Ndërlidhjet

Çështja e të pagjeturve, në bisedimet në Bruksel


Çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të cilët janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, do të kërkohet që të bëhet pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka thënë të hënën kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në takimin që ka zhvilluar me Komisionin qeveritar për personat e pagjetur, si dhe me përfaqësuesit e asociacioneve të familjarëve të këtyre personave.

Kryeministri Mustafa, ka theksuar se kjo çështje do ta ketë përkushtimin më të madh të tij.

“Do ta hapim këtë çështje edhe në dialogun i cili do të mbahet në Bruksel dhe do të kërkohet që çështja e të pagjeturve të bëhet pjesë e dialogut dhe pjesë e zgjidhjes së raporteve, të cilat tani po diskutohen me Qeverinë e Serbisë. Unë konsideroj se kjo është një çështje e cila na preokupon të gjithëve, jo vetëm juve, jo vetëm komisionin, jo vetëm familjarët. Është çështje e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju shpreh edhe një herë përkushtimin tim se do të bëjmë maksimalen që ta shtyjmë këtë proces përpara”, tha Mustafa.

Bajram Qerkinaj, përfaqësues i familjarëve të personave të pagjetur në Komisionin qeveritar për këta persona, ka theksuar se çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur ende vazhdon të trajtohet si çështje humane.

Por, ai ka vlerësuar se qasja në mënyrë të tillë ndaj kësaj çështje, nuk ka dhënë rezultatet e pritura nga familjarët e të pagjeturve.

Prandaj, ai i është drejtuar kryeministrit Mustafa, duke i thënë se ndaj kësaj çështjeje, kërkohet qasje politike dhe presion ndërkombëtar mbi Beogradin.

“Në qoftë se ka vullnet politik kryeministri me stafin e tij, do ta bëj këtë presionin te ndërkombëtarët, e ndërkombëtarët në qoftë se kanë një vullnet politik dhe e shtyni ju procesin sa duhet të shtyhet, do të jep rezultate. Pa një presion ndërkombëtar shumë të madh dhe përkrahjen e juaj të kërkesave që do t’i bëni në Bruksel dhe më gjerë, nuk ka zbardhje të fatit të të pagjeturve”, theksoi Qerkinaj.

Në anën tjetër, kryeministri Mustafa, u ka premtuar përfaqësuesve të familjarëve të personave të pagjetur që angazhimi i Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre nuk do të mungojë dhe për më shumë, do të jetë prioritet.

“Kjo çështje do të ketë prioritet në punët e qeverisë dhe të gjitha ministrive të Republikës së Kosovës. Do ta kemi prioritet edhe në marrëdhëniet dhe në takimet me ndërkombëtarët, këtu dhe jashtë, në mënyrë që të bëhet presion tek Serbia, për të gjetur njerëzit tanë”, tha Mustafa.

Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, ka theksuar se gjatë këtij viti, ekspertët vendor dhe të EULEX-it, kanë realizuar gërmime vlerësuese në 19 lokacione brenda territorit të Republikë së Kosovës, si dhe në tri lokacione të ndryshme në territorin e Serbisë, në Rudnicë të Rashkës, në Batajnicë dhe në Petrovo Selo.

“Nga 22 lokacione (Në Serbi dhe në Kosovë) të proceduara gjatë këtij viti, janë zhvarrosura mbetjet mortore të 75 individëve. Disa nga mbetjet mortore ende janë në proces të identifikimit”, bëri të ditur Gjetaj.

Ndryshe, ende i pazbardhur mbetet fati edhe i 1 mijë e 653 personave, të cilët janë të evidentuar si të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG