Ndërlidhjet

SHBA: Nuk ndryshon plani i tërheqjes nga Afganistani


Ushtria e Shteteve të Bashkuara thotë se orari për ulje të mëtejshme të numrit të trupave në Afganistan, nuk ka ndryshuar, pasi presidenti afgan, Ashraf Ghani, kishte sugjeruar se ky plan duhet të rishqyrtohet.

Zëdhënësi i Pentagonit, Steve Warren, tha mbrëmë vonë se “plani mbetet i tillë dhe nuk ka pasur ndryshime për orarin e tërheqjes”.

Shtetet e Bashkuara po i mbajnë më se 10 mijë trupa në Afganistan, pas përfundimit të misionit luftarak të udhëhequr nga NATO-ja, që përfundoi në dhjetor.

Zoti Warren tha se deri në fund të këtij viti, numri i trupave do të zvogëlohet në 5 mijë, ndërsa në vitin 2016, do të ketë një prani “normale” në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin Kabul.

Për shkak të sulmeve të shpeshta të militantëve talibanë, presidenti afgan, Ashraf Ghani, pardje ka kërkuar që “të ketë vullnet për rishqyrtim të afatit”.

Analistët thonë se presidenti amerikan, Barack Obama, eventualisht do të mund ta rishqyrtonte orarin e tërheqjes dhe se në këtë kuadër, nëse ai vendos ta bëjë këtë, atëherë deklarata e zotit Ghani do të ndihmonte në arsyetimin e vendimit të tij.

XS
SM
MD
LG