Ndërlidhjet

logo-print

Buxheti i vitit të ardhshëm nuk zvogëlon varfërinë


Projekt-buxheti për vitin e ardhshëm nuk premton përmirësim të asistencës sociale për familjet që marrin këtë ndihmë, pasi shuma e ndarë nga projekt buxheti për vitin 2015 është e njëjtë më këtë vit, thonë zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Nga 1 miliard e 576 milionë euro sa parashihet të jetë buxheti për vitin e ardhshëm, 310 milionë euro janë dedikuar për Ministrinë e Punës se Mirëqenies Sociale.

Nga kjo vlerë, vetëm 27.2 milionë euro janë ndarë për asistencë sociale, shumë kjo që ka qenë në dispozicion edhe gjatë këtij viti.

Për këtë skemë nuk ka pasur rritje të shumtë buxhetore që nga viti 2009, thotë Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ai thotë se ministria është duke bërë përpjekje që shuma e asistencës sociale të harmonizohet më shportën ushqimore.

“Kur dihet se çmimet kanë 'fluturuar' nga viti 2009 e deri më tash, unënuk dua të shpreh në përqindje sepse duhet Agjencia e Statistikave të Kosovës ta thotë këtë. Por, ne e dimë saktë se nuk jemi duke paguar ndihmën sociale mbështetur në ngritjen e çmimeve që kanë ndodhur pas vitit 2009”, thekson Gjocaj për Radion Evropa e Lirë.

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare janë rreth 30 mijë familje me mbi 120 mijë anëtarë që janë të përfshirë në asistencë sociale.

Varësisht nga numri i anëtarëve të familjes dhe kushtet ekonomike të tyre shuma e mjeteve që këto familje marrin është prej 40 deri në 80 euro në muaj.

Në anën tjetër ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se ndarja e vlerës së njëjtë buxhetore për këtë vit dhe vitin e ardhshëm për kategoritë në asistencë sociale, shuan shpresat për këtë kategori të shoqërisë për një përmirësim eventual të mirëqenies së tyre.

Isa Tahiri, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, konsideron se autoritetet kompetente mund të përmirësojnë mirëqenien sociale të kësaj kategorie, pasi sipas tij, me të njëjtin buxhet padrejtësisht po pasurohen zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës e po varfërohen kategoritë të tjera.

“Bazuar më të njëjtën vlerë, me të njëjtën sasi të mjeteve monetare të cilat janë ndarë si në vitin e tashëm dhe vitin e ardhshëm, nënkuptohet se nuk do të ketë ndonjë përparim, sukses, ndonjë të arritur në të mira materiale sa i parket kësaj kategorie”, thekson Tahiri.

Megjithatë, Tahiri konsideron se qeveria ka mundësi që të përmirësojë kushtet për shtresat në nevojë nëse merr masa për të reduktuar shpenzimet e tyre.

“Gjasat janë shumë të ulëta, qeveria në mënyra tjera ka mundësi që të rrisë buxhetin, duke luftuar ekonominë joformale, duke forcuar kontrollet në dogana. Dhe ajo që është më e rëndësishme për mua, duke zvogëluar harxhimet e kota në kuadër të qeverisë me këtë numër të madh ministrish, të zvogëlohen shpenzimet siç janë për vetura luksoze dhe karburante”, shprehet Tahiri.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, varfëria ekstreme e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me 5 dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG