Ndërlidhjet

Mesazhe për thirrje të ndërgjegjes dhe për përgjegjësi


Paqja, dashuria, toleranca, por edhe thirrja për përgjegjësi dhe ndërgjegjësim ndaj rënies morale dhe padrejtësive, janë mesazhet që dolën nga mesha kryesore e Krishtlindjes, e cila është mbajtur mbrëmë në katedralen Nëna Terezë në Prishtinë.

Meshën e ka udhëhequr Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, i cili theksoi se në natën e shenjtë të Krishtlindjes, duhet dëgjuar zërin e dashurisë, për të kuptuar se Kërshëndellat janë vetë njerëzit, që rilindin çdo ditë dhe lejojnë që Zoti të hyjë në shpirtrat e tyre.

“Uroj o vëllezër dhe motra, që të gjithë njerëzit në Kosovë dhe kudo në botë, të jenë më të mirë, më të drejtë dhe më të shenjtë. Të kenë më shumë paqe, më shumë dashuri dhe më shumë bujari. Të përjetojnë më shumë respekt, më shumë kujdes shoqëror dhe më shumë gëzim,në vitin 2015. Për shumë mot dhe me zemër të bardhë, me fat Krishtlindja”, tha Dodë Gjergji.

Ipeshkvi Dodë Gjergji theksoi se shoqëria e Kosovës po jeton në një kohë kur, siç i quajti ai, një shtresë e të fortëve dhe të pushtetshmëve i grabisin ose i grumbullojnë të mirat e përbashkëta, në dobi të vet ose për të ndërtuar vetëm të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Gjendjen e rëndojnë sipas tij, konfliktet për fajde, vetëvrasjet, ikjet masive të të rinjve nga vendi, si dhe fenomene të tjera që shkurajojnë të drejtat, zhgënjejnë entuziastët dhe dëshpërojnë të pambrojturit.

“Këtë gjendje e rëndon edhe më shumë strukja e të drejtëve, heshtja e të mirëve, lakmia e të diturve dhe korruptimi i të aftëve. Sigurisht që kjo vjen si pasojë e mohimit të së vërtetës, përbuzjes së vlerave, mungesës së moralit shoqëror, keq-menaxhimit të paqes, paaftësisë kolektive për të respektuar liritë dhe mungesa e përgjegjësisë individuale dhe grupore e bartësve të detyrave shoqërore”, tha Dodë Gjergji.

Ipeshkvi ka shtuar Zoti qan me lot, duke parë këto padrejtësi dhe padrejtësitë tjera në botë.

Si mos të qaj Zoti kur sheh shumë fëmijë që vriten ose bëhen vrasës, si pasojë e urrejtjes dhe luftërave që i shkaktojnë të rriturit. Bile, vende-vende, edhe në emër të Zotit”, tha ai.

Ndryshe, pas përfundimit të meshës, besimtarët katolik që ishin në katedralen Nëna Terezë, kanë uruar njëri tjetrin për Krishtlindje.

Tradita e pranisë në meshë dhe e urimeve nga ana e qytetarëve të besimit mysliman, për besimtarët e katolik, vazhdoi edhe këtë vit.

Mentor Maloku, një i ri nga Prishtina, që i takon besimit Islam, tha se ishte i pranishëm në meshë, për t’i nderuar dhe respektuar miqtë e tij të besimit katolik.

“Nuk jam besimtar katolik, por kam ardhur këtu sepse kam shoqëri shumë dhe kam ardhur t’i nderoj ato, siç më nderojnë ata mua. Është shenjë e tolerancës, e mirëkuptimit. Është festë dhe pa marrë parasysh se a është Bajram apo janë Kërshëndellat, është festë e përbashkët, sikurse të gjitha festat që i festojmë bashkë”, tha Maloku.

Edhe Hashim Ibrahimi, po ashtu, tha se në katedrale ishte për t’i uruar bashkëkombësit e tij të besimit katolik.

Kam ardhur t’ua uroj festën shqiptarëve të besimit katolik, festën e të gjithë shqiptarëve, bashkë. Pa marrë parasysh se çfarë feste është, ne jemi të gjithë shqiptarë. Kjo është shenjë e festës dhe e bashkëjetesës sonë”, u shpreh Ibrahimi.

Se bashkëjetesa ndërmjet njerëzve të religjioneve të ndryshme në Kosovë ka mbetur traditë e palëkundur, e thotë edhe aktorja Leze Qena, e cila i takon besimit katolik.

“Kjo po ruhet. Vetëm se ishalla nuk na hyn ndonjë krimb në mes e të na prishë. Çdo fe e ka të njëjtën mënyrë të jetesës, me pak ndryshime. Asnjë fe nuk thotë të bësh keq. Për mua, të gjitha janë njësoj. Timen e dua dhe tjerat i respektoj”, tha Qena.

Mendim të ngjashëm ka edhe Mimoza Gojani, që po ashtu i takon besimit katolik. Ajo thotë se ka marrë shumë urime nga miqtë e saj mysliman.

Për shumë mot Kërshëndellat, krejt atyre që e festojnë, e gjithashtu Kërshëndella të bardha edhe për ata që po festojnë me ne dhe që gëzohen. Kërshëndellat nuk janë festë vetëm për të krishterët. Tek e fundit, edhe myslimanët e kanë hasreti Isën, i cili është profet. Kjo është lindja e tij dhe shpresoj që të gjithë kanë për t’ju gëzuar”, theksoi Gojani.

Meshat e Krishtlindjes janë mbajtur edhe nëpër kishat katolike të tjera në mbarë vendin.

Lidhur me festën e Krishtlindjes, besimtarët katolik i kanë uruar edhe drejtuesit e institucioneve të larta, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli, si dhe liderët tjerë institucional dhe politik.

Mesazhe urimi për festën e Krishtlindjes, Ipeshkvit të Kosovës dhe besimtarëve katolik u ka dërguar e Bashkësia Islame e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG