Ndërlidhjet

Probleme të shumta e kanë përcjellë shëndetësinë kosovare gjatë gjithë vitit 2014.

Përveç mungesës së barnave të listës esenciale, e cila që prej pas luftës nuk ka arritur asnjëherë të përmbushet tërësisht, cilësia e dobët e shërbimeve shëndetësore, mungesa e sallave të operacionit, edhe hetimet e zyrtarëve të lartë shëndetësorë, janë bërë ndër çështjet më problematike.

Me 9 tetor, nëntë persona janë arrestuar, gjatë një operacioni të zhvilluar në Prishtinë dhe në Pejë, me autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Njësiti për Krime Ekonomike nga Policia e Kosovës.

Ata dyshohet se “kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, me spitalet private: Internacional Medicine Hospital, me seli në Prishtinë dhe INTERMED sh.p.k. me seli në Prishtinë, pa shpallur fare tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Prokuroria ka ngritur dyshime edhe ndaj njerëzve që mbajtën poste të larta në shëndetësinë kosovare.

Nën hetime janë edhe Ferid Agani, ish-ministër i Shëndetësisë, Gani Shabani, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së shëndetësisë dhe Nijazi Gashi, ish-drejtor i QKUK-së.

Por, si i shohin profesionistët shëndetësorë zhvillimet e vitit që e lamë pas.

Sindikalistët e shëndetësisë mendojnë se arrestimet e zyrtarëve shëndetësorë kanë ndikuarnegativisht, si në reformën shëndetësore, po ashtu edhe në imazhin e vendit.

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës së Shëndetësisë, thotë se i gjithë sistemi shëndetësorë në Kosovë është i korruptuar.

"Gjitha ndodhitë që kanë ndodhur gjatë këtij viti në sistemin shëndetësorë normalisht që kanë ndikuar për së keqi në percepcionin e popullatës por edhe të tjerë. Nuk kemi raporte të mira as nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit sa i përket shëndetësisë".

"Unë besoj se opinioni është i vetëdijshëm që sistemi shëndetësor është i korruptuar dhe jo individi, pasi që individët mund të gjinden në lajthitje, derisa sistemi është i korruptuar. Konsideroj se ky vit po përmbyllet prapë si vitet e kaluara, me akuza, përndjekje të ndryshme, e mos të them me degjenerim total të sistemit shëndetësor", thotë Syla.

Derisa udhëheqësi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla i ka thënë Radios Evropa e Lirë se duhet punohet shumë, në mënyrë që të përmirësohet imazhi i shëndetësisë kosovare.

"Si në çdo vend skandalet kanë ndikim negativ në opinion dhe mund të krijojnë një mosbesim të sistemit shëndetësor. Ngjarjet që kanë ndodhur në vitin që po e lëmë pas, normal që kanë pasur ndikim negativ dhe kjo ndikon po ashtu që duhet të bëhet një angazhim më i madh që të kthehet besimit te qytetarët në shëndetësinë kosovare", tha Syla.

Ai ka përmendur edhe faktin se përpos kërkimit të mitos nga ana e profesionistëve shëndetësorë, edhe vetë qytetarët në një hulumtim të bërë, kanë qenë të gatshëm të japin mito për marrjen e shërbimeve shëndetësore në sektorin publik.

"Rreth 4 për qind të personave që kanë qenë duke u trajtuar në spitale të Kosovës kanë raportuar se iu është kërkuar mito. Por shqetësuese mbetet se mbi 50 për qind të personave të intervistuar gjatë hulumtimitkanë qenë të gatshëm të japin mito për marrjen e intervenime shëndetësore", bën të ditur Syla.

Neurokirurgu Haxhi Avdyli, ka deklaruar se zyrtarë të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, do të duheshin të koncentrohen në punën e sistemit shëndetësor, derisa ka shtuar se pas hetimeve të ish ministrit Agani, sekretarit të përgjithshëm zotit Shabani, atyre iu është dashur të merren më shumë me veten.

"Hetimet në sistemin shëndetësor ndikojnë negativisht në humbjen e besimit të qytetarëve si dhe mbarëvajtjen e punëve te zyrtarët në ministri, duke menduar se si do të arsyetohen për hetimet e veta duke mos u koncentruar në punët e tyre".

"Gjatë tërë vitit ka pasur afera të ndryshme, ku prokuroria ka dhënë verdiktin e vet, por që kjo ka ndikuar shumë te qytetarët. Ministria është e thirrur për t'i mbrojtur interesat e qytetarëve, ata vetë përfshihen në afera të ndryshme korruptive, tregon se ky sistem ka vuajtur mjaft", thotë Avdyli.

Sidoqoftë, këtë vit Ministrinë e Shëndetësisë do ta udhëheq Imet Rrahmani, mjek emergjent.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG