Ndërlidhjet

Projektligji për buxhetin kalon fazën e parë


Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2015.

Me 73 vota për dhe 22 kundër, projektbuxheti për vitin e ardhshëm e ka kaluar leximin e parë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, para ligjvënësve ka premtuar se me buxhetin e propozuar do të bëhen reforma në ekonomi.

Ai ka thënë se do të ndryshojnë ekonominë kosovare, ku nga një ekonomi që varet nga sektori publik, kontribut më të madh të ketë sektori privat, si gjenerator i rritjes ekonomike.

Kryeministri Mustafa ka thënë se rritja buxhetore për vitin 2015 pritet të jetë mbi 4 për qind.

Në vitin 2015 me vlerësimet e tanishme ne presim që ekonomia e vendit të ketë një normë vjetore të rritjes prej mbi 4%. Në këndvështrimin afatmesëm kjo normë e rritjes pritet të jetë edhe më e lartë si rezultat i reformave substanciale që qeveria planifikon të ndërmarr gjatë vitit 2015”, tha Mustafa.

Kurse sa i përket rritjes së pagave, në buxhet është përfshirë rritja e pagave që ka ndodhur në muajin prill të këtij viti, kurse rritjet tjera eventuale, siç tha Mustafa, do të shqyrtohen gjatë vitit në harmoni me mundësitë buxhetore.

Nga ana tjetër, ministri i Financave Avdullah Hoti, derisa ka prezantuar në pika të shkurtra projektbuxhetin, tha se për shkak të afateve të ngushta ligjore dhe rëndësisë që ka ky projektbuxhet, nuk ka qenë e mundur të bëhet ndryshim në kufijtë buxhetor të shpenzimeve dhe të hyrave buxhetore, dhe as në shpërndarjen e tij nëpër kategori ekonomike.

Megjithatë, ministri Hoti ka thënë se pavarësisht afatit të ngushtë ligjor, do të bëhen përpjekje maksimale që të adresohen çështjet dhe nevojat që ka vendi.

“Këto kufizime nuk do të na ndalim që: të punojmë për të ndryshuar rrënjësisht ekonominë kosovare, nga një ekonomi që varet nga sektori publik, në një ekonomi ku gjenerator i rritjes ekonomike është sektori privat, të krijojmë mundësi të reja për bizneset e vogla dhe të mesme si gjeneratorë të vendeve të reja të punës dhe të ardhurave për mijëra familje”, tha Hoti.

Për dallim nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe shumicës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, që janë zotuar se do ta votojnë projektbuxhetin, deputetë nga opozita e kanë kundërshtuar dhe kanë thënë se nuk do të votojnë nëse nuk pëson ndryshime.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se krijimi i ministrive me buxhetin “qesharak” në një për qind, tregon dëshirën për rehati të individëve në pozita e pushtet, që do të shpenzohen për paga dhe jo investime.

“Kjo thjesht tregon se ato para do të përdorën thjesht për rroga të pushtetarëve e jo për ndonjë investim real, pra jo në të mirë të publikut. Ndërkaq, zhvillimi ekonomik dhe industrial, pra shtylla e punësimit është një ndër sektorët më të lënë pas dore, siç tregon edhe buxheti i shpërndarë për të, apo më mirë të themi buxheti që mungon për këtë”, tha Kurti.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, projektbuxhetin e prezantuar e ka quajtur dështim të qeverise se re.

Sipas tij, ky buxhet duhet të diskutohet në Kuvend dhe të përcillet për ndryshime.

“Ky është një buxhet i thellimit të varfërisë, papunësisë dhe prapambetjes së mëtejme ekonomike të Kosovës. Nëse e analizojmë strukturën e të hyrave të planifikuara me këtë projektbuxhet, po ashtu vërejmë se kjo qeveri nuk ka parapri sa një reformë fiskale, as të nevojshme për krijimin e klimës së biznesit dhe për thithjen e bizneseve vendore dhe të huaja”, tha Haradinaj.

Në mesin e kritikuesve, kishte edhe deputetë nga radhët e LDK-së.

Vjosa Osmani deputete nga ky subjekt politik tha se gjatë shqyrtimit të ligjit për buxhetin, si çdo vit tjetër, pyetja themelore është nëse ky buxhet siguron zhvillim ekonomik.

Ajo tha se e vërteta është se pavarësisht se çka fllitet, përgjigja e qytetarëve në këtë pyetje, është jo.

“Së paku kështu është perceptimi dhe nëse sot dikush thotë se ky perceptim është i parëndësishme mjafton të shikohen radhët e gjata të qytetarëve që bëhen gati për t'u larguar nga Kosova”, tha Osmani.

Vërejtjet e tyre lidhur me projektbuxhetin e i kanë dhënë edhe përfaqësuesit e komuniteteve pakicë, kryesisht ata Rom, Ashkali dhe Egjiptas që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Projektbuxheti për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 1 miliard e 576 milionë euro.

XS
SM
MD
LG