Ndërlidhjet

Moskë: Navalny arrestohet nga policia derisa shkonte në protestë


Aleksei Navalny

Aleksei Navalny

Kundërshtari i presidencës së Rusisë, Aleksei Navalny, është arrestuar sot nga policia, derisa përpiqej të arrinte në vendin ku pritej të mbahej një protestë kundër dënimit të tij të sotëm nga një gjykatë ruse, lidhur me një rast të mashtrimit.

Navalny është përpjekur sot në mbrëmje të depërtoj në afërsi të Kremlinit, megjithqë është nën arrest shtëpiak.

Në një fotografi në rrjetin Twitter shihet policia duke e arrestuar këtë personalitet opozitar.

Derisa arrestohej, në faqen e tij në Twitter shkruante: “nuk ia dola të depërtoj në Sheshin Manezh, por kjo nuk do të thotë se ju nuk mundeni”.

Po ashtu, atje shkruante se ftohen protestuesit në Sheshin Manezh që të mos largohen, pasi “ata nuk mund t’i arrestojnë të gjithë”.

Nga ana tjetër, raportohet se policia në Sheshin Manezh ka filluar t’i arrestoj disa protestues dhe i ka futur ata në një autobus.

Më pak se 15 minuta para fillimit të paraparë të protestës, Navalny e shpalli synimin e tij për të marrë pjesë në tubim.

Lëvizjet e tij janë ndjekur nga mbështetësit në Twitter dhe rrjetet e tjera shoqërore në Internet.

Autoritetet e Moskës u kanë tërhequr vërejtjen njerëzve që të mos marrin pjesë në protestë, në të cilën do të kundërshtohej dënimi i Aleksej dhe Oleg Navalnyt lidhur me akuza për mashtrim.

Navalny dhe mbështetësit e tij thonë se akuzat ishin politikisht të motivuara.

XS
SM
MD
LG