Ndërlidhjet

Si reagoi Perëndimi para 15 vitesh ndaj Putinit?


Vladimir Putin

Vladimir Putin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ishte pothuajse i panjohur në Perëndim, kur u ngrit në pozicionet më të larta shtetërore, para 15 vitesh.

Vlerësimet e para për Putinin, silleshin prej optimizmit ekstrem e deri te një ndjenjë e misterit dhe shqetësimit.

Më 31 dhjetor 1999, presidenti i atëhershëm i Rusisë, Boris Yeltsin, paraqiti dorëheqje dhe me të shpejtë e emëroi kryeministrin e vet, Vladimir Putin, si ushtrues detyre.

Putini ishte praktikisht i panjohur për shumë në Perëndim, për të cilin kishin vetëm informacionin se ishte emëruar kryeministër në muajin gusht të atij viti.

Tash, pas 15 vitesh, Putini e ka kultivuar një qëndrim në rritje konfrontues ndaj Perëndimit, që është parë nga konfliktet e Rusisë me qeveritë në Ukrainë dhe Gjeorgji, që kishin prirje perëndimore.

Po ashtu, zoti Putin i ka goditur kundërshtarët politikë dhe mediat kritike ndaj tij. Të gjitha këto janë kritikuar gjërësisht nga zyrtarët amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian.

Pasi e filloi pushtetin e tij, megjithatë zyrtarët perëndimorë reaguan me optimizëm ndaj deklaratave publike të Putinit, të cilave u mungonte pjesa më e madhe e retorikës së tij agresive të politikës së jashtme, që është shndërruar në simbol të paraqitjeve aktuale publike.

Duke folur para kombit për të parën herë, para 15 vitesh, me rastin e Vitit të Ri, ai tha:

“Shteti do të qëndrojë fuqishëm për ta mbrojtur lirinë e të shprehurit, lirinë e ndërgjegjes, lirinë e mediave masive, të drejtën pronësore, që janë elemente fundamentale të shoqërisë së civilizuar”.

Pas dy ditësh, sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, vlerësoi se fjalët e Putinit ishin pozitive.

“Ne jemi mjaft të inkurajuar nga fjalimi ku ai foli për rëndësinë e lirisë së shprehjes, të bashkimit, të shtypit dhe për dedikimin e tij për sundim të ligjit”, i tha Medeleine Albright, rrjetit NBC, dhe ka shtuar se “ne do t’i ndjekim këto gjëra, qartas, në mënyrë shumë të kujdesshme”.

Bërja e “biznesit”

Zonja Albright e ka lavdëruar Putinin si “person i cili do të punoj”, ndërsa nënsekretari amerikan i shtetiti, Thomas Pickering, tha se Putini, ish-oficer i inteligjencës, “duket se e ka zgjeruar kapacitetin e tij në mënyrë shumë të shpejtë”.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, tha se ai kishte menduar se me Putinin “Shtetet e Bashkuara mund të punonin”.

Motivi i “biznesit” lidhur me diskutimet për Putinin, ka vazhduar në Uashignton, përkundër raporteve të përkeqësuara bilaterale.

Presidenti aktual amerikan, Barack Obama, po ashtu, e ka shfrytëzuar përshkrimin “gatishmëri për biznes” lidhur me marrëdhëniet e tij të tensionuara në rritje me Putinin.

Origjina nga KGB-ja

Vladimir Putin nuk e ka përmendur punëdhënësin e tij të mëparshëm, KGB-në, në fjalimin e tij para kombit, megjithatë ai ka bërë referenca të komplikuara dhe gati të pakuptueshme për policinë famëkeqe sekrete sovjetike, pak kohë pas emërimit të tij si ushtrues i detyrës së presidentit.

Duke folur në Shoqatën moskovite të shkrimtarëve PEN, në dhjetor të vitit 1999, Putin e ka mbrojtur punën e tij si oficer i KGB-së, ndërsa e ka lavdëruar “shoqërinë civile”.

Duke folur për vuajtjet nën diktatorin sovjetik, Josef Stalin, Putini tha se agjencitë e sigurimit, “nuk duhet të shihen si institucione, që punojnë kundër shtetit”, dhe se ajo që “ka sjellur dëm te shoqëria”, gjatë periudhave sovjetike ishte ishte unike për atë kohë.

“Duhet të mbahet mend se çfarë lloji i shoqërisë ishte... ishte në vend krejtësisht tjetër dhe ky vend i ka krijuar këto trupa të sigurisë”, tha Putin, sipas gazetës, Washington Post.

Putin ka shërbyer si oficer i KGB-së në qytetin Drezden, në Gjermaninë Lindore, gjatë viteve të 80-ta.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, tha se ishin “dy qëndrime” ndaj Putinit: e kaluara e tij në KGB dhe roli i tij si “reformues i parë” në administratën e qytetit Shën Petersburg, në vitet e 90-ta.

Lilia Shevtsova, për një kohë të gjatë ishte analiste politike për Rusinë dhe tash është një kritike e zëshme e Putinit, duke argumentuar se kjo e kaluar e oficerit të inteligjencës më nuk ishte e rëndësishme për rusët.

“Askush nuk mendon më për origjinën e tij në KGB”, tha Shevtsova për Radion Publike Kombëtare, më 31 dhjetor 1999, dhe ka shtuar se “kjo nuk është e rëndësishme për rusët”, e veçanërisht për gjeneratën e re.

Keq-udhëheqja e turpshme

Gjatë mandatit të kufizuar të Putinit si kryeministër në vitin 1999, Rusia e lansoi luftën e dytë kundër sepratistëve në Çeçeni, në përgjigje të sulmeve terroritse në Moskë dhe në qytetet e tjera.

Për shkak të kësaj lufte, popullariteti i tij në Rusi u rrit, ndërsa zyrtarët perëndimorë e kritikuan për brutalitetin e tij.

Në një shkrim për personalitetin politik të Puntinit në Washington Post, gazetari, David Hoffman, i ka theksuar akuzat se lideri rus ishte i angazhuar në “kequdhëheqje të turpshme” në fushatën informative për ofensivën në Çeçeni.

Disa nga kritikat e gazetarit Hoffman patën jehonë nga zyrtarët perëndimorë, këtë vit, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës, nga ana e Rusisë dhe për rolin e saj në konflitkin ndërmjet separatistëve prorusë dhe forcave të Ukrainës, në pjesën lindore të këtij vendi.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG