Ndërlidhjet

Inflacioni goditi Kosovën në 2014-ën


Inflacioni në Kosovë, shprehur nëpërmjet indeksit të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2014, është karakterizuar me normë dukshëm më të ulët krahasuar me vitin paraprak.

Norma mesatare vjetore e inflacionit deri në qershor 2014 ishte 0.3 për qind, kundrejt inflacionit prej 2.7 për qind në periudhën e njëjtë të vitit paraprak

Megjithatë, pavarësisht nivelit të ulët të inflacionit, qytetarë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë, thonë se konsumatorët u përballen me ngritje të vazhdueshme të çmimeve të konsumit dhe me ulje të standardit jetësor.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se inflacioni ka goditur Kosovën.

“Kosova eksporton para të gatshme dhe përmes importit të produkteve krahas eksportit të parasë së gatshme, importon edhe inflacion dhe sado që të jetë ai 0,3 për qind, apo 0,5 për qind apo deri në 3 për qind, është një goditje e cila e goditë më të madhe një ndër indikatorët kyç të stabilitetit ekonomik dhe social, çfarë është shporta e konsumatorit të qytetarit të Kosovës”, thekson Gërxhaliu.

Gërxhaliu, duke i bërë një përmbledhje vitit 2014 në aspektin ekonomik, ka theksuar se ky një ndër vitet më të vështira të të bërit biznes dhe për ekonominë në përgjithësi.

“Është koha që të hartohet një plan zhvillimor dhe në këtë plan t’i kemi të gjitha mundësitë e detajuar bazuar përmes zhvillimit ekonomik dhe krahas efekteve pozitive t’i shpallet luftë edhe inflacionit i cili po e godet qytetarin”, shtoi ai.

Gjatë vitit që po lëmë pas, Radio Evropa e Lirë, vazhdimisht kishte trajtuar çështjen e inflacionit. Qytetarë të intervistuar vazhdimisht kishin treguar se çmimet janë në rritje, gjë e cila rrjedhimisht kishte varfëruar shportën e tyre mujore.

llmi Shaqiri rreth të 50-ve, me profesion teknik i ndërtimtarisë, kishte treguar se të ardhurat mujore në familjen e tij shtatë anëtarëshe nuk janë më shumë se 400 euro.

Për zotin Shaqiri, çmimet e konsumit janë shumë të shtrenjta. Ai ka theksuar se rënie të çmimeve nuk ka pasur, por vetë ngritje të vazhdueshme.

“Çmimet janë astronomike, nuk ka pasur rënie, ndoshta e kanë ulur një çmim të një artikulli, por kanë ngritur çmimet e katër të tjerëve. Çmimet janë të larta dhe janë bërë disa artikujt të paprekshëm”, thotë ai.

Edhe Sabit Nimani, pensionist, tregon se për familjen e tij prej gjashtë anëtarësh dhe me vetëm një të punësuar, ka bërë që të ulet fuqia blerëse dhe në këtë mënyrë të ulet standardi jetësor.

“Çdo muaj ka ngritje të çmimeve, është e pabesueshme si ndodh kjo. Produktet e konsumit apo ato elementare, kanë ngritje dhe mendoj që në një të ardhme të afërt do të jemi në një pozitë shumë më të palakmueshme se sa kjo që jemi tani”, thotë ai.

Ngritja e vazhdueshme e çmimeve sipas ekspertëve të ekonomisë, është vlerësuar se mund të prodhojë krizë sociale në vend. Sipas tyre, pagat e ulëta pamundësojnë që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës, të bëjë jetë normale, duke siguruar ushqim të mjaftueshëm.

Rënia e fuqisë blerëse thonë ata prodhon varfëri, ndërsa varfëria krizë.

Ata kanë bërë thirrje të vazhdueshme për ndërmarrjen e masave urgjente, që do të normalizonin situatën.

Sidoqoftë, institucionet e Kosovës vazhdimisht janë deklaruar se nuk mund të ndikojnë në uljen e çmimeve, por kishin premtuar se do të shqyrtojnë mundësinë për zbutjen e kësaj gjendjeje.

XS
SM
MD
LG