Ndërlidhjet

logo-print

Çmimet e naftës në Kosovë vendosën sipas dëshirës se pronarëve të pompave të karburanteve.

Çmimet për këtë produkt ndryshojnë varësisht nga pompa, lokacioni apo edhe rajoni, thonë përfaqësues të naftëtarëve të Kosovës.

Edhe pse vazhdimisht është thënë se konkurrenca mund të ndikojë në uljen e çmimeve, në Kosovë ka numër të madh të kompanive të derivateve të naftës.

Kompanitë që kanë kapital më të madh, apo siç njihen në vend, kompanitë e mëdha, derivatet e naftës i importojnë nga vende të ndryshme të rajonit dhe të Evropës, ndërsa ato më të vogla furnizohen nga kompanitë e mëdha.

Fadil Berjani, udhëheqës i Shoqatës se Naftëtarëve, njëherësh pronar i kompanisë se derivate të naftës “ Dilloni Benz”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pranon se laramania e çmimit të naftës ekziston në tregun e Kosovës.

Ai madje pohon se askund në rajon nuk ekziston një anarki më e madhe sa i përket tregut derivateve të naftës se sa në Kosovë , duke thënë se në këtë sektor zhvillohet krimi ekonomik.

“ Është pjesa tjetër edhe më shqetësuese, ka kompani apo pika karburanti që shesin naftën nën çmimin furnizues në treg. Kjo është shumë shqetësuese dhe ky sektorë duhet të rregullohet sa më shpejtë”.

"Kur shitet çmimi nën çmimin furnizues këtu duhet të merret hetuesia më këto probleme, sepse ky është një krim ekonomik. Ky sektor nuk është nën kontroll, ky është jashtë kontrolli”, tha Berjani.

Në anën tjetër, qytetarët ankohen për çmime shumë të larta dhe të ndryshme. Valdete Rrahimi, rreth të 30-ve, punon në një dyqan në kryeqytet.

Ajo vozit një Opel Corsa dhe thotë se çmimet janë shumë të larta.

“Çmimi ndryshon nga rajoni në rajon, nuk ka çmim të arsyeshëm, nuk ka çmim stabil”, thotë Valdetja.

Nazmi Bytyqi, ish kryetar i Shoqatës se Naftëtarëve të Kosovës njëherësh pronar i “Petrol Oil Sllovenija” në Kosovë, ndërkaq thotë se çmimi është liberal.

Por, Bytyqi pohon se edhe sasia e lartë e kontrabandës me naftë mund të ndikojë në lloj- llojshmërinë e çmimeve të naftës.

“Kjo kryesisht ndikon pasi luajnë edhe çmimet. Tek ne dihet se taksat ndaj shtetit nuk ndryshojnë, ndryshon vetëm bursa. Në qoftë se tash këtu futet edhe naftë e kontrabanduar, siç e kemi në kufi më Serbinë në veriun e Kosovës dhe nuk monitorohet mirë, atëherë del edhe tek laramania e çmimeve”, tha Bytyqi

Ndryshe, Fadil Berjani thotë se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një rregullator që mbikëqyr çmimet e naftës, rregullator ky që tashmë zbatohet në vendet e rajonit.

Ai madje tregon se në Kuvendin e shoqatës se naftëtarëve, i cili u mbajt gjatë kësaj jave, është votuar që Kosova të ketë një rregullator të çmimit të naftës.

“Në bazë të këtij rregullatori çmimin minimal dhe maksimal e cakton qeveria. Për shembull një euro deri në 1.10 euro mundet të luhatet me çmim, e jo të shitet më çmim furnizues. Prej një pike të karburantit tek tjetra, diferenca është deri në 10 centë”, tha Berjani.

Qeveria e Kosovës nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në masën e çmimit të ndonjë malli, pasi, sipas tyre, oferta, kërkesa dhe tregjet e jashtme përcaktojnë çmimet e produkteve të caktuara.

Çmimet e derivateve të naftës, ndërtohen nga bursa ndërkombëtare, kursi i dollarit, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ( TVSH), akciza dhe shpenzimet tjera.

Përveç çmimit të blerjes, vetëm në Doganat e Kosovës, kompanitë importuese paguajnë akcizë 0.35 euro për një litër naftë, ndërsa për benzinë paguajnë 0.33 euro, pastaj këtu shtohet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, transporti dhe shpenzimet tjera.

Aktualisht, në Kosovë një litër naftë kushton 1 deri në 1.10 euro

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG