Ndërlidhjet

logo-print

Oliver Stone e akuzon Amerikën për krizën në Ukrainë


Regjisori Oliver Stone gjatë një interviste me gazetarë në Moskë më 5 nëntor 2014

Regjisori Oliver Stone gjatë një interviste me gazetarë në Moskë më 5 nëntor 2014

Regjisori amerikan, Oliver Stone, i cili po punon në një film të ri dokumentar lidhur me zhvillimet aktuale në Ukrainë, thotë se beson se të shtënat më 20 shkurt në Kiev, nga të cilat mbetën dhjetëra të vrarë dhe të plagosur, ishin kryer nga “elemente të jashtme” dhe se incidenti i kishte “shenjat e CIA-s në të”.

Këto komente ai i ka bërë mbrëmë vonë në faqen e tij në Facebook, me ç’rast ka shpjeguar se posa ishte kthyer nga Moska, ku ai e kishte intervistuar ish-presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovich.

Megjithatë, zoti Stone nuk tha se përse “duket e qartë” se ata që kanë shtënë me armë ishin “agjitatorë të jashtëm të palës së tretë”, por ka paralajmëruar se detajet do të përfshihen në filmin e tij.

Regjisori Stone, po ashtu, ka vlerësuar se “radikalët neonazistë, të armatosur mirë, e detyruan Yanukovichin të largohet nga vendi me përpjekje të përsëritura të vrasjes”, dhe e ka krahasuar situatën me përpjekjen për grushtshtet kundër presidentit të Venezuelës, Hugo Chavez, në vitin 2002.

Ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovich, ishte larguar në Rusi, disa ditë pas të shtënave, meqë për muaj të tërë kishte pasur protesta kundër vendimit të tij për shkatërrimin e planeve për marrëveshje madhore me Bashkimin Evropian, dhe për afrim të mëtejshëm me Rusinë.

Regjisori Stone tha se “Perëndimi e ka mbajtur dominant tregimin për Rusinë në Krime, megjithqë tregimi i vërtetë është Amerika në Ukrainë”. Ai këtë e cilëson si “tregim i ndyrë” që vazhdon.

Rusia e ka aneksuar Krimenë e Ukrainës në muajin mars, dhe ky veprim i Moskës është dënuar nga Kievi dhe Perëndimi, që e kanë cilësuar si ilegal.

XS
SM
MD
LG