Ndërlidhjet

Viti 2015 do të jetë përplot sfida për Kosovën në rrugën e saj drejt vendosjes së reformave të vonuara demokratike, kanë deklaruar krerët e institucioneve të Kosovës.

Në pritjet e tyre për gazetarë për festat e fundvitit, udhëheqësit më të lartë të institucioneve kanë thënë se do të angazhohen që të kompensohen gjashtë muajt e humbur të krizës institucionale në mënyrë që Kosova të kthehet në rrugën e zhvillimit dhe përmbushjes së kritereve evropiane.

Presidentja Atiete Jahjaga ka thënë se viti 2015 do të jetë një vit në të cilin Kosovën e pret një punë e madhe. Sipas saj, reformat, të cilat tashmë janë të vonuara, do të jenë të domosdoshme.

Madje, ajo i ka cilësuar disa prej tyre edhe si të dhimbshme.

“Viti 2015 është një vit në të cilin na pret një punë goxha e madhe, një angazhim shumë i madh i të gjitha institucioneve dhe qytetarëve tanë, është një vit, unë i them i reformave të thella që duhet të ndodhin në shtetin tonë, reforma që është dashur të ndodhin ndoshta vite me radhë, por ne tanimë duhet ta zëmë hapin, sepse kemi një rrugë të gjatë të integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë Jahjaga.

Sipas presidentes, reformat në çdo shoqëri, edhe në ato më të avancuara demokratike, janë reforma të cilat në njëfarë mënyre hasin në rezistencë në mesin e qytetarëve.

“Janë reforma të dhimbshme por edhe te domosdoshme, ngase që janë të ndërlidhura me mirëqenien dhe me përmirësimin e jetës së gjithsecilit qytetar të vendit”, ka theksuar Jahjaga.

Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa ka premtuar se në vitin e ardhshëm, qeveria e tij do të përqendrohet në zhvillimin ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit si dhe në proceset integruese.

“Uroj që vitin e ardhshëm, proceset për të cilat jemi zotuar, bashkërisht t’i udhëheqim mirë, t’i realizojmë ato sa i përket hapjes së perspektivës ekonomike, shtimit të vendeve të punës, për më shumë të rinj e të reja dhe për gjithë qytetarët tanë. Do të punojmë edhe sa i përket forcimit të shtetit ligjor, për të cilin jemi zotuar dhe proceset që ne do t’i çojmë përpara, për integrimet evropiane dhe euroatlantike”, tha Mustafa.

Viti 2015 është konsideruar me plot sfida edhe për Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i këtij institucioni, Kadri Veseli megjithatë është shprehur më se i bindur që legjislativi do t’ia dalë që t’i përballoj këto sfida dhe të kryej punën e madhe që ka para vetes.

“Personalisht për vitin 2015 mendoj se do të jetë një vit i sfidave të mëdha dhe të njëjtën kohë do të jetë edhe një vit, besoj fuqishëm, i suksesit të madh të Republikës së Kosovës si shtet dhe të njëjtën kohë edhe të Kuvendit të Kosovës dhe 120 deputetëve të tij”, është shprehur Veseli.

Lidershipi i Kosovës ka veçuar si sfida aspak të lehta themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës, vazhdimin e dialogut me Beogradin dhe arritjen e marrëveshjeve të reja, luftimin e ekstremizmit dhe sanksionimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit, ndaljen e migrimeve ilegale e deri te themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG