Ndërlidhjet

SHBA e alarmuar me aksionin e Azerbajxhanit kundër REL-it

  • RFE /RL

Departamenti amerikan i shtetit thotë se shqetësimet për situatën e të drejtave të njeriut në Azerbajxhan janë thelluar, pasi autoritetet e kanë bastisur dhe mbyllur zyrën e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, në kryeqytetin Baku, dhe kanë zhvilluar hetime kundër punonjësve dhe kontraktorëve.

Zëdhënësi i Deparatamentit amerikan të shtetit, Jeff Rathke, gjatë një takimi me gazetarë, mbrëmë vonë në Uashington, tha se “këto aksione, së bashku me moslejimin e qasjes për këshillim juridik gjatë këtyre hetimeve, është shkak i mëtejshëm për shqetësim”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje autoriteteve në Baku “tu përmbahen përkushtimeve të tyre në OSBE dhe ndërkombëtare për respektim të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”.

Jeff Rathke tha se bastisja dhe mbyllja e zyrës së transmetuesit që financohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, u bë vetëm pesë ditë pasi sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i kishte shtruar shqetësimet e Uashingtonit për të drejtat e njeriut në Azerbajxhan, gjatë një bisede telefonike me presidentin e këtij vendi, Ilham Aliyev.

Zyrat e Radios Evropa e Lirë, programi për Azerbajxhan, i njohur si Radio Azadliq, janë bastisur më 26 dhjetor nga hetuesit e prokurorisë shtetërore, të cilët kanë konfiskuar dokumente, dosje dhe pajisje, para se t’i mbyllnin dhe vulosnin zyrat.

Dymbëdhjetë të punësuar në zyre, që ishin arrestuar më 27 dhe 28 dhjetor, për t'u marrë në pyetje, ishin liruar vetëm pasi e kanë nënshkruar një dokument, në të cilin premtojnë se nuk do t’i zbulojnë detajet e hetimeve.

Së paku 8 punëtorë të tashëm dhe të dikurshëm, po ashtu, ishin thirrur në prokurori.

Komentet e zëdhënësit të Departamentit amerikan të shtetit, Jeff Rathke, u bënë pas raporteve se presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i kishte amnistuar 87 vetë të dënuar për krime, përfshirë disa që gjërësisht konsiderohen si të burgosur politikë.

Këtë amnisti, zëdhënësi Rathke e ka quajtur “hap në drejtim të duhur” dhe ka shtuar se “ne kërkojmë nga autoritetet e Azerbajxhanit që të ndërtojnë mbi këto amnisti duke i liruar të tjerët, që janë burgosur lidhur me ushtrimin e lirive të tyre fundamentale”.

Nga ana tjetër, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka dënuar aksionet e Azerbajxhanit kundër zyrës së Radios Evropa e Lirë/Radio Liria në Baku si “një goditje tjetër të rëndë ndaj mediave të lira dhe lirisë së shprehjes” në ish-republikën sovjetike.

Përfaqësuesja e OSBE-së për liri të mediave, Dunja Mijatoviq, në deklaratën e saj tha se Azerbajxhani “duhet të lejoj” vazhdimin e punës Redaksisë për Azerbajxhanin të Radios Evropa Lirë/Radio Liria dhe “ta mbrojë ekzistimin e zërave kritikë në këtë vendd”.

Zyrtari i lartë i presidencës së Azerbajxhanit, Novruz Mammadov, e ka kritikuar një diplomat amerikan, i cili e kishte kritikuar ashpër qeverinë e Azerbajxhanit për shkak të mbylljes së Zyrës së Radios Evropa e Lirë/Radio Liria në kryeqytetin Baku.

Zoti Mammadov, që është drejtor i Departamentit për marrëdhënie të jashtme të presidentit, Ilham Aliyev, në këtë mënyrë i është përgjigjur postimit në rrjetin Twitter nga ana e Ambasadorit ë Shteteve të Bashkuara në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Daniel Bear.

Më 27 dhjetor zoti Bear ka shkruar se vendimi i qeverisë së Azerbajxhanit për ta mbyllur zyrën e transmetuesit të financuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, është sjellje e liderëve “të dobët, të pasigurt dhe të korruptuar”.

Mammadov, po ashtu, në rrjetin Twitter, ka akuzuar se diplomatët amerikanë “po e humbin ndjenjën e tyre të masës” dhe se “do të ishte më mirë” sikur zoti Bear të kujdesej për zhvillimet në vendin e tij.

Islam Shikhali, video-reporter i Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, i tha Zërit të Amerikës se prokurorët e Azerbajxhanit i kishin thënë që të mos diskutojë lidhur me hetimet.

“Më është thënë që unë nuk duhet të bëjë asnjë deklaratë, por avokati im më tha se kjo është absolutisht joligjore. Megjithatë, derisa nuk do t’i zbuloj pyetjet e tyre, unë do të them se ata pyetën në mënyrë shumë të përgjithshme: për rroga dhe për atë se kush më angazhoi mua”, tha Islam Shikhali.

Zeynal Mammadli, kryeredaktor i zyrës në Baku të Redaksisë për Azerbajxhanin në Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, që dëgjuesit në këtë vend e njohin me emrin Radio Azadliq, e ka kritikuar qeverinë për “zhurmë, kërcënime, thirrje për marrje në pyetje pa paralajmërim”.

“Aktualisht, ekziston ndjenja e shqetësimit. Jam i shqetësuar për kolegët e mij. Jam e shqetësuar për jetën e tyre pas kësaj, për rrogat e tyre, disa prej tyre kanë kredi në banka. Mbetja pa punë do të jetë gjë e vështirë. Pra, jam e shqetësuar për ata në nivelin shoqëror dhe atë profesional”, tha Zeynal Mammadli, për Zërin e Amerikës.

Bastisja e zyrës dhe marrja me dhunë në hetime, u bënë derisa prokurorët po zhvillojnë hetime për programin Radio Azadliq si entitet i financuar nga jashtë,

Siyavoush Novruzov, anëtar i lartë i Partisë Yeni Azerbajxhan në qeveri, e ka mbrojtur këtë ndërhyrje duke e cilësuar si çështje të sigurisë kombëtare.

Duke folur për mediat lokale ai tha se mbyllja e zyrës ishte e domosdoshme për parandalimin e spiunimit dhe ka shtuar se “secili lokacion që punon për inteligjencën e jashtme dhe lobin e Armenisë duhet të bastiset”.

Në Bruksel, një zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës tha se “mbyllja e zyrës së Radios Evropa e Lirë përsëri e shtron çështjen e shqetësimeve lidhur me shprehjen e lirë në Azerbajxhan”.

Ky fokus i autoriteteve kundër Radios Evropa e Lirë/Radio Liria po bëhet në periudhën e goditjes së gjërë të autoriteteve në Azerbajxhan kundër gazetarëve të pavarur, aktivistëve dhe organizatave joqeveritare. Autoritetet në këtë vend të pasur me naftë janë kritikuar për këto veprime.

Së paku 15 gazetarë dhe blogerë aktualisht gjenden në burg në Azerbajxhan, përfshirë Khadija Ismayilova, reportere hulumtuese dhe bashkëpunëtore e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria.

Ndër të burgosurit e tjerë janë edhe Leyla Yunus, njëra prej aktivisteve më të njohura për të drejtat e njeriut në këtë vend, në veprimtarinë e së cilës përfshihej edhe normalizimi i lidhjeve me Armeninë fqinje.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG