Ndërlidhjet

Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë duke u trajtuar tri raste të reja të dyshuara me virusin A H1N1, i njohur ndryshe edhe si gripi i derrit.

Drejtuesit e klinikës së sëmundjeve ngjitëse, kanë thënë se personat e dyshuar me këtë sëmundje aktualisht janë jashtë rrezikut për jetë.

Drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani, tha për Radion Evropa e Lirë, se tre të sëmurët po trajtohen me terapi simptomatike.

“Aktualisht po trajtohen tri traste të dyshimta nga sëmundja e gripit influenca A H1N1. Njëri nga ta veç është liruar nga spitali, është nga Ferizaj, kurse këto dy rastet e tjera janë në hulumtim të analizave”, ka thënë Ramadani.

Virusi H1N1, i tipit A, nuk transmetohet nga konsumimi i mishit apo kontakti me derrin, por transmetohet nga njeriu tek njeriu, njëjtë si gripi i normal.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tregon se virusi H1N1 është prezent në Kosovë.

Megjithatë ai ka thënë se rastet janë në numër të vogël dhe nuk ka hapësirë për brengosje.

“Që nga muaji shtator e deri me sot, ne kemi regjistruar mbi 7 mijë raste të gripit me tablo të lehtë klinike dhe tre raste pozitive të gripit me tablo të rëndë klinike ose me A H1N1, nga këto raste për shkak të komplikimeve dhe sëmundjeve kronike një ka pësuar me fatalitet."

"Kjo situatë faktikisht është numër minimal i paraqitjeve të rasteve për sezonë. Ne presim duke pasur parasysh se sezoni i dimrit është në vlug apo në fillim, presim që të kemi raste prapë”, tha Ramadani.

Virusi A, H1N1 ka shkaktuar mbi 18,400 të vdekur në të gjithë botën, që nga shfaqja e tij për herë të parë në prill të 2009-ës në Meksikë, kurse në Kosovë deri më tash, kanë humbur jetën 14 persona.

Epidemiologët kosovarë thonë se një grip i tillë mund të kaloj lehtë, por komplikime mund të paraqiten te ata persona të cilët kanë sëmundje kronike dhe që janë të moshuar.

Simptomat e këtij virusi janë të ngjashme me ato të një gripi të zakonshëm si, temperatura, ethe, dhimbje të muskujve, nyejve trupore, dhimbje poshtë kraharorit, diarre, e të tjera.

Autoritet kompetentet shëndetësore në Kosovë, thonë se kanë medikamente të mjaftueshme për trajtimin e këtij virusi.

Ata thonë po ashtu se në kuadër të masave preventive për ballafaqim me rastet e virusit të A-H1N1, në Kosovë zbatohen të gjitha masat parandaluese, të cilat janë rekomanduar.

Kryetari i Komitetit Nacional për sëmundje infektive, Isuf Dedushaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se e vetmja masë se sigurt e parandalimi të këtij virusi është vaksina.

“Masa që duhet ndërmarrë në parandalimin e gripit, i cili do lloj qoftë ai sezonal, H1N1, ose H1N3, ose gripi i shpezëve, është vaksina. Ne sivjet kemi pas një vaksinë të kombinuar me virusin H1N1, H1N3 dhe me gripin “B” , kështu që janë shpërndarë rreth 80 mijë doza të vaksinave në shkallë vendi”, tha Dedushaj.

Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, tha se institucionet shëndetësore kosovare, janë të përgatitura dhe po vëzhgojnë situatën rreth viruseve të ndryshme.

Ai ka shtuar se tash më gripi A H1N1, konsiderohet si grip sezonal e jo pandemik.

“Është një përqindje shumë më e vogël e rasteve me H1N1, sesa të tipeve të tjera të virusit të gripit sezonal. Fatkeqësisht një numër i këtyre rasteve përfundon fatalisht”, tha Syla për REL.

Thuhet se ajo çfarë e bën gripin e derrit më të rrezikshëm, është aftësia e virusit për të prekur thellë dhe shpejt mushkëritë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG