Ndërlidhjet

Dialogu të vazhdojë me kushte


Ilustrim
Ilustrim

Analistët politik konsiderojnë se vazhdimi i dialogut me Serbinë duhet të kushtëzohet nga Prishtina dhe Bashkimi Evropian në mënyrë që marrëveshjet e arritura në bisedimet e kaluara të zbatohen.

Analisti i çështjeve politike në Prishtinë Imer Mushkolaj, thotë se Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, do të vazhdojë dialogun politik me formatin të cilin e ka pasur edhe ish-kryeministri Hashim Thaçi.

Mushkolaj mendon se pala kosovare në bisedime që mund të fillojnë në muajin janar, duhet të vë kushte në radhë të parë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

"Është e domosdoshme që zoti Mustafa, Qeveria e Kosovës të insistojë dhe të kushtëzojë Beogradin se nuk do të ketë dialog nëse nuk vendoset një afat kohor se kur duhet që të zbatohen marrëveshjet e arritura", tha Mushkolaj.

Edhe analisti tjetër, Artan Muhaxhiri, mendon se formati i bisedimeve me Serbinë nuk do të ndryshojë, por sipas tij, Kosova nuk duhet të lëshojë pe kur bëhet fjalë për marrëveshjet e arritura dhe ato qe mund të vijnë më vonë.

"Kosova nuk ka përfituar asgjë nga këto bisedime. Pra edhe Prishtina duhet ta ketë të qartë se pa pasur ndonjë benefit nga këto bisedime edhe qëndrimi i qytetarëve dhe mediave në përgjithësi do të jetë negativ, sepse vërtetë nuk shihet asnjë arsye që të vazhdohet me këto bisedime derisa, ta zëmë, çështja e liberalizimit të vizave as nuk përmendet", tha Muahaxhiri.

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian kanë bërë të ditur se vazhdimësia e takimeve të nivelit të lartë, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të nisë në muajin janar.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, ka deklaruar se në janar pritet të vazhdojë puna e rëndësishme në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se me Serbinë duan një dialog cilësor, dialog që nuk shkon në pafundësi, por që sjellë marrëveshje konkrete dhe të zbatueshme.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të jetë mjaft afatgjatë dhe sipas paralajmërimeve që janë dhënë nga Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Ky normalizim, nga Brukseli shihet si i domosdoshëm nëse Serbia dhe Kosova duan të jenë një ditë pjesë e Bashkimit Evropian.

Analisti Mushkolaj konsideron po ashtu se në bisedimet të cilat mund të nisin në fillim të vitit të ardhshmen duhet të jenë më transparente.

Ai thotë se për të vazhduar dialogun, pala kosovarë duhet të ketë agjendën e qartë mujore se për cilat tema do të hyhet në dialog.

"Qytetarët nuk e kanë idenë se cilat do të jenë temat që do të diskutohen për shkak se zakonisht të paktën nga përvoja e kaluar ne kemi parë se janë bërë publike vetëm marrëveshjet që janë arritur ose është bërë publike diku para arritjes së marrëveshjes se për çfarë fushe kanë biseduar të dyja palët", tha Mushkolaj.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shfaqur si fakt i domosdoshëm që është dashur të ndodhë, kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë.

Analistët kanë vlerësuar se bilanci i dalë nga dialogu Kosovë - Serbi, gjatë viteve të fundit ka rezultuar me shumë pozitiv për Serbinë.

Zyrtarët në Beograd kanë deklaruar se obligimet që i ka Serbia për t’i plotësuar në mënyrë që të afrohet me shumë me Bashkimin Evropian janë përparimi në dialogun me Prishtinën, që është neutral në raport me statusin, si dhe normalizimi i marrëdhënieve dhe arritja e marrëveshjeve me forcë obliguese.

XS
SM
MD
LG