Ndërlidhjet

Buxheti “social” i Kosovës


Prishtinë...
Prishtinë...

Buxheti i Republikës se Kosovës i parashikuar për vitin e ardhshëm nuk do sjellë zhvillim ekonomik por thellim të varfërisë, konsiderojnë ekspertët e çështjeve ekonomike.

Përderisa në leximin e parë të këtij projektbuxheti në Kuvendin e Kosovës, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti kanë premtuar se do të bëjnë reforma në ekonomi dhe një rritje ekonomike mbi katër për qind, që sipas ekspertëve kjo rritje nuk mund të kalojë 3.5 për qind.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2015 parashihet të jetë 1 miliard e 576 milionë euro.

Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e quan buxhetin më te keq, në krahasim me buxhetet e viteve tjera, pasi siç thotë ai, 58 për qind e shumës së përgjithshme buxhetore do të shpenzohen për paga dhe subvencione.

Kategori këto që nuk sigurojnë as zhvillim ekonomik por nuk premtojnë as ndryshim të politikave sa i përket punësimit apo investimeve.

“Buxheti i vitit 2015 është buxhet i pagave dhe subvencioneve apo buxhet i një anshëm duke sistemuar apo kënaqur vetëm apetitet e atyre që punojnë në sektorin publik dhe si dhe duke rritur rreth 35 për qind kategorinë e rasteve sociale, siç janë kategoritë sociale dhe kategoritë e dala nga lufta".

"Nëse shikohet struktura e ndarjes buxhetore Kosova nuk është një vend në orientim të djathë ashtu siç e dëshirojnë të klasifikohen dy partitë në koalicion, por është një qeverisje e majtë pasi pjesa e më e madhe e buxhetit shkon për subvencion dhe kategori sociale”, thekson Demi.

Sipas projektbuxhetit të prezantuar të hënën para deputetëve, buxheti për paga ka rritje prej 483 milionë euro në vitin 2014 në 549 milionë euro për vitin 2015, që reflekton kosto shtesë për tërë vitin të rritjes së pagave prej 25 për qind, që ka ndodhur në prill të këtij viti.

Kurse për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve është planifikuar të rritet nga 314 milionë euro sa ishte në vitin 2014, në 437 milionë euro në vitin 2015, që është rritje prej 39 për qind.

Nazmi Mustafa, rektor në Kolegjin e Menaxhmentit Internacional “Globus” thekson se buxheti për vitin e ardhshëm duhet të ketë një rol komplet tjetër nga buxheti i këtij viti.

Edhe Mustafa, nuk beson se me shumën e ndarë buxhetore mund të ketë përmirësim në mirëqenien e qytetarëve.

Në aspektin e zhvillimit ekonomik, Mustafa thekson se ekzekutivi i vendit duhet krijojë mundësi për zhvillimet e bizneseve private të cilat janë të ngufatur me tatime.

“Vlera e buxhetit prej 1 miliard e 576 milionë euro, them të vërtetën ne jemi shtet, por ai është një buxhet i një qarkullimi të një ndërmarrjeje të mesme në Evropë dhe nuk mundet që shoqëria jonë ose shteti një zhvillim ekonomik në bazë të një buxheti të tillë".

"Unë nuk shoh një rol të madh të buxhetit për vitin 2015 edhe pse mjaft zyrtarë japin deklarime të cilat, ti quajë ashtu dëshirojnë “të qetësojnë popullin” që të ketë zhvillim të përgjithshëm ekonomik në bazë të buxhetit të vitit në të cilin po hymë”, tha Nazmi Mustafa.

Investimet private, sipas projekt buxhetitpritet të rriten me një normë mesatare vjetore rreth 8. 6 për qind, në mënyrë që pjesëmarrja e tyre në Bruto Produktin Vendor të rritet nga 19 për qind në vitin 2014, në 21 për qind në vitin 2017.

Ndërkaq, shpenzime kapitale është planifikuar të jenë 470 milionë euro, pjesëmarrja e të cilave në shpenzimet e përgjithshme buxhetore mbetet 28 për qind.

XS
SM
MD
LG