Ndërlidhjet

Lideri separatist akuzon, por e gabon emrin e kompanisë


Denis Pushilin
Denis Pushilin

Denis Pushilin, lider separatist i së vetëshpallurës Republikë Popullore e Donjeckut, në pjesën lindore të Ukrainës, ka tërhequr vërejtjen se Ukraina ballafaqohet me rrezik të madh, pasi ka vendosur ta përdorë karburantin atomik nga një kompani e Shteteve të Bashkuara për centralin e vet atomik.

Por, korporata shtetërore atomike e Ukrainës i ka hedhur poshtë pretendimet e Pushilinit, se shkalla e nivelit të radioaktivitetit në centralin atomik në Zaporizhja e ka kaluar normën e lejuar.

Denis Pushilin, në një mënyrë vetvetiu e ka humbur besueshmërinë e pretendimeve të tij duke e gabuar emrin e kompanisë amerikane, pasi tha se ajo quhej Western House, në vend që të thoshte siç është e drejtë, Westinghouse...

Agjencia e lajmeve e Rusisë, Interfax, ka raportuar se në deklaratën e Pushilinit është thënë se Ukraina ballafaqohet me “Çernobilin e dytë” për shkak të vendimit të Kievit për ta përdorë karburantin atomik të furnizuar nga kompania Westinghouse.

Në vitin 1986, aksidenti vdekjeprurës në centralin atomik në Çernobil të Ukrainës, kishte përhapur radioaktivitet në disa pjesë të Evropës.

Denis Pushilin tha se “aktualisht, niveli i rrezatimit është 14 herë më i larë se norma e pranuar” në hapësirat rreth centralit Zaporozhja dhe se kjo kishte filluar më 28 nnëntor , “pas një përpjekjeje të pasuksesshme për zëvendësimin e shufrave në reaktorin e prodhimit rus, me prodhimin e kompanisë amerikane, Western House”.

Agjencia Interfax ka raportuar se nuk ka mundur ta konfirmoj “nga asnjë burim tjetër” pretendimin e liderit separatist prorus për nivelet e rrezikshme të radioaktivitetit afër centralit, që gjendet në perëndim të hapësirave, që kontrollohen nga separatistët prorusë në rajonet Donjeckt dhe Luhansk, në pjesën lindore të Ukrianës.

Korporata atomike shtetërore e Ukrainës, Energoatom, tha se problemi me gjenerator e ka detyruar personelin inxhinierik në centralin Zaporozhja ta shkyç reaktorin e gjashtë nga furnizimi me energji, më 28 dhjetor.

Energoatomi ka njoftuar se nivelet e rrezatimit në central dhe rreth tij ishin normale me “sfondin e rrezatimit natyror në hapësirë”.

Më herët këtë muaj, ministri i energjisë i Ukrianës, Volodymyr Demchyshyn, tha se aksidenti i 28 nëntorit në transferin e energjisë në njësinë e prodhimit numër 3 të centralit, i kishte detyruar autoritetet ta shkyçnin reaktorin numër 3, të centralit, që i ka gjithsej 6 reaktorë me nga 1 mijë megavatë.

Sipas tij, në atë kohë “nuk ka pasur rrjedhje radioaktive”.

Reaktorët në centralin atomik Zaporozhja, që është më i madhi në Evropë, janë ndërtuar sipas projekteve që ndryshojnë nga ato të centralit në Çernobil.

Kompania amerikane, Westinghouse, ka kontratë për të furnizuar 10-15% të karburantit atomik në Ukrainë. Sipas marrëveshjes, që këtë vit është zgjatur deri në 2020-tën, kjo kompani duhet të dërgoj më tepër se 20% të karburantit atomik për Ukrainën, deri në fund të periudhës kontraktuese.

Nga ana tjetër, kompania ruse TVEL, që është pjesë e korporatës atomike shtetërore ruse, Rosatom, vazhdon ta furnizoj pjesën më të madhe për reaktorët e Ukrainës, që të gjithë janë të prodhimit rus ose sovjetik.

Ukraina, që varet nga energjia atomike për gjysmën e nevojave për rrymë elektrike dhe pjesën më të madhe të gazit e improtn nga Rusia, synon ta zvogëloj varshmërinë për energji nga Moska, për shkak të konfliktit lidhur me aneksimin e Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë dhe për luftimet vdekjeprurëse ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve pro-rusë në pjesën lindore të Ukrianës, me ç’rast Kievi dhe perëndimi e akuzojnë Moskën se i mbështet separatistët prorusë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG