Ndërlidhjet

Maqedoni: Sistemi gjyqësor, sektori më i kritikuar në 2014


Pushteti gjyqësor i Maqedonisë gjatë vitit 2014 ka qenë ndër më të kritikuarit si nga faktorët vendor, ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare. Opozita, sektori civil, por edhe partia shqiptare në qeveri kanë drejtuar në vazhdimësi kritika për mungesë të pavarësisë, jo transprencë, mungesë të efikasitetit dhe procese të montuara gjyqësore.

Kritikat janë pranuar edhe nga vet ministri i drejtësisë, Adnan Jashari, duke premtuar angazhimin e tij për përmirësimin e gjendjes. Ndërkohë, që kritikat e institucioneve ndërkombëtare janë përfshirë në të gjitha raportet e publikuara për Maqedoninë duke ngritur alarmin për përmirësimin e gjendjes në këtë sferë të ndieshme.

Edhe ekspertët për çështje juridike thonë se gjendja në gjyqësor është e mjerueshme.

“Përshtypjet që kisha për gjyqësorin përgjatë vitit 2014 nuk kanë ndryshuar aspak. Nuk kam asnjë vlerësim pozitiv duke marrë parasysh atë që kam parë apo që kam lexuar. Edhe më tej konsideroj se këtu sundon drejtësia selektive, edhe më tej vlerësoj se në raste të cakruara veprohet në kundërshtim me ligjet në fuqi. Ligjet nuk zbatohen ashtu siç duhet, me një fjalë nuk jam aspak e kënaqur me atë që ndodh në sistemin gjyqësor."

"Se situata është e keqe flet edhe fakti se emërimet, shkarkimet, avancimet e gjykatësve bëhen në kundërshtim edhe me standardet më elementare ndërkombëtare“, thotë Margarita Caca Nikollovska, eksperte për çështje juridike dhe ish-gjykatëse në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Edhe Osman Kadriu, ligjërues i së drejtës kushtetuese, thotë se pushteti gjyqësor vazhdon të ngec sa i përket pavarësisë dhe efikasitetit në punë. Ndikimi politik, proceset e montuara dhe korrupsioni, janë çështjet që më së shumti kanë ulur kredibilitetin e sistemtit gjyqësor në vend, thotë ai.

“Ngecjet kanë qenë të shumta, në veçanti në efikasitetin dhe në çështjen e kualitetit të gjykimeve. Problem tjetër është prania e korrupsionit, proceset e montuara, kështu që gjyqësori vazhdon të mbetet i politizuar. Kjo është parasegjithash pasojë e reformave të cilat nuk i kanë dhënë dot rezultatet e prituar në sferën e pushtetit gjyqësor“, thotë Osman Kadriu duke veçuar rastin “Monstra“, të gjykimit të gjashtë shqiptarëve me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesë maqedonasve në afërsi të Shkupit, gjykim ky që ka nxitur reagime të shumta për shkak të provave thuajse qesharake që janë marrë në konsideratë gjatë marrjes së vendimit nga trupi gjykues.

Kadriu thotë se gjyqësori edhe gjatë vitit 2015 ndodhet para sfidave të mëdha. Sipas tij, gjendja mund të përmirësohet, por vetëm nëse partitë heqin dorë nga ndikimi mbi punën e tyre, në të kundërtën ajo do të mbetet e njejtë.

“Është momenti i fundit që të zhvillohet procedura e përgjegjësisë që të përmirësohet situata në gjyqësor pasi në një mënyrë edhe në rrafshin juridik janë miratuar mjaft ligje, pjesa dërrmuese e të cilëve janë të harminizuar edhe me të drejtën evropiane, por zbatimi i tyre mungon dhe natyrisht se në këtë rast duhet të kërkohet përgjegjësi nga organet konrekte nga shkaku se qytetarët e Maqedonisë skajshmërisht e kanë humbur besimin ndaj të gjitha institucioneve dhe organeve shtetërore dhe në këtë kaulifikim në rend të parë bëjnë pjesë organet e gjyqësorit“, thotë Kadriu.

Ngjashëm vlerëson edhe Margarita Caca Nikollovska, eksperte juridike.

“Mekanizmi shtetëror duhet ta liroj gjyqësorin nga çfarë do qoftë presione, ti lerë gjykatësit që të punojnë në mënyrë të pavarur, gjithmon duke respektuar dispozitat ligjore dhe pa ndërhyrje nga jashtë gjatë marrjes së vendimeve. Vetëm në një situatë të këtillë mund të flasim për përmirësim të sistemit gjyqësor, për rritje të kualitetit të punës së tyre dhe marrje të vendimeve ashtu siç parashohin ligjet."

"Që gjendja të përmirësohet mendoj se nevojiten edhe debate të gjera me përfshirjen e të gjitha palëve me qëllimin e vetëm përmirësimin e gjendjen momentale, e cila vërtët nuk përmbush as kriteret më elemtentare për gjyqësi të pavarur dhe efikase“, thotë Margarita Caca Nikollovska, eksperte për çështje juridike dhe ish-gjykatëse në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

XS
SM
MD
LG