Ndërlidhjet

Gazetari që i shpëtoi IS-it rrëfen për torturat

  • RFE /RL

Një gazetar, i cili i ka mbijetuar burgut të Shtetit Islamik (IS) në Siri, ka treguar për Radion Iraku i Lirë, për torturat e tmerrshme dhe abuzimin psikologjik që ka përjetuar.

Louay Abdul-Jood, aktivist dhe gazetar sirian, është mbajtur nga militantët e Shtetit Islamik për gjashtë muaj. Ai është liruar kah mesi i vitit të kaluar, në bazë të një marrëveshjeje për shkëmbim të të burgosurve midis Ushtrisë së Lirë Siriane dhe Shtetit Islamik në Alepo.

Abdul-Jood dhe një kameraman i agjencisë franceze të lajmeve AFP janë rrëmbyer nga Shteti Islamik më 28 nëntor të vitit 2013, në një zonë të Alepos.

Në burg, Abdul-Jood ka thënë se ka njohur një numër të gazetarëve. Trembëdhjetë prej tyre kanë qenë të huaj, përfshirë dhe gazetarin James Foley.

Foley është ekzekutuar nga militantët e Shtetit Islamik në muajin gusht.

Abdul-Jood ka thënë se zyrtarët e burgut kanë qenë luftëtarë të huaj nga Franca, Tunizia, Maroku, ndërsa një rus i quajtur Khaled ka qenë përgjegjës për torturimin e të burgosurve.

“Shumica e të burgosurve nuk janë rrahur, por kanë qenë subjekt i metodave psikologjike. Atyre u është vënë një thikë pranë qafës dhe u është thënë se do të theren. Ky trajtim ka qenë i gjatë dhe ka pasur efekt më të madh se abuzimi fizik”, ka thënë Abdul-Jood për Radion Iraku i Lirë.

Rrëmbyesit e kanë akuzuar Abdul-Joodin se është laik dhe se i përket Ushtrisë së Lirë Siriane.

“Më kanë akuzuar se i përkas Unionit të Gazetarëve dhe se jam në një marrëdhënie mëkatare me një aktiviste”, ka rrëfyer Abdul-Jood.

Kur ai dhe disa gazetarë të tjerë janë transferuar në një burg tjetër, Abdul-Jood ka thënë se ka parë që të burgosurit e tjerë, jo gazetarë, kanë qenë të nënshtruar ndaj torturës ekstreme fizike.

“Për shembull, një burrë ka qenë i varur me kokë poshtë. Këmbët i janë prerë me makina të rrojes dhe mbi plagë i është hedhur alkool”, ka thënë Abdul-Jood.

Sipas tij, burgu që ka përdorur Shteti Islamik ka qenë fillimisht një depo e patateve në një zonë industriale. Ai ka thënë se të burgosurit janë mbajtur në qeli të izoluara, në errësirë totale.

“…pastaj, një burrë hynte dhe thoshte: ti do të vritesh, por jo sot. Nesër, me vullnetin e Zotit”, ka rrëfyer Abdul-Jood.

Ai po ashtu ka thënë se është dënuar me vdekje nga një gjyqtar me emrin Abu Ammar al-Massri, porse Ushtria e Lirë Siriane ka kërkuar lirimin e tij si pjesë e marrëveshjes për shkëmbim të të burgosurve.

Militantët e Shtetit Islamik kanë rrëmbyr një numër gazetarësh sirianë dhe të huaj në Siri dhe Irak.

Grupi militant ka ekzekutuar dy gazetarë perëndimorë – amerikanët James Foley dhe Steven Sotloff – si dhe dy punëtorë të ndihmës – britanikun David Haines dhe amerikanin Abdul-Rahman Kassig.

Një tjetër gazetar britanik, John Cantlie, mbetet ende peng.

Sipas Reporterëve pa Kufij, gazetarët sirianë përbëjnë shumicën e 22 gazetarëve që po mbahen peng nga grupi i Shtetit Islamik.

Në fillim të dhjetorit është raportuar për rrëmbimin edhe të dy gazetarëve kurdë në kufirin Siri-Irak.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG