Ndërlidhjet

logo-print

Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë kemi marrë mendimet e të rinjve, rreth asaj se çka ata presin nga viti 2015.

Shumë nga ta kanë thënë se do të dëshironin të ketë më shumë vende të reja pune për të rinjtë, por nuk e kanë lënë pa e përmendur edhe liberalizimin e vizave.

Antigona Morina, 27 vjeçare është treguar mjaft pesimiste, pasi që sipas saj viti që po e lëmë pas ka qenë mjaft i vështirë, dhe nuk pret ndonjë lëvizje pozitive as në vitin 2015.

"Bash asgjë nuk pres. Jemi dëshpëruar mjaft në vitin 2014, prej qeverisë së re bash asgjë nuk presim. Shumë keq, jemi shumë të dëshpëruar. Ishalla bëhet mirë.Mendoj se shumë të rinj do të ikin, asgjë pozitive nuk lëviz".

Ndryshe shkalla e papunësisë te të rinjtë nga mosha 15 deri në 24 vjeç, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 55 për qind.

Derisa, sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare në Kosovë, është vlerësuar se papunësia e përgjithshme është mbi 30 për qind si dhe me një nivel të lartë të varfërisë.

Por, jo edhe Kaltrina Basholli mendon si Antigona.

"Pritshmëria ime nuk është e madhe. Optimizmin e kemi ne shqiptarët të lartë. Shpresoj se gjërat do të rregullohen. Problemi më i madh në Kosovë është punësimi. Mandej mendoj se vetvetiu do të vijnë në vend gjërat. Sa i përket liberalizimit të vizave, as në horizont mendoj që nuk është. Nuk jemi as afër me liberalizim. Nuk pres që viti 2015 do të sjell liberalizim".

Problematika e liberalizimit të vizave ka qenë aktuale gjatë gjithë vitit 2014. Të rinjtë kanë theksuar se ndihen të izoluar, pasi që Kosova ka mbetur vendi i vetëm në Ballkan, qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin pa viza.

Besart Kastrati 22 vjeçar, student i Fakultetit Juridik, ka thënë se institucionet e Kosovës kanë ngecur në përmbushjen e shumë kritereve për të qenë pjesë e familjes evropiane dhe si të tillë të rinjtë e Kosovës, shton ai, kanë mbetur të izoluar.

“Nuk i kemi plotësuar të gjitha kushtet që të jemi evropianë. Kemi shumë fusha ku duhet të punohet më shumë. Ka rregulla për të qenë pjesë e Evropës, duhet punë".

Ndëraq Edmond Berisha, i papunë , ka kryer fakultetin ekonomik. Ai shpreson që në vitin 2015 do të ketë më shumë vende të reja pune, derisa liberalizimin e vizave e sheh si problematike.

"Shpresoj të ketë vende të punës. Nuk kemi shpresë për liberalizim të vizave. Ka shumë probleme që do ta pengonin liberalizimin e vizave. Prej qeverisë së re nuk presim shumë".

Ndërkaq Labinoti, student i fakultetit të arteve duket të jetë mjaft pesimist për pritjet e vitit 2015.

"Nuk presim asgjë, njejtë. Dita e mirë shihet në mëngjes. Nuk mendoj se do të ketë vende të reja të punës e as liberalizim".

Për liberalizimin viti 2014 nuk solli asnjë lajm të mirë.

Përkundrazi, gjatë këtij viti u shtua numri i migrimeve ilegale dhe azilkërkuesve nëpër vendet e Bashkimit Evropian, ç’gjë u interpretua si pengesë shumë e madhe për Kosovën që të hyjë në zonën e lëvizjes së lirë Shengen.

Të rinjtë janë shprehur kundër migrimit të paligjshëm, por, siç kishin theksuar, ata trendi në rritje i kësaj dukurie është pikërisht për shkak të mos perspektivës së tyre në këtë vend.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG