Ndërlidhjet

Kurti: Situata në Kosovë po shkon drejt shpërthimit


Albin Kurti
Albin Kurti

"Kjo gjendje shpërthyese natyrisht do të duhej të jetë e orientuar me koncept të qartë dhe me organizim të mirëfilltë", thotë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë. ​

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, Kosova tashmë ka institucionet e reja, për formimin e të cilave keni qenë mjaft kritik. Por, duke pasur parasysh ngërçin prej gjashtë muajsh, është thënë se zgjidhje tjetër nuk ka pasur. Ju si mendoni?

Albin Kurti: Ka pasur zgjidhje tjetër dhe ajo ka qenë zgjidhje e vërtetë, shumica parlamentare t'i formojë institucionet e legjislaturës së pestë. Mirëpo, LDK-ja e udhëhequr nga Isa Mustafa, në momentet e fundit vendosi që t'i bashkohet Thaçit dhe kësisoji në Kosovë ta instalojnë vazhdimin e misionit të vjetër, që do të thotë rehati për politikanët që vishen me pushtet , mjerim për qytetarët të cilët që përballen më mbi jetesën dhe koncesione të mëtutjeshme Serbisë, së cilës i shtohen apetitet.

Ne, nuk besojmë që me këtë qeveri të re do të ketë të mira të reja për Kosovën. Përkundrazi, qeveria e Kosovës po e degradon Kosovën edhe në aspektin politik dhe atë ekonomik, politikisht po e bën vendin jofunksional si Bosnjën e pas luftës.

Ndërkaq, ekonomikisht po e bën atë të mjerë si Amerikën Latine në çerekun e fundit të shekullit të kaluar. Interesante është që në vitin e ardhshëm shënohet njëzet-vjetori i konferencës së Dejtonit, kurse në Kosovë po synohet të implementohet asociacioni i komunave më shumicë serbe që na bosnjëzon praktikisht. Pra, Bosnja pa të ardhme, paradoksalisht po shndërrohet në të ardhmen e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Ju, si Lëvizje keni “rezistencë” ndaj dialogut me Serbinë,i cili shihet si një prej detyrimeve parësore të institucioneve të Kosovës. Mendoni se kjo ka ndikuar që koalicioni qeverisës të marrë këtë formë që ka sot?

Albin Kurti: Shteti i Kosovës është “për tokë”. Nëse i bërtasin të veshi shtetit të Kosovës “dialog me Serbinë”, shteti i Kosovës mund të pësojë edhe infarkt. Ne do të duhej të ngrihemi në gjunjë një herë, mirëpo kjo nuk do të ndodh me koalicionin PDK-LDK, i cili është i vendosur që të vazhdojë gjurmëve të [qeverisë] Thaçi II. Pra, ne e kemi të domosdoshme që ta kthejmë dinjitetin, sovranitetin, integritetin territorial për Kosovën dhe kjo nuk bëhet duke i vazhduar pazaret e Thaçit me Serbinë, me ç'rast Thaçi personalisht mbetet larg burgut e Serbia si shtet i afrohet Bashkimit Evropian.

Nuk mendoj që arsyeja kryesore që është prishur VLAN-i ka qenë dialogu, por besoj që Mustafa ka pasur gatishmëri që të mos ndryshojë asgjë nga formati, karakteri dhe qëllimet e dialogut, ashtu siç e kanë zhvilluar në të kaluarën Thaçi dhe [Edita]Tahiri.

Radio Evropa e Lirë: A besoni në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Ky dialog pritet të rifillojë në janarin e vitit të ardhshëm...

Albin Kurti: Pas Luftës së dytë Botërore, shtetet e ndryshme evropiane i kanë normalizuar marrëdhëniet në kushtet kur nuk kishin më pretendime territoriale dhe kishin njohje reciproke. Si do të mund të normalizohen raportet me Serbinë kur ne nuk i kemi këto? Realisht edhe pas njohjes së Serbisë ne nuk do të kemi marrëdhënie normale me të, por pikërisht atëherë do të mund të thuhej që ai normalizim do të ishte normal.

Unë nuk besoj në normalizimin e marrëdhënieve më Serbinë, përderisa ajo i ka këto pretendime ndaj Kosovës, nuk ballafaqohet me të kaluarën dhe nuk na e pranon pavarësinë. Por, në anën tjetër e kemi parë që duhet të besojmë në normalizimin e marrëdhënieve të krerëve të institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë.

Për herë të parë në Kosovën e pavarur jemi me një qeveri e cila i ka marrëdhëniet shumë më të mira me Beogradin se sa që i ka Shqipëria apo Qeveria e Shqipërisë marrëdhëniet me Beogradin.

Radio Evropa e Lirë: Keni kritikuar institucionet ndër të tjera për korrupsion, për nxitje të migrimit të paligjshëm dhe zhvillim të ngathtë ekonomik. Sa keni arritur ju të ndikoni në zvogëlimin e këtyre dukurive?

