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë.

Nga 1.2 milion forcë punëtore, Kosova ka të punësuar vetëm 300 mijë sosh, pjesa e mbetur janë ose të papunë ose jo aktivë.

Këto norma alarmante të papunësisë prekin sidomos popullsinë e re të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG