Ndërlidhjet

Viti 2014 sfidues për Maqedoninë, pesimizëm edhe në 2015


Shkupi

Shkupi

Bllokim i procesit eurointegrues, tensione ndërentike, krizë politike, protesta kundër reformave në arsim, kundër proceseve të ndryshme gjyqësore, kundër ndotjes së ajrit, rritje e numrit të të papunëve, mungesë të investimeve të jashtme. Këto janë vetëm disa nga sfidat me të cilat është përballur Maqedonia gjatë vitit 2014.

Drejtuesit e institucioneve thonë se i'a kanë dalë të jenë në shërbim të qytetarëve, përkundër problemeve të shumta, të nxitura sipas tyre nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Për krizat e brendshme, fajtorë sipas pushtetit është pikërisht opozita dhe elemente të afërta më të, ndërsa edhe tensionet ndërentike të pranishme gjatë këtij viti, ishin pasojë e siç thonë, qarqeve të caktuara me qëllim destabilizimin e vendit ndërsa fajtor për ngecjet në procesin integrues është Greqia dhe mungesa e gadishmërisë nga ana e saj për zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Për tango duhen dy persona, por për këtë tango nuk kemi partner. Këtë e thonë të gjithë partnerët, vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Për momentin nuk shohim ndonjë motiv tek bashkëbiseduesit tanë, për të pasur diskutime të hapura dhe reale për tejkalimin e kontestit. Greqia në vazhdimësi ka përsëritur qëndrimin se ne do ti bllokojmë në Këshillin Evropian, nuk do të fillojnë bisedimet, dhe në këtë mënyrë do të na detyrojmë ta zgjidhim çështjen e emrit në favorin e tyre, por as emri nuk u zgjidh, e as nuk u përmirësua pozita e Greqisë sa i përket bllokimit“, ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki.

Por, ndryshe nga drejtuesit e institucioneve vlerësojnë partitë opozitare. Ato fajtorë kryesor për dështimet gjatë këtij viti apostrofojnë pushtetin të cilin madje e quajnë diktatorial.

“Armiku jonë më i madh gjendet në Shkup. Ai është armiku më i madh i demokracisë dhe lirisë në Maqedoni. Ajo është qeveria e Maqedonisë. Ne të gjithë duhet të dimë se kësaj radhe askush nga jashtë nuk do të na ndihmojë, por të gjithë ne duhet të luftojmë këtë qeveri të keqe, zgjidhje tjetër nuk kemi“, ka deklaruar Stevo Pendarovski, nga Lidhja Social Demokrate dhe ish kandidat i kësaj partie për president shtetit.

Opozita thotë se Maqedonia si asnjëherë më parë ndodhet në gjendje të rëndë, me ekonomi të shkatërruar, me bllokim të procesit integrues, reforma kundërthënëse, korrupsion, krim të organizuara dhe raporte të këqija ndërentike që rrezikojnë edhe stabilitetin e vendit.

Nga Partia Demokratike Shqiptare vlerësojnë se BDI-ja jo vetëm që nuk ka arritur të avancoj statusin e shqiptarëve, por në shumë sfera ka kthim pas në realizimin e të drejtave kombëtare.

“Kanë dhënë gjuhën shqipe, flamurin, kanë burgosur shqiptarë me burg të përjetshëm, Ilirët i bëjnë maqedonas nëpër tekstet shkollore.“Speciallca”në çdo vendbanim ku jetojnë shqiptarët. Ju mbani përgjegjësi direkte për këtë situatë të rëndë, ju jeni ata që votoni çdo ligj që është në dëm të shqiptarëve”, ka deklaruar deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.

Pakënaqësi nga zhvillimet gjatë vitit 2014 ka edhe në mesin e Bashkimi Demokratik për Integrim që është në pushtet. Drejtuesit e saj, varësisht situatave gjatë vitit kanë dalë me vlerësime të ndryshme, disa janë lavdëruar, por një pjesë e madhe e tyre kanë dalë me kritika për ngecjen e të drejtave të shqiptarëve.

Nënkryetari i Kuvendit, Rafis Haliti, madje ka kërkuar raporte nga ministrat shqiptar në komitetin për marrëdhënie ndërentike, mbledhje kjo që nuk është mbajtur.

“Të kërkohet raport nga zv/kryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, deri ku është arritur me implementimin e Marrëveshjes? Sa është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i bashkësive etnike? Cilat masa janë marrë deri më sot ndaj institucioneve që nuk kanë respektuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat? Pse nuk respektohet përdorimi i gjuhës shqipe në nivel të Qytetit të Shkupit? Të debatojmë edhe për vendimet gjyqësore që kanë ndikuar për prishjen e marrëdhënieve ndëretnike”, ka deklaruar Haliti.

Ndërkohë, edhe njohësit e çështjeve politike nuk kanë vlerësime pozitive për vitin 2014.

“Kjo qeveri dhe ky pushtet ka dëshmuar se nuk ka kapacitet në zgjidhjen e krizave, por kapacitet që të krijoj kriza të reja nga të cilat ajo mund të funksionoj. Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski u bën ekspertë, mjeshtër të krijimit të tensioneve, por tensioneve të kontrolluara ndërentike dhe në fund të këtyre episodeve ata paraqiten edhe si shpëtimtarë."

"Mirëpo mënyra e këtillë e lojës me marrëdhëniet ndërentike mund të dalë jashtë kontrollit. Fakti që edhe kët vit kishte refuzim të BE-së për të nisur negociatat me Maqedoninë dëshmon se ky vit në të gjitha pikëpamjet është vit i dështimeve“, thotë Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike.

I të njejtit mendim është edhe analisti maqedon, Petar Arsovski.

“Gjatë vitit 2014 kishim një krizë permanente me tendencë të përshkallëzimit si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Kriza politike jo që nuk u tejkalua, por ajo mori përmasa edhe më të mëdha. Gjendja ekonomike gjithashtu nuk lenë shumë për të dëshiruar ndërsa procesi eurointegrues edhe këtë vit ka ngecur në vend, pa asnjë shpresë për zgjidhjen e çështjes së emrit. Raportet ndëretnike nuk ishin në nivelin e duhur, kishte tensione, incidente e kështu me radhë. Pra, 2014-ta vlerësoj se ishte një vit i dështuar për Maqedoninë në të gjitha sferat e jetës“, thotë Arsovski.

Ai dhe Demiri, jo vetëm që nuk presin ndryshime në vitin 2015, por madje thonë se situata mund të përshkallëzohet në planin politik pas vendimit të shumicës parlamentare për t'ia marr mandetet deputetëve ndërsa rezultate nuk do të ketë as në planin e integrimit euroatlantik të vendit, por edhe në atë ekonomik që varet në stabiliteti politik dhe marrëdhëniet ndëretnike, që gjithashtu do të jenë sfidë e rëndësishme për institucionet.

XS
SM
MD
LG