Albin Kurti: Besoj që Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë gjithmonë subjekti i cili ishte në ballë të luftës kundër korrupsionit. Dhe këtë e kemi bërë për shkak se besojmë se pa shtet të së drejtës nuk ka as ligj të respektuar prej qytetarëve dhe në të njëjtën kohë nuk ka as kredibilitet për vetë republikën tonë.

Natyrisht që ne pak kemi mundur të bëjmë si grup parlamentar opozitar. Çdo herë e kemi ngritur zërin kundër korrupsionit, veçse duhet theksuar që luftimin e korrupsionit e kemi dëshmuar si qeverisje në Prishtinë, prej ndërprerjes së ndërtimeve pa leje e deri të transparenca e plotë në punësim.

Radio Evropa e Lirë: Sa mendoni se do të mund të funksiononi si opozitë e mirëfilltë, duke qenë se partitë e koalicionit qeverisës gëzojnë një shumicë të qëndrueshme në Kuvend?

Albin Kurti: Ata është e vërtet që i kanë numrat, mirëpo ata kurrë nuk e kanë pas rejtingun më të ulët te populli i Kosovës. Praktikisht të dy partitë që po rrudhen e po vyshken me shpejtësi, u bën bashkë në rënie e sipër. Besoj se Lëvizja Vetëvendosje si opozita kryesore dhe prijëse do të arrijë që edhe me deputetët e tjerë opozitara të AAK-së dhe Nismas, t’i ketë gjithsejt 33 deputetë në Kuvendin e Republikës.

Duke pasur parasysh se janë edhe disa të pavarur edhe disa të tjerë të pakënaqur në PDK e LDK do të arrijmë ta kemi numrin prej 40 deputetësh,i cili është i nevojshëm për të bërë komisione hetimore parlamentare.

Në të njëjtën kohë do të arrijmë që të kemi seanca të jashtëzakonshme për tema të cilat nuk janë ngritur më herët. Gjithashtu ne synojmë që tëpengojmë dy të tretat e deputetëve t'i ngrejnë duart si makineri e votimit, në mbështetje të këtij regjimi.Pra, posa t’i arrijmë 41 deputetë, atëherë ata nuk do të mund t'i kenë dy të tretat dhe ky paraqet një ndër synimet tona. Mbi të gjitha ne nuk synojmë që të kufizohemi vetëm në Kuvend. Aksionet publike dhe tubimet anë e kënd Kosovës, protestat e demonstratat do të vazhdojnë të jenë mjet i zakonshëm i Lëvizjes Vetëvendosje edhe me tej.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët demonstratat, si mendoni t’i mbani nën kontroll? A keni ndonjë mekanizëm?

Albin Kurti: Besoj se situata në Kosovë po shkon drejt shpërthimit. Ne kishim një rrije të ulët ekonomike prej realisht 2,5 % në këtë vit, e cila ishte e varur nga investimet publike dhe konsumi publik e privat i familjeve.

Paqja sociale gjithnjë e më e brishtë në Kosovë mbahet nga remitencat e mërgatës sonë. Dhe kjo gjendje shpërthyese natyrisht do të duhej të jetë e orientuar me koncept të qartë dhe me organizim të mirëfilltë. Të dyja këto i ka Lëvizja Vetëvendosje dhe unë mendoj që ata që duhet të frikësohen nga shpërthimi i situatës në Kosovës kurrsesi nuk janë qytetarët, por vetëm këta pushtetarë të korruptuar.

Radio Evropa e Lirë: Një nga sfidat më serioze përballë institucioneve të Kosovës është themelimi i Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte. Pse e kundërshtoni ju formimin e kësaj Gjykate?

Albin Kurti: Ne kemi nevojë për drejtësi universale, e jo për gjykata speciale. Le të mos harrojmë që nuk e dimë as statutin, as organizimin, as strukturën, as misionin, as përbërjen, as përmbajtjen dhe as financimin për këtë gjykatë speciale. Pra të thuash se je për Gjykatën Speciale do të thotë të japësh një çek bllanko, tërësisht të papërgjegjshëm; këto asnjëherë nuk janë bërë të ditura. Për më tepër më duhet të theksoj se për gjykatë të re ka nevojë Serbia, meqë ajo i zhvilloi katër luftëra dhe vrau 150 mijë jo serbë, ndërkohë që Gjykata Speciale atje për krime të luftës i ka në burg vetëm 160 serbë.

Ne e dimë që Kosova ka qenë shoqëri e viktimës dhe e dimë që Serbia ishte agresori, por e di gjithashtu se ka interes nga segmente të ndryshme ndërkombëtare që ta ndryshojnë ketë fakt, i cili është fakt historik. Për të gjitha krimet individuale në Kosovë do të duhej të kemi përgjegjësi individuale.

Kur EULEX-i është dashur të jap llogari për 1.5 miliardë euro të taksapaguesve evropianë, që i shpenzoi në këto 6 vite,atëherë dëshirojnë të formojnë edhe gjykata të reja; kjo është plotësisht e papranueshme. Dhe krejtësisht në fund mendoj që politikanët e Kosovës do të duhej të ishin në burg për krimet e paqes që i dijnë të gjithë ndërkombëtarët, e jo për krimet e luftës, të cilat i ka shpikur ndonjë ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG