Ndërlidhjet

logo-print

Bashkim i Sindikatave të Pavarura të Kosovës shpreh pakënaqësitë rreth zvarritjes së procesit të shpërndarjes së 20 përqindëshit për punëtorët nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore.

Sipas një rregulloreje, 20 për qind nga shuma e përgjithshme e shitjes së ndërmarrjeve, u takojnë punëtorëve.

Alush Sejdiu, nënkryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, shprehet kritik ndaj Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme lidhur më këtë proces.

Ai thotë se punëtorët janë diskriminuar sa i përket kësaj çështjeje duke pritur në marrjen e mjeteve që u takojnë.

“Nuk jemi të kënaqur. Ne vazhdimisht e kemi kritikuar për arsye se ka pasur ngecje shumë të gjata dhe mjetet të cilat merren tani, po të ishin marrë në kohën kur është dashur të merren, dhe sipas afateve ligjore, do të kishin efekt shumë më të madh për punëtorët. Të gjitha pasojat e mospunës së institucioneve të caktuara po i paguajnë punëtoret, sidomos Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme”, thekson Sejdiu.

Në anën tjetër, ekspertët e çështjeve ekonomike, konsiderojnë se 20 përqindëshi është ngushëllim për punëtorët të cilët e kanë humbur të drejtën në pronën shoqërore pas privatizimit.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, eksperti i ekonomisë Ismail Kastrati thekson se shumica e punëtorëve gjatë privatizimit e kanë humbur edhe vendin e punës.

Ndërkaq, procesin e shpërndarjes së mjeteve që u takojnë e konsideron të neglizhuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.

"Prandaj, 20 përqindëshi edhe pse i vonuar, sadopak ia zbut gjendjen sociale ish të punësuarve në ish ndërmarrjet shoqërore. Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme ka qenë shumë e ngadalshme, posaçërisht ndaj punëtorëve shqiptarë, sepse me çdo kusht ka dashur të fusë edhe punëtorët serbë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet sipas rregullores se UNMIK-ut”, tha Kastrati.

Ndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) po vazhdon me shpërndarjen e 20% për punëtorët e kualifikuar, listat e të cilëve janë aprovuar më parë në Bordin e Drejtorëve të Agjencisë.

Në një komunikatë për media të kësaj agjencie thuhet se gjatë këtij muaji ka shpërndarë mjetet për Ndërmarrjet shoqërore “Vreshtaria” në Landovicë, që kanë përfituar 59 punëtorë, 63 punëtorë të tjerë të ndërmarrjes “Lavërtari –Blegori” në Arbanë, si dhe përfitues kanë qene edhe 21 punëtorët e ndërmarrjes “Zadruga” në Shërpcë.

Shuma e tërësishme e fondeve të bartura për shpërndarje kësaj radhe ka qenë mbi 1.1 milion euro, kurse nga kjo shpërndarje kanë përfituar 143 punëtorë të këtyre ndërmarrjeve.

Agjencia Kosovare e Privatizimit deri më tani ka arritur të shpërndajë gjithsej nga fondet e 20 përqindëshit rreth 95 milionë euro, ndërsa numri i përgjithshëm i punëtorëve që kanë përfituar për herë të parë është rreth 43.000 ish punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore ku kishte shitje të aseteve.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG