Ndërlidhjet

Papa dënon “përndjekjen” e pakicave


Papa Françesku ka dënuar “përndjekjen brutale” të pakicave fetare dhe etnike, gjatë adresimit të tij tradicional në Ditën e Krishtlindjeve.

Në mesazhin “Urbi et Orbi” – për qytetin dhe botën – Papa ka vënë në pah gjendjen e vështirë të viktimave të konfliktit në Siri dhe Irak.

“I kërkoj atij, Shpëtimtarit të botës, që të kujdeset për vëllezërit dhe motrat tona në Irak dhe Siri, që për kohë të gjatë kanë vuajtur efektet e konfliktit të vazhdueshëm dhe së bashku me grupe të tjera etnike dhe fetare janë duke vuajtur nga përndjekja brutale”, ka thënë Papa.

Ai ka thënë se “shumë njerëz vazhdojnë të mbahen peng ose të masakrohen” edhe në Nigeri.

Papa ka bërë thirrje për dialog midis izraelitëve dhe palestinezëve, ndërsa ka dënuar dhunën e talibanëve në Pakistan. Ai është lutur për rehatinë e familjeve të 132 fëmijëve të vrarë nga talibanët në një shkollë të Peshauarit.

“U dhëntë Zoti rehati familjeve të fëmijëve të vrarë në Pakistan javën e kaluar”, është shprehur Papa.

Kreu i Selisë së Shenjtë është lutur edhe për viktimat e epidemisë së Ebolës, si dhe për paqe në Ukrainë, Sudanin Jugor dhe pjesë të tjera të Afrikës.

“U ndihmoftë Jezusi, Shpëtimtari i botës, të gjithë atyre që vujanë në Ukrainë dhe mundësoftë që vendi i tyre i dashur të kapërcejë tensionet, urrejtjen dhe dhunën”, ka thënë Papa.

Fjalimi i tij në Sheshin e Shën Pjetrit është ndjekur nga mijëra njerëz.

Thirrjet e Papës për paqe nuk janë të reja. Gjatë gjithë vitit, ai apelon për fund të konflikteve derisa bën adresimet e të dielave nga dritarja e apartamentit të tij zyrtar në Vatikan.

Të mërkurën, Papa u ka telefonuar refugjatëve në një kamp pranë Irbilit, në rajonin kurd të Irakut.

“Ju jeni si Jezusi në Natën e Krishtlindjeve. As për të nuk ka pasur vend”, u ka thënë ai atyre.

Avancimi në Irak i militantëve të Shtetit Islamik ka detyruar dhjetëra-mijëra të krishterë dhe pakica të tjera fetare të largohen nga shtëpitë e tyre.

Ati Amanaweel Adel ka folur për gjendjen e të zhvendosurve në Irbil.

“Besimtarit të krishterë sot i mungon gjithçka. Ai ka mbetur pa strehë, pa shtëpi dhe pa gjërat elementare për një jetë të mirë… Ne i lutemi Zotit tonë që ta bëjë vitin e ardhshëm një vit të paqes, t’i rivendosë gjërat në rrjedhën e tyre natyrore dhe t’i rikthejë të zhvendosurit në shtëpitë e tyre. Ne po ashtu i lutemi Zotit që të na ndihmojë për ta larguar Shtetin Islamik”, ka thënë Ati Adel.

Lana Hazimi, një grua e krishterë nga Bagdadi, ka ndjekur meshën e mesnatës në kryeqytetin irakian.

“Kjo festë ndryshon nga ato të mëparshmet, sepse numri i njerëzve është më i vogël. Në vitet e mëparshme, kisha ka qenë e mbushur plot, është dashur të sjellim më shumë karrige… Megjithatë, falënderojmë Zotin që ka ende të krishterë këtu”, ka thënë Lana Hazimi, besimtare nga Bagdadi.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG