Ndërlidhjet

Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti për krime të rënda, ka caktuar masën e paraburgimit të shtetasit nga Serbia Slobodan Gavriq, i cili dyshohet për veprën penale të përgatitjes së veprave terroriste.

Kryetari i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi, pas vendimit të marrë nga gjykata tha para gazetarëve, se i pandehuri Gavriq dyshohet për dy vepra penale.

"Për shkak të dyshimit të ekzistimit të veprave penale, përgatitja e veprave terroriste nga neni 144 / paragrafi 4 dhe paragrafi 1, si dhe të një vepre tjetër penale që është importi , eksporti , furnizimi dhe transporti i këmbimit ndërmjetësimit ose shitja e paautorizuar e armëve nga neni 372 të kodit penal të Republikës së Kosovës", tha Ibrahimi.

Ibrahimi ka thënë se i pandehuri ka pranuar vetëm veprën penale nën pikën dy, të kërkesës për caktimin e paraburgimit.

"Tani për tani prokuroria ka bërë të besueshme arsyen për caktimin e paraburgimit, do të thotë se ka mjaft prova të cilat janë bindëse për gjykatën që të caktoj paraburgimin. Për më tutje mbetet që Prokuroria Speciale t'i zbatoj hetimet, ndërsa këto hetime zbatohen nën autoritetin e Gjykatës Themelore në Prishtinë", tha Ibrahimi.

Gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Vehbi Kashtanjeva, ka mbajtur seancën dëgjimore ku edhe i është caktuar masa e paraburgimit serbit Slobodan Gavriq.​

​​Gavriq është arrestuar të enjten në mbrëmje në Prishtinë, për shkak se në automjetin e tij janë gjetur 12.2 kilogramë eksploziv.

Avokati i Gavriq i caktuar sipas detyrës zyrtare nga gjykata dhe nga Oda e Avokatëve të Kosovës, Muhamet Humolli, tha për Radion Evropa e Lirë, se Gavriq është penduar për atë çka ka bërë.

"Është me rëndësi se i'u është caktuar 30 ditë paraburgimi. Gavriq ka folur, ndihet fajtor dhe është penduar. Në plan ka pasur shitjen e atij eksplozivi ", tha Humolli duke shtuar se gjykata ka vendosur sipas kërkesës së prokurores së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdarit.

Kryetari i Gjykatës themelore Hamdi Ibrahimi, tha se për rastet e tilla dënimet janë të larta.

"Denimet janë deri në 20 vjet burg, sepse Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh që edhe kur vepra në tentativë mbetet, dënimi është i njejtë", tha Ibrahimi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përgëzuar autoritetet e rendit për “pengimin e këtij veprimi terrorist, në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

Presidentja Jahjaga ka kërkuar ngritjen e nivelit të sigurisë së përgjithshme në Kosovë dhe u ka bërë thirrje shteteve të rajonit të bashkëpunojnë “në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos, që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj, të ruhet dhe të garantohet", është thënë në një komunikatë nga presidenca.

Edhe Qeveria e Kosovës e ka dënuar "fuqishëm veprimin e dyshuar terrorist të së enjtes".

Ajo ka bërë thirrje gjithashtu për një "bashkëpunim të gjithëmbarshëm në këtë situatë, përfshirë vendet e rajonit".

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG