Ndërlidhjet

Francë: Mbështetje lirisë së shprehjes dhe demokracisë

  • RFE /RL

Një prej tre të dyshuarve për vrasjen e 12 personave në javoren satirike franceze, Charlie Hebdo, në Paris, i është dorëzuar policisë.

Hamyd Mourad, 18 vjeçar, raportohet se i është dorëzuar policisë të enjten në mëngjes.

Policia tha se ka ndërmarrë bastisje në qytetin Reims, në kuadër të kërkimit në gjithë Francën, për dy të dyshuarit e tjerë, vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi, përkatësisht 34 dhe 32 vjeçar.

Policia i ka identifikuar të dyshuarit dhe i ka publikuar fotografitë e dy vëllezërve të kërkuar për sulmin brutal kundër personelit të javores satirike, Charlie Hebdo.

Së paku 2 njerëz me rroba të zeza dhe të armatosur me kallashnikovë, kanë hyrë në zyrat e revistës, me ç’rast i kanë vrarë tetë gazetarë, dy policë dhe dy persona të tjerë, para se të largoheshin nga vendi i krimit. Janë plagosur së paku 11 vetë, katër prej tyre seriozisht.

Presidenti francez, Francois Hollande, vlerësoi se sulmi ishte kundër demokracisë.

“Sot, e gjithë republika është sulmuar. Republika do të thotë liri e shprehjes, kulturë, krijim, pluralizëm, demokraci. Të gjitha këto janë sulmuar sot nga vrasësit”, tha Hollande.

Ai tha se nuk ka dyshim se ky ishte sulm terrorist dhe barbar dhe se “disa sulme terroriste janë evituar gjatë javëve të fundit”.

Holande ka kërkuar unitet:

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se arma jonë më e mirë është uniteti jonë, uniteti i gjithë shtetasve në ballafaqim me këtë përvojë të tmerrshme. Asgjë nuk duhet të na ndajë, asgjë nuk mund të na kthejë kundër njëri-tjetrit”, tha Hollande.

Policia i ka përshkruar të dyshuarit si të rrezikshëm dhe të armatosur.

Cherif Kouachi ishte dënuar lidhur me akuza për terrorizëm në vitin 2008 dhe e ka kaluar më tepër se një vit në burg.

Nga ana tjetër, dhjetëra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në tubime në gjithë Francën dhe në qytete të tjera evropiane, përfshirë Londrën, Madridin, Amsterdamin dhe Berlinin, në mbështetje të lirisë së shprehjes dhe demokracisë.

Shumica e pjesëmarrësve në demonstrata i kanë mbajtur lart lapsat dhe stilolapsat në mbështetje simbolike të tetë gazetarëve, që u vranë në sulm, katër prej të cilëve ishin karikaturistë.

Revista Charlie Hebdo, që kryesisht boton karikatura satirike me të cilat përqeshen politikanët dhe liderët e ndryshëm fetarë, përfshirë edhe Papën, është kërcënuar shumë herë nga islamistët radikalë për publikimin e karikaturave të Profetit Muhamed dhe për përqeshje të personaliteteve të tjera myslimane.

Sulmi në Paris është dënuar nga shumë liderë botërorë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, tha:

“Dëshiroj ta shpreh tmerrin tim me sulmin e neveritshëm kundër revistës franceze, Charlie Hebdo. Ishte një krim ekstremisht i tmerrshëm, i paarsyeshëm dhe gjakftohtë. Ishte, po ashtu, sulm direkt në bazën e demokracisë, kundër mediave dhe lirisë së shprehjes”, tha Ban Ki-moon.

Presidenti amerikan, Barack Obama, në Uashington, i ka dënuar fuqishëm “sulmet qyqare dhe djallëzore” në Paris kundër gazetarëve dhe shtypit të lirë dhe ka shprehur përkushtim për ta ndihmuar Francën në ndjekjen e terroristëve.

“Fakti se ky ishte një sulm kundër gazetarëve, sulm kundër shtypit tonë të lirë, po ashtu, e thekson shkallën në të cilën këta terroristë i frikësohen lirisë, lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit. Vlerat që ne i ndajmë me popullin e Francës, besimi universal në lirinë e shprehjes, është diçka që nuk mund të heshtet, për shkak të dhunës së pakuptimtë të pak njërëzve”, tha Barack Obama.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se sulmi në Paris nuk është sulm vetëm kundër shtetasve francezë, por me këtë janë sulmuar edhe “liritë e shtypit dhe të shprehjes”.

Sulmin në Paris e kanë dënuar fuqishëm edhe kryeministri i Britanisë, David Cameron, pastaj presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi, e shumë të tjerë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG