Ndërlidhjet

Prishtina e Beogradi rinisin dialogun me tema të nxehta


Vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, është potencuar si një nga prioritetet politike, jo vetëm për Kosovën, por edhe Serbinë për vitin 2015.

Analistët politik, presin që dialogu të vazhdoj por, preferojnë që qeveria e re të ketë një pozicion të ri, duke garantuar më shumë transparencë dhe kontroll parlamentar të marrëveshjeve të arritura.

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike e Politike në Prishtinë, mendon se Prishtina, përmes një pozicioni të ri, duhet të angazhohet që vazhdimi i dialogut të mos përfshijë në vete edhe çështje të rregullimit të brendshëm të Kosovës, por vetëm çështje bilaterale mes dyja shteteve dhe tema që kanë të bëjnë me largimin e prezencës së shtetit të Serbisë në Kosovë.

"Besoj që janë tri prioritete që janë edhe në listën e Bashkimit Evropian, që eventualisht mund të jenë tema të këtij dialogu. E para është çështja e sistemit gjyqësor në veriun e vendit, ngase në veriun e vendit vazhdon që të mos ketë prezencë as të sistemit prokurorial e as gjyqësor të Republikës së Kosovës", ka thënë Korenica.

Dy temat tjera, sipas Fisnik Korenicës, do të duhej të ishin ndalja e financimit nga ana e Beogradit për shërbimet publike në komunat veriore të Kosovës dhe largimi i barrikadave.

Ndërkohë, Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë se dialogu do të jetë kryesisht i ndërlidhur me implementimin e marrëveshjes së parë të Brukselit, e cila, realisht, është dashur të zbatohet gjatë vitit 2014.

"Besoj që liderët e Kosovës, Mustafa e Thaçi, duhet të jenë të angazhuar së bashku në procesin e dialogut. Po ashtu edhe në Serbi, Vuçiq e Daçiq, do të jenë pjesë përbërëse e dialogut. Do të shohim një rinisje të dialogut me çështjet e mbetura, kyçe, të marrëveshjes së parë, që ndërlidhet me Asociacionin dhe kompletimin e integrimit të serbëve të Kosovës, në kuadër të jetës institucionale të Kosovës", ka thënë Rashiti.

Sipas Naim Rashitit ky proces do të duhej të përmbyllej brenda vitit 2015, në mënyrë që në vitin 2016, të mos ketë më institucione të financuara paralelisht nga Republika e Serbisë në Kosovë.

Në anën tjetër, Fisnik Korenica mendon se Prishtina zyrtare do të duhej që në takimin e radhës në nivel kryeministrash, që sipas paralajmërimeve, mund të mbahet më 9 shkurt në Bruksel, ta bëj me dije se nuk ka zbatim të marrëveshjeve pa largimin e barrikadës mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë dhe pa largimin e strukturave paralele të sigurisë që kontrollohen nga Serbia.

Korenica ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve të Beogradit që një nga temat e diskutimit të jetë statuti i Asociacionit të Komunave Serbe, duke thënë se krijimi i këtij Asociacioni është përmbyllur si temë debati dhe tani serbët lokal në koordinim me Qeverinë në Prishtinë, duhet të miratojnë edhe statutin.

"Natyrisht që statuti i Asociasionit të Komunave Serbe është një pikë problematike, por Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të duhej që të pranonte ta fuste atë në dialog të ri me Beogradin sepse një gjë e tillë do të nënkuptonte hapje të marrëveshjes së 19 prillit dhe vazhdim të retorikës që ka përfunduar dhe është dashur të përfundonte në muajin prill të vitit të kaluar", ka theksuar Korenica.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, pati deklaruar se qeveria e tij do ta ketë prioritet dialogun, por do të insistoj që ai të jetë më i qartë dhe marrëveshjet të jenë më mirë të detajuara.

"Ne dëshirojmë që edhe profili i dialogut si edhe përmbajtja dhe kornizat e dialogut, të jenë të tilla që të garantojnë qëndrueshmëri që mos të vijmë në situatë që njëherë të dialogojmë dhe të merremi vesh në Bruksel dhe pastaj të ulemi së dyti dhe të dialogojmë se si të zbatohen marrëveshjet që arrihen në Bruksel, por që të arrijmë deri te marrëveshjet që mund të zbatohen pa probleme", ka thënë Mustafa.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Pas një periudhe dinamike të bisedimeve gjatë vitit 2013, në vitin 2014, kishte më shumë takime në nivele teknike, për shkak të zgjedhjeve dhe formimit të institucioneve të reja si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.

Përmes këtij procesi, Brukseli po synon të arrijë deri te normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si një nga parakushtet për realizimin e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitet e ardhshme.

XS
SM
MD
LG