Ndërlidhjet

logo-print

BE: Viti 2015 – rrugë me vështirësi

  • RFE /RL

Gjatë vitit 2015 në dy shtete anëtare të Bashkimit Evropian mbahen zgjedhje. Kjo dhe beteja përçarëse lidhur me sanksionet kundër Rusisë, mund të krijojnë probleme për Bashkimin Evropian këtë vit.

Në momentin kur mendohej se kriza në eurozonë ka përfunduar, Brukseli mund të ballafaqohet me një vit të ashpër.

Zgjedhjet në Greqi – krizë e re në Eurozonë

Pas tri përpjekjeje të dështuara në muajin dhjetor për ta zgjedhur presidentin në Parlamentin e Greqisë, kryeministri, Antonis Samaras, ishte i obliguar në mënyrë kushtetuese për shpallje të zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Zgjedhjet më 25 janar e hapin derën për mundësinë e krizës së re ekonomike në këtë vend, pas asaj që shpërtheu në vitin 2009.

Shkak për këtë shqetësim është se partia e zotit Samaras, Partia e Re Demokratike, e krahut të qendrës së djathtë, në hulumtimet e opinionit është për 3% prapa Partisë Syriza, që është një parti populliste e majtë.

Lideri i Partisë Syriza, Alexis Tsiparas, ka paralajmëruar se do t’i rrisë rrogat, do t’i zgjeroj vendet qeveritare të punës dhe do të kërkoj që eurozona t’i shlyjë disa borxhe të Greqisë.

Secila nga këto lëvizje do të jenë në kundërshim me përkushtimet e Athinës, që i ka bërë lidhur me kreditë ndërkombëtare, pas krizës së vitit 2009.

Kjo mund të shkaktoj që vendi të falimentoj dhe do të detyrohej të largohej nga eurozona.

Nëse kjo ndodhë, disa vende të tjera mund ta ndjekin këtë veprim dhe monedha e përbashkët, euro, mund të jetë nën presion të madh ose të shkatërrohet plotësisht.

Konfrontimi lidhur me sanksionet kundër Rusisë

Çështja lidhur me sanksionet kundër Rusisë mund ta përçajë shumë Bashkimin Evropian këtë vit, pasi do të shtrohet pyetja nëse sanksionet kundër Rusisë, të imponuara vitin e kaluar për aneksimin e Krimesë së Ukrainës dhe për intervenim në pjesën lindore të Ukrainës, duhet të ripërtrihen ose jo.

Moska gjërësisht pret të bëjë çdo gjë të mundshme për ta nxitur ndarjen në mesin e vendeve anëtare të BE-së.

Sanksionet e para për ripërtritje, në muajin mars, janë ngrirja individuale e pasurive dhe ndalja e dhënies së vizave, që janë imponuar vitin e kaluar.

Meqë ky aspekt i sanksioneve ka të bëjë kryesisht me separatistët dhe pjesëtarët e nivelit të ulët të parlamentit, me gjasë ato do të vazhdojnë pa ndonjë rrëmujë.

Por, vendimet e mëdha, priten në qershor dhe në korrik, kur sanksionet ekonomike kundër bankave ruse dhe industrisë së energjisë në Rusi, duhet të rishqyrtohen.

Vendimi për vazhdimin e sanksioneve duhet të jetë unanim, pra për to duhet të votojnë të 28 shtetet anëtare. Por, ka mjaft vende që mund të hezitojnë të pajtohen për shkaqe të ndryshme.

Vendet jugore mund të kenë vështirësi nga problemet e përmendura të eurozonës dhe arrgumentojnë se është e nevojshme një qasje më e madhe në tregun e Rusisë.

Ngjashëm, shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian në pjesën lindore mund të thonë se ndalja e importeve të prodhimeve të agrikulturës nga Rusia, po ka ndikim të madh negativ në arkën e tyre shtetërore.

Shqetësimet se Rusia po lëvizë në teh të shkatërrimit ekonomik, është një argument tjetër për moszgjatjen eventuale të sanksioneve, i cili me gjasë do të dëgjohet fuqishëm në Bruksel këtë vit.

Largim i Britanisë nga BE-ja?

Britania deri tash disa herë është shprehur në mënyrë kritike për Bashkimin Evropian. Por, zgjedhjet e ardhshme më 7 maj, mund të jenë fillim i përfundimit të anëtarësisë së këtij vendi në BE. Së paku, mund të ndodhë që do të fillojnë negociata të vështira të Londrës me Brukselin lidhur me marrëveshjet e BE-së.

Kryeministri britanik, David Cameron, ka premtuar referendum për anëtarësimin e vendit në BE, nëse Partia Konservatore e tij i fiton zgjedhjet. Aktualisht, hulumtimet e opinionit tregojnë se gjasët e zotit Cameron për të mbetur në qeveri janë të mira.

Kryeministri Cameron tha se referendumi do të mbahet në vitin 2017, por më vonë ka paralajmëruar se ai do të mund të mbahej më herët.

Ka pasur edhe spekulime në media, se Partia e Pavarësisë e Mbretërisë së Bashkuara (UKIP), që është me pikëpamje evroskeptike, mund të bëhet partner i ri në qeverinë e udhëhequr nga konservatorët.

Para organizimit të referendumit, zoti Cameron planifikon zhvillimin e negociatave të reja për kushtet e anëtarësisë së Britanisë në Bashkimin Evropian, që mendohet se, së pari, Londra do të kërkonte kufizim të përfitimeve të shtetasve të papunë të BE-së në Britani.

Rrjedhimisht, kjo mund të shkaktoj një proces të mundimshëm të ndryshimit të marrëveshjeve të BE-së.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG