Ndërlidhjet

Në vitin 2014, grupi i Shtetit Islamik [IS] u shfaq si një nga grupet më të fuqishme xhihadiste, duke e rivalizuar edhe Al-Kaidën. Ekstremistët tashmë kontrollojnë territore të ndryshme nëpër Siri e Irak, dhe numërojnë mijëra ushtarë -- shumë nga ta edhe nga Evropa Perëndimore.

Një koalicion kundër IS-it i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mobilizuar më shumë se 60 shtete, përfshirë shtete arabe, kundër grupit.

Megjithatë, muaj pas bombardimeve, militantët e IS-it ende janë duke kërcënuar se do të marrin edhe më shumëterritore, dhe po vazhdojnë të tërheqin luftëtarë të huaj, dhe ekzekutojnë pengje nga Perëndimi, Siria e Iraku.

Derisa kjo situatë kaotike ndryshon me shpejtësi, e bën shumë të vështirë parashikimin se çfarë mund të ndodhë në muajt në vijim, Radio Evropa e Lirë ka pyetur një numër të analistëve dhe ekspertëve të vlerësojnë se çfarë mund të pritet nga Shteti Islamik në vitin 2015.

IS do të mundohet të marrë më shumë territore në Irak -- dhe mund të marrë provincën Anbar

Shteti Islamik është "i varur nga fitoret e njëpasnjëshme dhe marrjes së territoreve për tëmbajtur bazën e tij" dhe do të vazhdojë të shikojë për "caqe dhe shanse" për të marrë Irakun dhe Sirinë, thotë analisti irakian me vendndodhje në Amerikë, Joel Wing.

Në këto caqe përfshihet provinca më e madhe e Irakut, Anbar -- për të cilën liderët vendorë kanë bërë me dije se do të bie, nëse forcave të sigurisë së Irakut nuk do t'iu jepet më shumë ndihmë ushtarake nga qeveria irakiane.

Caleb Weiss, i cili bashkë-shkruan në faqen e internetit "The Long War Journal", thotë se provinca e Anbar-it do të vazhdojë të jetë çështje debatimi derisa IS mundohet të fitojë këtë terren.

"[Shteti Islamik] tashmë kontrollon mbi 60 për qind të Ramadit [kryeqytetit të Anbar] dhe nëse forcat irakiane të sigurisë dhe aleatët tanë suni nuk marrin mbështetje efektive, unë mendoj se Anbar-i do të bjerë", tha Weiss.

Weiss thotë se ne mund të shohim Shtetin Islamik duke u bërë edhe më aktiv përgjatë kufirit të Irakut me Jordaninë.

Më shumë sulme ajrore në Irak e Siri

Udhëheqësit ushtarakë të koalicionit kanë raportuar shenja se sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA-ta kanë detyruar Shtetin Islamik të kalojë nga një ofensivë në një strategji mbrojtëse në Irak dhe në disa pjesë të Sirisë, sidomos në qytetin verior sirian, Kobani.

Këto sulme duket se do të vazhdojnë, madje edhe mund të intensifikohen. Duke folur për liderët e koalicionit më 3 dhjetor, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u zotua të vazhdojë fushatën kundër IS-it për "aq kohë sa ajo merr", derisa presidenti francez Francois Hollande tha se Franca është e gatshme të marrë pjesë në po të njëjtat sulme.

Analistët tërheqin vërejtjen se Perëndimit do t'i duhet të bëjë shumë më shumë gjatë vitit 2015, nëse ky koalicion dëshiron të ketë ndikim kundër Shtetit Islamik.

Perëndimi nuk është "duke bërë asgjë pranë burimeve të mjaftueshme për të bërë një ndryshim të vërtetë", thotë analisti Wing. "Tani për tani koalicioni është më shumë një telash sesa një ndryshim-krijues në Siri dhe Irak", thotë Wing thotë, duke vënë në dukje se IS ka qenë në gjendje të nisë sulme të mëdha kundër qyteteve të Irakut, pavarësisht sulmeve perëndimore.

Megjithatë, SHBA nuk ka gjasa të dërgojë trupa tokësorë për të luftuar kundër IS-it. Siç kishte thënë një ish-zyrtar i administratës më 3 dhjetor: "Presidenti [Obama] ka qenë i qartë dhe nuk ekziston skenari që trupat tokësore amerikanë të shkojnë atje".

Më shumë mbështetje për fiset sunite

Përveç sulmeve të vazhdueshme ajrore, ne gjithashtu mund të presim mbështetje në rritje nga Shtetet e Bashkuara për fiset sunite të Irakut të cilët janë në front në luftën kundër IS.

Një dokument i Pentagonit i përgatitur për Kongres theksoi rëndësinë e mbështetjes së forcave fisnore sunite kundër IS, dhe tha se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të shpenzojnë 24.1 milionë dollarë për armatosjen e tyre.

Megjithatë, mbështetja e SHBA-së për këto fise duhet "bëhet në një shkallë shumë më të lartë", thotë analisti Weiss, i cili beson se duke iu siguruar armatosje të mjaftueshme fiseve sunite do të jetë" çelësi për t'i mundur militantët e Shtetit Islamik" në muajt e ardhshëm.

Rekrutimet do të vazhdojnë, sikurse edhe përpjekja për t'i ndaluar ato

Raportet e fundit thonë se IS ka relaksuar apo edhe ka hequr dorë nga masat e sigurisë për luftëtarët e huaj. Grupi gjithashtu është duke zgjeruar rrjetin e vet të kampeve të trajnimit në të gjithë Sirinë dhe ka vazhduar të tërheqë rekrutë - përfshirë gra - nga Evropa Perëndimore, Azia Qendrore dhe Azia Juglindore.

Ky trend duket se do të vazhdojë.

Për t'iu kundërvënë rekrutimeve, ne mund të presim të shohim përpjekjet e shtuara nga qeveritë e ndryshme të botës për të dënuar shtetasit e tyre që udhëtojnë në Irak dhe Siri. Hapa të tillë tashmë janë marrë nga shumë vende.

Kampet e trajnimit do të vazhdojnë të shpërndahen

Shteti Islamik do të vazhdojë të zgjerojë kampet e trajnimit në Siri dhe Irak, mes përpjekjeve të shtuara për të trajnuar fluksin e rekrutëve dhe luftëtarët ekzistuese në ato vende.

Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të më siguri do të marrë masa për t'u munduar të ngadalësojë këto përpjekje.

Caleb Weiss, i cili bashkë me kolegun e tij Bill Roggio kanë numëruar në hartë 25 qendra trajnimi te IS-it në Siri e Irak, thotë se sulmet ajrore në këto kampe "mund të ndihmojnë të ndalojnë rekrutimet e IS-it".

Grupe tjera xhihadiste do t'i bashkohen IS-it

Nëse Shteti Islamik mund të vazhdojë me fitore në Siri dhe Irak, dhe në qoftë se ai mund të vazhdojë me përpjekjet e shkëlqyera propagandistike, ndikimi i tij ka të ngjarë të përhapet në grupe më lokale, që do të zotohen për besnikëri ndaj Shtetit Islamik dhe liderit të tij, Abu Bakr al-Baghdadi.

Grupet në vende si Sinai, Algjeria dhe Arabia Saudite tashmë janë betuar për besnikëri për Bagdadin, dhe ekspertë në Libi kanë paralajmëruar se qyteti lindor Derma po shfaqet si një fortesë e Shtetit Islamik.

Më shumë grupe separatiste në Kaukazin Verior të Rusisë mund të zotohen për besnikëri ndaj IS-it, derisa ndikimi në rritje i grupit militant vazhdon të destabilizojë dhe fragmentojë kryengritjen në atë rajon.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG