Ndërlidhjet

Disa mijëra qytetarë sot kanë protestuar para Qeverisë së Maqedonisë kundër ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me pagesën e kontributeve për çdo honorar të marrë, që tejkalon rrogën minimale në vend.

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Lidhja majtiste "Solidariteti", e cila në fokus ka të drejtat e punëtorëve, thanë se sot kanë dalë për të protestuar ngase zgjedhja ligjore e ofruar nga Qeveria do të varfërojë pjesën më të madhe të punëtorëve, të atyre që nuk mund të gjejnë punë të rregullt dhe detyrohen të punojnë me honorar për ekzistencën e tyre.

Protestuesit janë larguar nga Qeveria duke hedhur monedha në mënyrë simbolike, për siç thanë ata, ndaj haraçit që kërkon qeveria.

Ndryshimet ligjore të Qeverisë parashohin që 35 për qind e shumës totale të pagesës honorar, në rast se kalon vlerën prej 9.500 denarë, të shkojë për detyrimet ndaj shtetit, e cila pritet të hyjë në fuqi që nga një janari i vitit 2015.

Në rast të mosrespektimit të ligjit, gjobë prej 200 eurove do të marrin personat e papunë që marrin honorar, ndërsa gjobë prej 500-1000 euro do t’i shqiptohet obliguesit për pagesën e kontributeve vetë atij, i cili nuk do ta dorëzojë në Fondin për Sigurim Pensional kontratën e tij të punës.

XS
SM
MD
LG