Ndërlidhjet

Miratohet buxheti për vitin 2015


Kuvendi i Kosovës, pas miratimit të shumicës së amendamenteve të propozuara nga deputetët e grupeve parlamentare, ka miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2015 ne leximin e dytë.

Buxheti arriti të kalojë pavarësisht kundërshtimeve të opozitës.

Me 69 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime projektbuxheti për vitin e ardhshëm është miratuar.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka premtuar se me këtë buxhet do të bëhen reforma në ekonomi.

Një nga çështje për të cilat u diskutua për kohë të gjatë ndërmjet pozitës dhe opozitës ka qenë çështja rritjes së pagave.

Kryeministri i Kosovë, Isa Mustafa tha se aktualisht nuk ka mundësi të rritjeve të pagave, por mundësitë eventuale do të shikohen gjatë vitit.

"Ne, do të bëjmë përpjekje maksimale që gjatë vitit ta ulim evazionin fiskal, ta luftojmë korrupsionin, ta shtojmë buxhetin. T'i aplikojmë arkat fiskale do të bëjmë çdo gjë dhe nëse bashkërisht e rrisim buxhetin bashkërisht do të vendosim këtu për rritjen e pagave", tha Mustafa.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, derisa ju është përgjigjur deputetëve për çështejn e rritjes së pagave, ka thënë se duhet pasur parasysh edhe interesat e mbi 300 mijë njerëzve të papunë, jo vetëm të atyre qe janë të punësuar.

Me qëndrimin kundër miratimit të buxhetit kanë dalë deputetët e opozitës.

Deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se buxheti është ndarë në harmoni me interesat e partive në pushtet dhe jo në interes të vendit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu që është edhe kryetare Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka kritikuar qeverinë për zvogëlimin e buxhetit organeve të drejtësisë.

"Në kohën kur sistemi i drejtësisë ballafaqohet me probleme të shumta ne nuk kemi rritje të këtij buxheti por zvogëlim dhe shkurtim të tij. Gjithashtu, si kryetare e komisioni kam shprehur vërejtjet e mia për fondin e veriut që është në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës", tha Haxhiu.

Vërejtjet të shumta për projektimin e këtij buxheti kanë dhenë edhe deputetët e Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputetja e AAK-së Donika Kadaj - Bujupi tha se me një buxhet të tillë nuk do të ketë rritje te pagave.

"Ju përmes kësaj qeverisje, duke mos paraparë as në lexim të dytë asnjë masë për rritjen e të hyrave, po e konfirmoni vazhdimin e korrupsionit, ekonomisë jo formale dhe krimit të organizuar. Nëse nuk ka investime siç e konfirmoniedhe në ketë përmbyllje të buxhetit do të thotë se nuk do të ketë as hapje të reja të vendeve të punës", tha Kadaj - Bujupi.

Seanca e filluar në mëngjes është ndërprerë pas një debati në mes të pozitës dhe opozitës lidhur me një pikë shtesë për ta futur në rend të ditës, të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Propozimi i LDK-së, i cili u miratua me shumicë votash, kishte të bënte me zgjatjen e periudhës kalimtare të lirimeve nga Tatimi i Vlerës së Shtuar, duke filluar nga datat 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2015.

Opozita nuk e ka përkrahur këtë propozim, meqë sipas tyre, asnjë dokument sqarues nuk i është dhënë.

Që në pjesën e parë të seancës paradite, nga salla e Kuvendit janë larguar deputetët e Listës Srpska, të cilët janë ndarë të pakënaqur me pjesën e buxhetit ndarë për serbët në veri. Ata nuk janë kthyer më në sallë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 22 dhjetor patë miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2015.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka premtuar se me buxhetin e vitit të ardhshëm do të bëhen reforma në ekonomi.

Ai ka thënë se rritja buxhetore për vitin 2015 pritet të jetë mbi 4 për qind. Projektbuxheti për vitin 2015 është 1 miliard e 576 milionë euro.

XS
SM
MD
LG