Ndërlidhjet

Migrimi jolegal do të bllokojë liberalizimin e vizave


Raportet për migrimin jolegal të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian apo zonës Schengen janë shqetësuese dhe mund të ndikojnë negativisht në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, vlerësojnë ekspertët e integrimeve evropiane në vend.

Ata thonë se është jashtëzakonisht kontradiktore në qoftë se nga një vend që është në proces të liberalizimit të vizave të ketë ikje masive të qytetarëve drejt vendeve të zonës së Schengenit.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë se të dhënat flasin se mund të konsiderohet se ka ikje masive nga Kosova, për faktin se, sipas tij, brenda një dite, në Hungari, që i takon zonës Schengen, janë identifikuar si azilkërkues rreth 900 qytetarë të Kosovës dhe njëkohësisht rreth 800 qytetarë tjerë janë kthyer nga pikat kufitare të Kosovës.

“Në rastin e Kosovës, kur ajo gjendet në procesin e liberalizimit të vizave -do të thotë ende pa i liberalizuar vizat - dhe ka një ikje masive të njerëzve drejt vendeve të zonës Schengen dhe normalisht, këto ikje rezultojnë në aplikime për azil në vendet përkatëse të zonës Schengen, është indikacioni më negativ për Kosovën që mund t’i ndodhë në këto momente”, thotë Mazreku.

Profesor Mazreku, përkujton se përvojat e deritashme kanë treguar se madje edhe vendet që kanë marrë liberalizimin e vizave, sikurse Serbia dhe Maqedonia, pas kërkesave të shumta për azil nga qytetarët e këtyre vendeve në vendet e Schengenit, ato janë gjetur para situatave që çështja e rikthimit të vizave për ato vende të shqyrtohet seriozisht nga vendet e Bashkimit Evropian.

Mendim të ngjashëm ka edhe Emrush Ujkani, po ashtu, profesor i të Drejtës Evropiane. Raportimet për migrimet jolegale të qytetarëve të Kosovës do të kenë efekt tejet negativ në procesin e liberalizimit të vizave për vendin.

Sipas tij, indikator serioz se procesi mund të prolongohet, është edhe forcimi i lëvizjeve të djathta në shumë shtete anëtare të BE-së, të cilat kanë dalë hapur kundër lëvizjeve migruese në vendet e BE-së.

“Nuk besoj se shtetet anëtare, pushtetet apo vet institucionet shtetërore të këtyre shteteve anëtare do të veprojnë ndryshe, për krijimin e një destabilizimi të brendshëm në vendet e tyre. Me këtë rast, unë mendoj se është një element shumë i rëndësishëm, por që rëndësia e tij do të ketë efekt negativ në rastin për Kosovën dhe do të shohim se si do të vlerësohet nga Bashkimi Evropian”, shprehet Ujakni.

Profesor Ujkani ka shtuar se edhe në rast se Kosova përmbushë kriteret tjera për liberalizim të vizave dhe i mbetet vetëm problemi i ikjes së qytetarëve për të migruar në vendet e BE-së, kjo e fundit do ta frenojë regjimin e liberalizimit të vizave.

“Absolutisht po. Pa kurrfarë diskutimi, nëse vazhdon vala e lëvizjes në këtë formë, konsideroj se është pashmangshëm, nëse mbetët edhe vetëm ky kriter, ai do ta bllokoj mbarëvajtjen e procesit të liberalizimit të vizave”, thotë ai.

Ndryshe, sipas profesor Mazrekut, migrimi jolegal mund të parandalohet vetëm me zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për punësim, gjë që edhe është ndër kriteret e BE-së për liberalizim të vizave.

Sipas tij, po ashtu, stabiliteti politik dhe siguria juridike, do ta bënin Kosovën një vend normal, gjë që do ta ofronte afër zonës së sigurt për liberalizimin e vizave.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG