Ndërlidhjet

Rrugë të kalueshme, por të vështirësuara për qarkullim


Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës në Kosovë, kanë vështirësuar qarkullimin e trafikut në disa akse rrugore duke shkaktuar edhe aksidente në komunikacion.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se asnjë rrugë në Kosovë nuk është e bllokuar, por që ka rrugë të vështirësuara për qarkullimdhe kryesisht janë ato në zonat malore.

“Ndër rrugët që janë më të vështirësuara për qarkullim janë në rajonin e Pejës, rruga Pejë – Kullë -Rozhajë, në rajonin e Ferizajt, rruga Kaçanik – Hani i Elezit, në rajonin e Gjilanit rruga në drejtim të Novobërdës, në rajonin e Prishtinës, rruga në drejtim të portës katër Keqekollë – Mutivodë, në rajonin e Mitrovicës, rruga në drejtim të Shalës së Bajgores. Po ashtu ka rrugë që janë të vështirësuar dhe ato janë kryesisht rrugët që janë në zona malore”, bën të ditur Kelani.

Kelani thekson se gjatë 24 orëve të fundit, si pasojë e qarkullimit të vështirësuar nëpër rrugët e Kosovës, ka pasur edhe aksidente, por që nuk kanë përfunduar me fatalitet.

Ai tha se brenda 24 orëve janë shënuar 12 aksidente më lëndime në njerëz dhe 63 aksidente tjera më dëme materiale.

Policia e Kosovës ka kërkuar nga ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit dhe të kenë pajisjet dimërore.

Ndërkohë, Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani i ka thënë Radios Evropa e Lirë se brenda 72 orëve në këtë qendër si pasojë e aksidenteve nga moti i ligë kanë kërkuar ndihmë 57 persona.

Lenjani ka thënë se të gjithë personat që kanë kërkuar ndihmë në qendrën emergjente kanë pasur lëndime të lehta trupore dhe jo serioze.

Meteorologët në Prishtinë, kanë njoftuare se gjatë ditëve në vijmë do të ketë reshje bore dhe ulje të temperaturave, që në disa vende malore, temperaturat mund të shkojnë deri në -17 gradë celsius.

Me rënien e temperaturave qytetarët e Kosovës zakonisht përballur edhe më ndërprerje të energjisë elektrike.

Zëdhënësi i Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike, Guri Shkodra i ka thënë Radios Evropa e Lirë se reduktime të energjisë elektrike nuk ka, por që ndërprerje mund të ketë për shkak të prishjeve që kanë ndodhur për shkak të motit të keq.

“Kur ka ulje të temperaturave ne shpesh përballim me prishje në rrejt. Edhe pse këtë vit nëse krahasohet me vitin e kaluar prishjet kanë qenë më të ulëta. Momentalisht për shkak të motit të ligë kemi një numër të prishjeve. Ekipet e KEDS janë në terren duke punuar që prishjet të sanohen brenda një afati të shkurtër kohor”, thekson Shkodra.

Në Kosovë me rënien e temperaturave dhe reshjeve të borës, qytetarët e Kosovës përgjatë viteve janë përballur me probleme të shumta, siç është ndërprerja e energjisë elektrike, mungesa e ngrohjes si dhe komunikacioni i vështirësuar.

XS
SM
MD
LG