Ndërlidhjet

Pronarëve shqiptarë të disa shtëpive të dëmtuara gjatë luftës në Kroin e Vitakut në komunën e Mitrovicës veriore, u është dhënë urdhër nga organet e kësaj komune, që t’i ndërpresin punimet për rindërtimin e shtëpive të tyre, me arsyetimin se duhet të marrin leje nga organet komunale për vazhdimin e punës.

Lidhur me këtë, përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvendin e komunës së Mitrovicës së veriut, kanë shprehur shqetësimin, duke theksuar se organet komunale po përdorin standarde të dyfishta dhe se ndërtimet po u ndalohen vetëm shqiptarëve.

Emir Azemi, zëvendës kryesues për komunitete i kuvendit të Komunës së Mitrovicës së veriut, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, qytetarët që kanë punuar në rindërtimin e shtëpive i kanë dokumentet për pronat e tyre.

Por, sipas tij, gjatë ditës së hënë, ata janë penguar në punën për rindërtimin e shtëpive të tyre.

“Kanë hasur në policinë dhe në inspektoratin paralel. Më pas ata e kanë thirrur edhe inspektoratin e Zyrës administrative, të cilët u kanë dhënë letrat në dorë që t’i ndërpresin punimet. Kjo është një praktike që nuk ka ndodhur në katër ndërtesat (rrokaqiejt) që po ndërtohen nga strukturat e Serbisë në veriun e Mitrovicës”, thotë Azemi.

Azemi edhe më parë kishte reaguar ndaj ndërtimeve, siç i ka quajtur ai jolegale të katër ndërtesave të mëdha për banim, dy në Kroin e Vitakut dhe dy në Lagjen e Boshnjakëve.

Adrijana Hoxhiq, drejtuese e Zyrës Administrative të qeverisë së Kosovës, që aktualisht është në ombrellën e komunës së Mitrovicës së veriut, thotë se për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës, pronarët e atyre shtëpive duhet të marrin leje të veçanta nga komuna, të cilat janë ndryshe dhe me kritere tjera nga ato për shtëpitë që ndërtohen prej fillimit.

Megjithatë, sipas saj, aktualisht ekziston memorandumi ndërmjet komunës dhe institucioneve qendrore të vendit për moslejimin e ndërtimeve, derisa situatat të sqarohen.

“Ato shtëpi kanë ekzistuar edhe më parë. Megjithatë, për shkak të moratoriumit, çdo aspekt i ndërtimit është pezulluar për shkak të moratoriumit, qoftë në kroin e Vitakut, në Suhodoll, por edhe për shkak urës kryesore. Kjo për shkakun se në këto lokacione kanë shpërthyer disa tensione dhe në cilësinë e mbajtjes së një sigurie, institucionet qendrore në Prishtinë kanë vendosur që duhet të sundoj moratoriumi”, shprehet Hoxhiq.

Por, Azemi thotë se ndërprerja e punimeve nuk po vlen edhe për pjesëtarët e komunitetit serb. Sipas tij, ata po ndërtojnë objekte të mëdha për banim kolektiv, të financuara nga Serbia, në mënyrë që, siç thotë ai, ta kolonizojnë këtë pjesë të vendit me serb.

“Problemi është se serbët nuk duan t’i shohin shqiptarët në veri. Ky veprim i tyre është një tendencë që t’i pengojnë këta pak shqiptarë që të kthehen në veri. Është dëshira e tyre që përfundimisht ta pastrojnë veriun nga shqiptarët dhe njëkohësisht ta ndryshojnë strukturën demografike të popullsisë".

"Është tërësisht që 5 ose 6 shtëpi të shqiptarëve të mos ndërtohen, ndërkohë të ndërtohen 4 ndërtesa, në tokat e shqiptarëve të cilat janë blerë nga shteti (serb). Ato njëkohësisht po ndërtohen pa lejen e organeve të dala nga zgjedhjet e lira”, thekson Azemi.

Në anën tjertër, Hoxhiq thotë se organet komunale u kanë pasur qasje të njëjtë ndaj të gjitha ndërtimeve jolegale dhe se u kanë bërë me dije të dyja palëve, shqiptarëve dhe serbëve, që t’i ndërpresin punimet.

“Ne si organ komunal ua kemi dërguar letrat për ndërprerjen e punëve të dyja palëve. Por, fatkeqësisht, jemi gjetur në situatën që as njëra e as pala tjetër nuk i kanë respektuar vendimet dhe kërkesat tona”, thotë Hoxhiq.

Hoxhiq ka theksuar se e gjithë kjo situatë po merr konotacion politik dhe se, siç e ka quajtur ajo, “politika e lartë” është e pranishme gjithkund, prandaj për zgjidhjen e problemit kërkohet zgjidhje politike dhe zgjidhje profesionale.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG