Ndërlidhjet

logo-print

Besimtarët ortodoksë festojnë Krishtlindjen


Festimi i Krishtlindjeve ordodokse në Kosovë, fotografi nga arkivi

Festimi i Krishtlindjeve ordodokse në Kosovë, fotografi nga arkivi

Besimtarët e konfesionit ortodoks në Kosovë kanë festuar Krishtlindjen Ortodokse.

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, përveç urimeve që u kanë adresuar besimtarëve ortodoksë, kanë vizituar edhe Manastirin e Deçanit.

Aty janë pritur nga igumeni i këtij manastiri, Sava Janjiq.

Në mesazhin e saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka uruar kjo ditë feste të shërbejë për ta shtuar besimin dhe respektin e ndërsjellë.

Kurse kryeministri Mustafa ka adresuar mesazh për bashkëjetesë, tolerancë fetare dhe mirëkuptimi ndaj njëri-tjetrit.

Të martën, shumë qytetarë serbë në veri të Mitrovicës kanë marrë pjesë në ceremoninë e ndezjes së zjarreve në natën e krishtlindjeve ortodokse. Kurse liturgjia qendrore është mbajtur në kishën “Shën Dimitrije”.

Prifti i kishës “Shën Dimitrije”, Milija Arsoviq, ka adresuar mesazhe që kjo festë të pritet gjithmonë në paqe dhe dashuri mes njerëzve.

Por, njëherësh, ai ka adresuar edhe një problematikë, që sipas tij, e përcjell besimin ortodoks e që ka të bëj me uzurpimin dhe mos lejimin e besimtarëve serb ortodoks që t’i shfrytëzojnë kishat në të gjitha pjesët e Kosovës.

“Ata kanë menduar se nëse serbët janë larguar, ata nuk do të kthehen dhe tani mund të marrin diçka që nuk u takon. Këto kisha janë tonat, këto janë shtëpitë tona ku kemi jetuar dikur dhe tani i lutemi zotit që të jetojmë sërish në to”, ka thënë Arsoviq.

Nga veriu i Mitrovicës, besimtarët ortodoksë, kryesisht serbë, kanë kaluar edhe në pjesën jugore të qytetit ku kanë vizituar kishën “Sveti Sava”.

Për shkak të gjendjes politike dhe tensioneve mes pjesës veriore të banuar me shumicë serbe dhe asaj jugore të dominuar nga shqiptarët, për realizimin e kësaj vizite është përkujdesur Policia e Kosovës.

Petra Nikoliq, një qytetare serbe nga veriu i Mitrovicës, shprehet mjaftë e entuziazmuar që kishte vizituar pjesën jugore të qytetit ku ajo kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës.

“Kam shumë emocione dhe jemi të lumtur që kemi mundur të paktën në këtë mënyrë të vijmë këtu në jug të qytetit ku kemi kaluar pjesën më të madhe të jetës”, ka thënë kjo qytetare.

Ndërkaq Nikola Jovanoviq, një i ri serb nga Mitrovica, lutet që njerëzit sa më pak të shikojnë kah e kaluara dhe t’i kthehen të ardhmes.

“Sa më pak politike dhe të jemi unik në këto momente të vështira dhe të ndihmojmë njëri tjetrin, sepse ky është edhe qëllimi i krishterimit dhe të gjitha religjioneve”, ka thënë Jovanoviq.

Për Krishtlindjen Ortodokse shumë familje serbe preferojnë që të qëndrojnë së bashku. Jelena Pavlloviq, është një vajzë e re që vjen nga një familje e tillë. Ajo thotë se tashmë kjo mënyrë festimi është bërë një traditë.

“Nuk kam vërejtur se ka ndonjë ndryshim të madh, përveç dallimit të vetëm që çdo vit po bëhet edhe më bukur”, ka thënë Pavlloviq.

Festa e Krishtlindjes Ortodokse ka zgjatur deri në orët e mëngjesit. Një atmosferë e ngjashme ka mbretëruar edhe në Graçanicë dhe vise tjera të banuara me serbë.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG